Tiranë, 15 Prill, NOA - Gazetat shqiptare vazhdojnë të flasin sërish mbi deklaratat e kandidatëve për Bashkinë e Tiranës, ku premtimi për tramvajin dhe ulje taksash, bëhet tani edhe nga kandidati socialist, Edi Rama.
E përditshmja “Panorama” ka si argument kryesor titullin “Flet kreu i PS/ Rama: Ristani gangster, zgjedhjet në rrezik”, i cili flet për deklaratat e radhës të kreut socialist se zgjedhjet e 8 Majit janë në rrezik për manipulime dhe vjedhje votash.
“Rrëfimi i Preç Zogajt: Lidhja ime me Sigurimin në vitin 1975, kisha dy dajallarë të pushkatuar”, është një tjetër artikull i gazetës.
Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Budina: Ju tregoj pazarin me zhvarrimet e Kosinës”; “Topi vizitë në Turqi, shpallet qytetar nderi”; “Plagosi militantin e PS, arrestohet 21-vjeçari” etj.
E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Armiq të hershëm”, i cili u tregon në foto kryesore Berishën dhe Ramën, duke i dhënë dorën njëri-tjetrit, ndërsa artikulli u zbulon lexuesve një letër të Ramës, kur Berisha ishte president në vitin 1994.
“Nuk ka fonde, po mbyllet faqja online e Mustafa Nanos” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.
Për të vijuar edhe me artikullin tjetër me titullin “Nga Preç Zogaj: Shtatoren e Bardhoshit çojani Prokurorisë, Kryeministrit, Arvizusë”.
“Gazeta Shqiptare” ka si artikull kryesor “Intelektualët ballë Bashës/ Halimi: Si t’u them Jo grave në maternitet?”, i cili citon debatet e bëra në tryezën për Tiranën nga intelektualët dhe kandidati demokrat, Lulzim Basha.
“Pedagogu i bujqësisë: Trakte poshtë zyrës, se kam kritikuar qeverinë” është një artikull tjetër i kësaj gazete, referuar një letre të pedagogut Besnik Gjongecaj.
Kurse “71-vjeçari troket në gjykatë: S’kam emrin në listë, dua të votoj” flet për mangësitë që gjenden në listat e zgjedhësve.
E përditshmja “Shqip” hapet me titullin kryesor “Debat për Shqipërinë në PE: Të ndalet dhuna, ne duhet të ndërhyjmë”, i cili tregon sesi europarlamentarët kanë komentuar zhvillimet më të fundit politike në Shqipëri.
“Rama: Tram-Tirana deri në Durrës, Basha: Eshtë projekti im” është një tjetër artikull kryesor i kësaj gazete.
Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Turqia, asnjë informacion për fishekun që goditi Aleks Nikën”, “Gjermania sjell dosjen e bosit turk të drogës” etj.
E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin “Fushata, Berisha: Shmangni çdo tension dhe përplasje”, i cili pasqyron thirrjen e djeshme publike të kreut të qeverisë për të shmangur tensionet elektorale.
Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Basha: Vendimet për Tiranën, bashkë me qytetarët”.
Një tjetër artikull i kësaj gazete është ai me titull “Rama kopjon Bashën për taksat dhe tramvajin”.
Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Enjte, 15 Prill 2011. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht. Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.