Korçë, 14 prill, NOA – Kandidati i mazhorancës në Korçë, Andrea Mano ka premtuar sot investime në sistemin arsimor. Në takimin e zhvilluar në familjen e nxënësit Gjergji Papamihali, i cili është vlerësuar me çmimin e parë në një konkurs kombëtar shkencor zhvilluar në Durrës, Mano ka deklaruar se do të pajisen të gjitha shkollat me labratorë në qytetin e Korçës. Në vizitën e tij zoti Mano shoqërohej prej Drejtorit të Arsimit, Arben Belba dhe nga Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social, Ilir Frashëri.
“Gjatë mandatit tim si Drejtor i Arsimit, u ndërtuan shkolla të reja dhe u bë rikonstruksioni i shumë shkollave ekzistuese, ndërsa në postin e Kryebashkiakut do të ngulmoj që Bashkia të investojë në ngritjen e laboratorëve dhe sidomos në ato të informatikës”, tha midis të tjerash Mano, gjatë bisedës me nxënësin dhe të afërmit e tij.
Në përfundim të vizitës ai i dhuroi Gjergji Papamihalit një libër enciklopedik.
a.k/NOA