English

Rama te njësia 4: Taksa e kusarisë, është ligji i pashkruar që po vjedh shqiptarët

Tiranë, 14 prill 2011, NOA- (Update) Kryetari i partisë Socialiste njëherësh kandidat i saj për bashkinë e kryeqytetit, është ndalur paraditen e sotme në njësinë bashkiake nr.4 për të kërkuar votën për të katërtën herë.

Nga kjo njësi ai ka prezantuar edhe kandidatin për minibashkinë Vait Kalaja, i cili ashtu si dhe kryetari i tij rikandidon për këtë post.

Rama në bisedë me një banore të kësaj njësie i ka kërkuar votën asaj nën argumentet: “Për të luftuar papunësinë, për të luftuar çmimet e rritura, për të luftuar varfërinë, ka vetëm një rrugë, duhet të largojmë qeverinë. Sepse këto janë punët e qeverisë e qeveria nuk i bën këto punë. Ndaj na duhet një qeveri që t’i bëjë këto punë, që populli të ketë punësim, që populli të ketë lekë, që populli të ketë mundësi të jetojë normalisht, që fëmijët të rriten si europian.”

Lidhur me pakënaqësitë e qytetarëve ndaj qeverisë ai është shprehur se për këtë i duhet kërkuar llogari pushtetit, te kutia e votimit me votë në 8 maj.

Ndërkaq ai ka shtuar se nuk është çështja tek fitimi i zgjedhjeve por tek fitimi mbi varfërinë e papunësinë.

Rama tha se ajo që vjedh xhepat e shqiptarëve si një ligj i pashkruar është mbi të gjitha taksa e kusarisë: “Ilaçet i kanë ngritur, librat i kanë ngritur, të gjitha i kanë ngritur sepse është taksa e kusarisë. Kusaria ka taksën e vet që nuk është e shkruajtur gjëkundi, por që shkon tek xhepat e pushtetit.”

a.y/NOA

KOMENTE