Bernë, 14 prill 2011, NOA – Zvicra ekstradoi sot të akuzuarin e nëntë për krime lufte për rastin “Kleçka”, ish-luftëtarin e UÇK-së Arben Krasniqin. Lajmin e bëri publik agjencia informative "Presheva Jonë”, e cila e ka mësuar lajmin nga Folco Galli, zyrtar pranë Zyrës së Policisë dhe Drejtësisë në Bernë.
Arben Krasniqi i arrestuar nga policia e EULEX-it është pjesë e grupit, të akuzuar për krime lufte, ku bën pjesë edhe drejtori i Policisë rajonale të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi. “Akuzat ndaj këtyre personave kanë të bëjnë me vrasje, tortura dhe shkelje të integritetit fizik e shëndetësor të civilëve shqiptarë e serbë dhe të robërve të luftës në Kleçkë gjatë vitit 1999. Hetimet bëhen nën mbikëqyrjen e Prokurorit të EULEX -it pranë zyrës së Prokurorisë Speciale të Kosovës”, njoftoi EULEX-i.
Për të njëjtin rast EULEX-i ka ngritur padi edhe ndaj deputetit të PDK-së dhe ish ministrit të Transporteve të Kosovës, Fatmir Limaj, i cili nuk mund të arestohet për shkak të imunitetit.
Aksioni i EULEX-it u finalizua në 16 mars me arrestimin e 9 ish-lufëtarëve të UÇK-së, si pjesë e hetimeve për krime të luftës.
Urdhër arrestin për pesë të pandehurit e lëshoi gjyqtari i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, ndërkohë 5 të pandehurit po mbahen në paraburgim për 30 ditë, 2 të pandehur në arrest shtëpiak, dhe 1 i pandehur është urdhëruar të lajmërohet në polici tri herë në javë, ndërkohë që i arrestuari i nëntë mbahet në paraburgim në Zvicër.
mit/NOA