Tiranë, 15 prill 2011, NOA- Deputetja demokrate Rajmonda Bulku, gjatë ditës së sotme shprehu shqetësimin e saj lidhur me mungesën e hapësirave të gjelbra dhe mungesën e parqeve në kryeqytet.
Në një dalje për mediat ajo tha se, “Sot Tirana ka shumë pak vende apo parqe ku mund të luajnë fëmijët, ku familjet të mund të kalojnë kohën së bashku dhe ku njerëzit të luajnë apo të ushtrojnë sporte të ndryshme”.
Sipas saj mungesa e këtyre hapësirave bën që Tirana të mos jetë kurrë një qytet modern europian.
Më tej ajo tha se Tirana është sot qyteti i dytë më i betonizuar në mbarë Evropë sipas Agjencisë Evropiane për Mjedisin.
“Një raport i kohëve të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se çdo qytetar i Tiranës humb 1 deri në 2 vjet jetë nga niveli i lartë i ndotjes së ajrit që vjen vetëm si pasojë e punimeve në qendër të qytetit”, deklaroi deputetja demokrate.
Ajo theksoi se, aktualisht sipërfaqja e gjelbër, zë vetëm 2.7 m² për banorë, ndërkohë që Rregullorja e Urbanistikës përcakton se norma minimale e gjelbërimit duhet të jetë 7 m² për banorë.
Bulku tha se kryebashkiaku Rama interesohet vetëm për politikën kombëtare dhe ka lënë në harresë të përditshmen e qytetarëve, madje shtoi se për këto arsye është koha që të zgjidhet një kryebashkiak ndryshe.
Sakaq ajo shtoi se, “Mungesa e hapësirave të gjelbra po shkakton vërtetë një efekt negativ tek çdo burrë, grua dhe fëmijë në qytetin tonë. Fëmijët e Tiranës meritojnë një fëmijëri, jo një kryebashkiak që ka betonizuar thuajse të gjitha hapësirat publike të qytetit”.
a.y/NOA