English

Basha me artistët: Investimi në art, është një investim për mirëqenie

Tiranë, 15 prill 2011, NOA- Kandidati për kryebashkiak i maxhorancës për Tiranën, Lulzim Basha deklaroi se prioritet i punës së tij do të jetë ndërtimi i shkollave të mesme e 9 vjeçare.

“Prioritet për mua është ndërtimi me shpejtësi i 12 shkollave 9 vjeçare dhe 4 gjimnazeve. Nuk do të kemi më klasa me mbi 30 nxënës në qytetin tonë. Pa përjashtim do të kenë ngrohje qendrore funksionale, përkundër një kostoje të ulët edhe dreka. Këto shkolla në vetvete do të kenë hapësira të bollshme për jetën sociale, kulturore dhe sportive për nxënësit tanë”, tha Basha.

Një tjetër angazhim që Basha e mori para banorëve ishte edhe kthimi i kryeqytetit në një qendër turistike.

Në një takim me operatorët turistikë në panairin mbi turizmin kandidati i maxhorancës prezantoi platformën për turizmin duke thënë se hap i parë do të jetë heqja e taksës së fjetjes në hotele e cila aktualisht është 5 %.

Sipas Bashës, do të investohet në vlerat turistike të Tiranës ndërsa në planin e ri rregullues do të marrë zgjidhje sinjalistika në funksion të turizmit, vend-parkimet për automjetet turistike, etj.

Ndërkohë ai zhvilloi edhe një takim me artistët kryeqytetas ku tha se, arti dhe kultura zënë një hapësirë të veçantë në projektin e tij për Tiranën si metropol europian.

Basha tha se në programin e tij parashikohet ngritja e galerisë, filarmonisë e muzeut të qytetit si dhe mbështetje e veçantë do t’u jepet talenteve.

“Ne nuk duhet të harrojmë kurrë se investimi në art, përveç investimit në konstitucionit tonë shpirtëror, është një investim në punësim, është një investim në mirëqenie, është një investim në zhvillimin ekonomik”, tha Basha.

Në këtë takim ishin të pranishëm artistët më të zë të vendit si Kujtim Çashku, Mihallaq Luarasi, Edi Luarasi, Suela Konjari, Nik Xhelilaj etj.

Ndërkohë politikani Sabri Godo, e ka mirëpritur në lagjen e tij kandidatin për Bashkinë e Tiranës Lulzim Basha dhe e ka shoqëruar atë në takimet me banorët ku është njohur me problematikën e zonës.

a.y/NOA

KOMENTE