English

Zëvendësi

"Zëvendësit zëvendësojnë. Por, mbase këta zëvendës zëvendësojnë veçse atë që dëshiron të jetë i pazëvendësueshëm. Zëvendësit janë aty për të mos ndodhur zëvendësimi. Mu për këtë arsye zëvendësimi, si zëvendësimi, do të jetë ashtu siç duhet të jetë: zëvendësim i zëvendësve bashkë e përnjëherë me të pazëvendësueshmin. Herëdokur"...

Nga Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës i ka gjashtë zëvendës. Përmasa e mospranisë së tij, ose e pamundësisë së tij pritet të jetë kaq e madhe. Gjashtë të tjerë e zëvendësojnë kur ai s’do të jetë i pranishëm, ose s’do të mundë ta ushtrojë funksionin. Zëvendësit zëvendësojnë. Zëvendësit zëvendësojnë atë që duhet zëvendësuar në rast të mungesës ose pamundësisë. Pra, zëvendësohet ai që mungon ose ai që s’mundet. Zëvendësimi është zëvendësim në kushtet e mungesës së pranisë së atij që, për pasojë, duhet zëvendësuar. Ose: zëvendësimi është zëvendësim kur është bërë e pamundur që të funksionojë ai, që për pasojë, duhet zëvendësuar. Zëvendësi e zë vendin. Ai e zë vendin e tjetërkujt. Zëvendësi e nënkupton vendin e zbrazët që nuk guxon të mbetet i tillë. Zëvendësi është siguria e vendit. Zëvendësi garanton që vendi do të zihet. Që zëvendësit shkojnë e vijnë porse vendi mbetet. Zëvendësi është aktualitet duke qenë potencialitet. Zëvendësi është sepse mund të zhbëhet. Ai mund të mos mbetet më zëvendës pikërisht duke zënë vendin e atij zëvendës i së cilit është. Zëvendësi është qenia e mundësisë.

Zëvendësi mund të lexohet edhe si zë i vendësit. Pra, jo zë i ndërkombëtarit. Zëvendësi si zë i vendësit. Vendësi nuk është vendës. Vendësi është gjithnjë zëvendës. Apo, ndoshta, zëvendësi duhet të lexohet si zë i vendit. Natyrisht, jo i vendit si shtet, por i vendit si post. Vendi flet; vendi lëshon zë. Jo ai që është në vend, por vendi si i tillë. Zyrtari është zëri i vendit që e ka zënë.

Sa më lart që ngjitesh në hierarki, aq më i madh është numri i zëvendësve. Kur zvogëlohet numri i vendeve, rritet numri i zëvendësve. Kryeministri i Kosovës i ka gjashtë zëvendës. Përmasa e mospranisë së tij, ose e pamundësisë së tij, pritet të jetë kaq e madhe. Gjashtë të tjerë e zëvendësojnë kur ai s’do të jetë i pranishëm ose s’do të mund ta ushtrojë funksionin.

Këta gjashtë zëvendëskryeministra aludojnë që kryeministri ose do të mungojë shpesh, ose ka shumë detyra që duhet t’ia kryejnë të tjerët, ose të dyja këto. Zaten, ka edhe një mundësi tjetër: kryeministri beson që është aq i pazëvendësueshëm, saqë vetëm gjashtë zëvendëskryeministra do të mundë ta zëvendësonin atë. E, megjithatë, ka edhe një mundësi krejtësisht tjetër: kryeministri synon të jetë i pazëvendësueshëm dhe numri kaq i madh i zëvendëskryeministrave është veçse çmimi që ai paguan për këtë aspiratë të tij.

Për të mbetur me çdo kush kryeministër ai e bën zëvendës të tij këdo që sadopak e rrezikon apo kushtëzon. Për cilëndo pozitë lëshon pe vetëm dhe vetëm që të mbetet aty ku detyrë kryesore po i bëhet lëshimi pe. Rrethohet fare afër me ata që i afrohen për të mbetur maksimalisht larg. Ndryshon rregullat për pozitat në mënyrë që ai vetë të mos e ndryshojë pozitën. Duket që pikërisht në këtë mundësi konsiston e vërteta e kësaj situate.

Pra, kryeministri është i gatshëm që pafundësisht të kënaqë ego të të tjerëve përgjatë rrugës së pafund, por të njëjtë të egos së tij. Me zëvendëskryeministrat e shumtë ai ka krijuar një nivel të tretë të pushtetit qeveritar. Përveç rrethit të ministrave dhe rrethit të këshilltarëve të tij, ai e ka sajuar edhe këtë rrethin e zëvendësve të tij. Këta zëvendës pa dyshim që gjithherë do të bartin më shumë përgjegjësi sesa që do të marrin pushtet ndonjëherë.

Zëvendësit zëvendësojnë. Por, mbase këta zëvendës zëvendësojnë veçse atë që dëshiron të jetë i pazëvendësueshëm. Zëvendësit janë aty për të mos ndodhur zëvendësimi. Mu për këtë arsye zëvendësimi, si zëvendësimi, do të jetë ashtu siç duhet të jetë: zëvendësim i zëvendësve bashkë e përnjëherë me të pazëvendësueshmin. Herëdokur.

NOA

KOMENTE