English

Berisha: Rama ti nuk më fyen dot, unë për qytetarin jam edhe punëtor komunaleje

Elbasan, 15 prill 2011, NOA- (Update) Kryeministri i vendit Sali Berisha që nga qyteti i Elbasanit, iu kundërpërgjigj deklaratave të kryesocialistit Edi Rama duke thënë se për çdo inaugurim të bërë ndihet krenar.

“Nëse Rama mendonte se do më fyente duke më thënë se bëjë punë komune, ja ku po i them se e ka shumë gabim, unë do ndërtoj çdo kilometër rrugë për të lehtësuar jetën e qytetarëve, pasi unë për qytetarin jam punëtor komunaleje”, deklaroi Kryeministri Berisha.

Më tej ai shtoi se socialistëve, rrugët u duken të parëndësishme, prandaj nuk kanë bërë asnjë gjë në bashkitë që ata drejtojnë.

Ndërkaq kreu i maxhorancës theksoi se pas bukës, ujit dhe shkollave, rrugët janë më kryesoret për qytetarët.

“Së bashku me këtë qytet mijëra vjeçar, këta qytetar të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë ia dolën të lëvizin lirisht në të gjithë Europën. Të gjithë së bashku ia dolën të dyfishojmë rrogat e ulëta dhe pensionet, ne ia dolëm të rikthejmë shpresën dhe besimin tek e ardhmja, kjo është rruga jonë me suksese historike. Ata të cilët ju ftojnë ju për rrugën e vetmisë, le të ndjekin rrugën e partisë së tyre, pasi ne do të ecim në rrugën e lirisë tonë dhe në respektin për njeri- tjetrin e për Shqipërinë”, deklaroi Kryeministri.

Berisha bëri sërish thirrje që kjo fushatë të jetë e dialogut dhe mirëkuptimit, kjo edhe për ti faktuar gjithë Europës se shqiptarët janë qytetarë europainë, dhe se qytetarët janë të vendosur të respektojnë çdo votë.

Në mbyllje të fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se, “Kandidati për qytetar të parë në Elbasan, Durim Hushi para se të ishte socialist, para se të ishte demokrat dhe politikan, ai ishte Elbasanas dhe unë e garantoj atë se do ketë mbështetjen time të plotë në punën e tij”.

a.y/ NOA

KOMENTE