English

Lajçak: Dialogu politik dhe zgjedhjet e lira kusht për integrimin në BE

Bruksel, 14 prill 2011, NOA – Drejtori për Menaxhimin në Ballkanin, Miroslav Lajçak në raportin e tij në komisionin e marrëdhënieve me jashtë të PE-së deklaroi rishtas se dialogu politik dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme në 8 maj janë kushtet e BE-së për politikën shqiptare, për rrugën e integrimit në BE. Lajçak shprehu shqetësimin se mungesa e dialogut politik po pengon progresin e Shqipërisë drejt integrimit në BE.

Gjatë raportimit të tij në komisionin e jashtëm të BE-së Lajçak inkurajoi komisionin që të mbështesë përpjekjet e qeverisë dhe opozitës shqiptare që të vazhdojnë dialogun politik, pa të cilin tha ai nuk mund të ketë jetë normale politike në Shqipëri.

Ai theksoi se dy forcat politike duhet të bashkëpunojnë për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe demokratike.

Ai inkurajoi komisionin e BE-së që të vazhdojë të ushtrojë presion ndaj udhëheqësve politikë që ata të zhvillojnë zgjedhje të lira dhe të drejta.

“Duhet të vazhdojë presioni nga ana jonë, që ata ta dinë se ne jemi këtu dhe po i vëzhgojmë në mënyrë që këto zgjedhje të jenë të tilla”, theksoi Lajçak.

Lajçak u shpreh se BE ka bërë mjaftueshëm për të stabilizuar gjendjen sidomos pas ngjarjeve tragjike të 21 janarit, duke i bërë thirrje asaj që të vazhdojë të jetë e qëndrueshme në mesazhet për dialog politik mes palëve.

Gjatë këtij raportimi foli edhe eurodeputeti Viktor Bostinaru, i cili tha se përpjekjet e Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë kanë dështuar duke parë rezultatet në vend.

Bostinaru apeloi rishtas që kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli të kërkojë falje për akuzat e lëshuara ndaj tij.

“Siç e dini kryetarja e parlamentit më ka akuzuar mua për korrupsion dhe kjo gjë është e papranueshme dhe presidenti i parlamentit është përpjekur për 3 javë që të bindë zonjën kryetare që të kërkojë falje publikisht ose të tërheqë deklaratën e saj, por ajo ende nuk e ka bërë këtë gjë”, tha Bostinaru.

Ndërsa kreu i Delegacionit për Ballkanin në PE, eurodeputeti Eduard Kukan risolli në vëmendje se BE ka bërë shumë për të ndihmuar krizën politike në Shqipëri, duke theksuar se ka dhënë këshilla edhe që të mos përsëritet në 8 maj situata pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në 28 qershor të 2009-ës kur zgjedhjet u kontestuan nga opozita. “Të gjithë ne kemi investuar shumë për të ndihmuar politikanët në Shqipëri që të kapërcenin krizën. Dhe pa e zgjidhur atë me mjete politike do të jetë vërtet shumë e vështirë që të flisnim për të ardhmen, e për më shumë për progresin”, theksoi eurodeputeti Kukan.

mit/NOA

KOMENTE