Mirditë, 14 prill 2011, NOA- Kryeparlamentarja, njëherësh nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli, u ndal në rrethin e Mirditës për të prezantuar kandidatët e koalicionit “Aleanca për qytetarin”.
Topalli fillimisht u ndal në Rrëshen për të prezantuar kandidatin për kryetar bashkie, të këtij qyteti Gjon Dedaj.
Pas kësaj ndalese një tjetër u bë edhe në Rubik, ku u prezantua Mark Ruçi, dhe kandidatët për komuna të koalicionit të maxhorancës.
Në fjalën e saj Topalli tha se në këto vite qeveria dhe maxhoranca, në drejtimin e kryeministrit Berisha ka realizuar mrekulli, të paimagjinuara më parë, Shqipërinë në NATO, heqjen e vizave, rrugën e Kombit dhe tashmë ka sfidën e madhe “Shqipëria në 2017, një vend i zhvilluar”.
Sipas saj në katër vitet e ardhshme për këto zona qeveria ka plan të investojë në infrastrukturën rrugore për ti bërë rrugët e këtij rrethi si ato të gjithë Europës.
“Në bashkinë tuaj gjatë këtyre viteve janë investuar me miliona euro. Një rrugë që vjen nga Rrësheni dhe shkon në Burrel. Një rrugë që shkon në 20 milionë euro dhe kjo, është vetëm njëra prej tyre. Natyrisht, ne jemi një vend anëtar i NATO-s. Ndjehem mirë dhe krenare, që kemi realizuar premtimin më të vështirë, heqjen e vizave”, deklaroi kryeparlamentarja.
Ajo theksoi gjithashtu se qeveria i mban objektivat e saj, madje tha se ajo është punëtore dhe në plan të parë ka qytetarin.
a.y/NOA