Tiranë, 15 prill, NOA - Roli i shoqërisë civile në luftimin e korrupsionit në nivel vendor do të diskutohet nesër në një konferencë kombëtare, të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe e financuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian.
Veprimtaria shënon fundin e një projekti 18-mujor të vënë në jetë nga Prezenca e OSBE-së, i cili synon të forcojë rolin e shoqërisë civile në promovimin e parimeve të qeverisjes së mirë, në luftën kundër korrupsionit në nivelin e qeverisë vendore.
Në kuadër të këtij projekti, organizata të shoqërisë civile, në pesë qytete të vogla të Shqipërisë si Laç, Përmet, Shijak, Kamëz dhe Çorovodë, shtuan njohuritë e tyre në zbatimin e nismave për përmirësimin e transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes, me synimin përfundimtar luftimin e korrupsionit në nivel vendor.
Gjatë projektit, gjithashtu, zyrat e marrëdhënieve me median të bashkive u ndihmuan në përdorimin sa më të mirë të gazetave, faqeve në internet dhe fletëpalosjeve për të informuar komunitetin lidhur më çështjet e korrupsionit, duke rritur kështu transparencën dhe besimin e qytetarëve tek institucionet vendore. Po ashtu, projekti nxiti organizatat e shoqërisë civile dhe grupet civile të harmonizonin punën e tyre në vlerësimin dhe monitorimin e përdorimit të fondeve vendore, si dhe në ofrimin e shërbimeve publike.
Projekti u financua kryesisht nga BE-ja, përmes programit CARDS 2006, me mbështetje shtesë nga ambasada holandeze në Shqipëri.
n.e/NOA