Prishtinë, 14 prill, NOA – Zv/kryeministrja kosovare Edita Tahiri, e cila është edhe kryetare e ekipit negociator me Serbinë, zhvilloi një takim me përfaqësuesin nga Bujanoci, Jonuz Mulsiun.
Mësohet se ky i fundit i ka kërkuar Tahirit, që të hapet një zyrë, si përfaqësi komunikimi nga Lugina e Preshevës në Prishtinë.
Nga ana e saj, Tahiri premtoi përkrahje dhe angazhim maksimal për realizimin e të drejtave të plota të shqiptarëve në Luginën e Preshevës duke thënë se Kosova do të jetë gjithmonë një krah i fuqishëm i shqiptarëve banorë të saj.
Bëhet me dije gjithashtu se Musliu i ka deklaruar Tahirit situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe sfidat me të cilat po ballafaqohen qytetarët e saj.
Ai theksoi se edhe pas një dekade, Marrëveshja e Konçulit është larg realizimit dhe rrjedhimisht të drejtat e shqiptarëve etnik atje mbeten të diskriminuara, si dhe perspektivat e cunguara shkaktojnë largimin e tyre nga trojet etnike.
Prandaj ai kërkoi mbështetje më të madhe nga Kosova për shqiptarët e Luginës së Preshevës në të gjitha planet, duke kërkuar po ashtu që çështja e tyre të përfshihet në dialogun teknik ndërshtetëror midis Kosovës dhe Serbisë.
n.e/NOA