Durrës, 14 prill 2011, NOA- Gjatë ditës së sotme në qytetin e Durrësit është inauguruar sheshi “Demokracia”.
Në këtë inaugurim ka qenë i pranishëm kryebashkiaku, Vangjush Dako si dhe kryetari i partisë Socialiste Edi Rama.
Sipas kryetarit të bashkisë së qytetit bregdetar, projektit të Bashkisë “Epoka e re Urbane” i shtohet edhe një vlerë tjetër e çmuar siç është “Sheshi Demokracia”, krahas përfundimit të projekteve të tjera si: shëtitorja Taulantia, hyrja e Durrësit e disa projekte të tjera.
Dako tha gjithashtu se, inagurimi i këtij sheshi demonstron punën dhe vizionin që ka udhëhequr drejtimin e këtij qyteti në katër vitet e shkuara.
“Këto katër vite nuk kanë qenë të lehta. Janë përpjekur të na bllokojnë investimet në qytet. Na është dashur të përballemi me bllokime dhe bojkotime të investimeve për qytetin dhe investimeve për ju”, deklaroi kryebashkiaku i Durrësit.
Sipas tij krahas pengesave të vazhdueshme, socialistët dhe qeverisjet vendore të tyre janë të vendosur për të punuar.
Nga ana e tij kryesocialisti Rama, tha se pushteti lokal i drejtuar nga PS është përpjekur të bllokohet nga qeveria e PD, por shtoi se edhe në këto kushte të vështira, qeveritarët lokalë socialist kanë arritur t’i zhvillojnë qytetet e tyre duke i bërë ato më të bukura, më të zhvilluara.
Sipas Ramës, kryebashkiaku Dako është alternativa dhe rruga e vetme për Durrësin për ta bërë këtë qytet një qendër të turizmit shqiptarë, për të vijuar ndryshimet e mëdha dhe të prekshme për të gjithë banorët.
Ai e ka cilësuar rivalin e Dakos, Ferdinand Xhaferrin si “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” që do të sjellë eshtrat e Ismail Qemalit nga Italia.
a.y/NOA