English

Pollo në Berat: Beratit i duhet ndryshuar ngjyra në 8 maj

Berat, 14 prill 2011, NOA – Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit Genc Pollo deklaroi sot nga Berati se në 8 maj i duhet ndryshuar ngjyra Beratit, nga një “qark i kuq” në “qark blu”. “Koalicioni qeverisës kërkon t’i ndryshojë faqen Beratit, i cili me pa të drejtë është quajtur “qark i kuq” edhe pse sot gjysma e deputetëve janë në koalicionin e udhëhequr nga Partia Demokratike’, deklaroi Pollo nga qyteti i një mbi një dritareve.

Në vijim të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore ministri Pollo theksoi se “Nga data 8 Maj e tutje edhe bashkia e Beratit duhet të ketë një ngjyrë tjetër, duhet të ketë një kryetar tjetër dhe kryetarin e kemi mes nesh, quhet Ilir Deçolli, një djalë beratas dhe jam i sigurt që do të marrë jo vetëm votat tuaja, por edhe votat e shumicës më të madhe të lagjes “Murat Çelebiu” bashkë me lagjet e tjera të Beratit”.

Gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, ministri Pollo premtoi se ndërtimi i Boshtit të Jugut dhe i rrugës Berat-Lushnje mbeten prioritet i Qeverisë.

“Premtimi i bërë para dy vjetësh ka qenë se Berati nuk do të jetë më një krahinë dhe një qark xhep, ku udhëtohet dhe nuk mund të vazhdohet rruga, çka nuk inkurajon qarkullimin dhe zhvillimin. Premtimi ynë i madh, i gjithë maxhorancës, ka qenë një aks krejt i ri, që kalon mespërmes lagjes suaj, aksi i madh që quhet Boshti i Jugut, tanimë, në lotin dhe segmentin e parë nga Tirana në Elbasan”, deklaroi Pollo.

Sipas kjo është pjesa e parë e Boshtit të Jugut që do të kalojë nga Dumreja në Kuçovë, në Berat, për të vijuar në Memaliaj e deri në Gjirokastër.

Pollo tha se qeveria është e angazhuar për ndërtimin e rrugës Berat-Lushnje, e cila ka dalë pothuajse jashtë përdorimit nga kamionët që kalojnë përditë me pllaka guri apo me materiale ndërtimi.

“Edhe kjo situatë do të ndryshojë”, siguroi ministri Pollo, pasi sikundër tha ai, “shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i rrugës së re Berat-Lushnje, tenderi i së cilës hapet në fund të muajit prill dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë banorët e Beratit”.

mit/NOA

KOMENTE