Tiranë, 14 prill 2011, NOA – Pas incidentit të shpërnguljes me forcë nga banesat e tyre në periferi të Tiranës të mbi 300 anëtarëve të familjeve rome, hartimi i projekteve në ndihmë të komunitetit rom u bë sot një nga temat kryesore të mbledhjes së përjavshme të qeverisë. Projektet në fjalë përfshijnë strehimin, shkollimin, si dhe ofrimin e shërbimit shëndetësor për komunitetin rom.
Kryeministri iu referua eksperiencë pozitive të Durrësit duke theksuar se “Disa ditë më parë ne inauguruam në Durrës një projekt shumë të rëndësishëm për 100 banesa për komunitetin rom. Nuk ishte problemi i 100 banesave, por në këtë projekt parashikoheshin edhe disa shërbime, si kopshti, shkolla, shërbimi shëndetësor. Unë do të vlerësoja shumë që këtë eksperiencë pozitive më të cilën ju garantoj është punuar jo pak, por 2 vjet, deri në atë fazë të cilën e kam ndjekur me deputetin e zonës dhe ekspertët”.
Shefi i qeverisë kërkoi që ky model të ndiqej edhe në qytete të tjera, duke vlerësuar se nisma antidiskriminuese është shumë e rëndësishme, dhe ndalon sikundër tha ai, mospërsëritjen e ngjarjeve të shëmtuara si ajo me komunitetin rom në Tiranë.
mit/NOA