English

Basha: Faleminderit për votën Rama, më mirë vonë se sa kurrë

Tiranë, 15 prill 2011, NOA- Kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin” Lulzim Basha në kuadër të takimeve të tij elektorale është ndalur në zonën e Alliasit për të prezantuar programin e tij si kryebashkiak.

Ashtu sikurse e ka thënë vazhdimisht, edhe banorëve të Alliasit, Basha u ka premtuar punësim dhe rritjen e fuqisë blerëse.

Para këtyre banorëve ai ka prezantuar edhe kandidatin për minibashkinë nr.4 Hysen Xhura, duke thënë se rruga e maxhorancës do të ulë taksat dhe do të hapë 15 mijë vende të reja pune.

“Po ju them sot se për mua Lulzim Bashën problemi numër një, çështja numër një, do jetë punësimi dhe rritja e fuqisë blerëse. Do të mundësoj hapjen e 4 mijë vendeve të reja pune vetëm nëpërmjet uljes së taksave. Unë do ngre një fond të veçantë, si fillim deri në 20 milion euro, dhe do bëj të mundur që nëpërmjet biznesit në Tiranë të gjenerohen edhe 6 mijë vende të reja pune. Unë jam i përkushtuar të nis menjëherë ndërtimin e Unazës së Madhe që do të qarkojë qytetin tonë si vepra më e rëndësishme, infrastrukturore e historisë së Tiranës, që po ashtu do të jetë si fronti më i madh i punës ku do të punësohen direkt mbi 5 mijë qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe do të rihapet cikli dinamik i punësimit në veprat publike. Plani im për punësimin mori para dy ditësh mori edhe voton e kandidatit tjetër për Kryetarë Bashkie. Faleminderit për votën zoti Rama, më mirë vonë se sa kurrë”, deklaroi Basha.

Ai ka premtuar gjithashtu edhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe ka thënë se do ti jepet fund abuzimeve me çmimet.

a.y/NOA

KOMENTE