Tiranë, 14 prill, NOA - Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo ishte sot i pranishëm në seminarin e organizuar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) në bashkëpunim me Fondacionin “Konrad Adenuaer”.
Atje u prezantua ndër të tjera implementimi i sistemit të informacionit në ISKSH, si dhe fillimi i procesit për hartimin e Strategjisë për E-health, (që në shqip mund ta përkthejmë shëndetësia elektronike) duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm në rrugën tashmë të nisur për ndërtimin e një shoqërie të informacionit dhe në përmbushje të programit të qeverisë, Shqipëria dixhitale.
Gjatë fjalës së tij në seminar, ministri Pollo tha se me anë të Teknologjive të Informacionit, shteti shqiptar ka bërë hapa gjigande përpara, më konkretisht, në fusha si arsimi, regjistrimi i biznesit (QKR, QKL), prokurimi publik, në luftën kundër korrupsionit, rritjen e transparencës dhe përdorimin me efektivitet të parasë publike. Kujtojmë se Shqipëria ka marrë një vit më parë çmimin e dytë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për zonën e Evropës dhe Amerikës së Veriut, për Prokurimin Publik 100% elektronik.
Sipas tij, kjo është një njohje e rëndësishme për vendin tonë, në rritjen e transparencës, përgjegjësisë dhe gatishmërisë në shërbimin publik dhe OKB-ja ka vendosur ta përdorë këtë projekt të Shqipërisë si model për vendet e Azisë dhe Afrikës Veriore.
Ndër avantazhet e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për përmirësimin e sektorit të shëndetit publik dhe kujdesit shëndetësor, ministri Pollo përmendi përmirësimin e shërbimit shëndetësor, mbështetje në kohë reale për kujdesin klinik, sigurimi i informacionit online për publikun e gjerë, sigurimi i informacioneve shkencore në ndihmë të profesionistëve dhe padyshim mbështetje të funksioneve administrative, duke rritur cilësinë e shërbimeve të ofruara për qytetarët.
n.e/NOA