Tiranë, 15 prill, NOA - Kodi elektoral i Shqipërisë parashikon që një ndër tre kandidatë për t’u zgjedhur në parlament, apo në organet e pushtetit vendor duhet të jetë grua. Por ky ligj ka mbetur në letër.
Jeta Seitaj është një nga 13 gratë, që po konkurron për t'u rizgjedhur kryetare e një minibashkie në Tiranë, e kandiduar nga PS. Kur e pyes pse ka kaq pak gra edhe nga PD, që po kandidojnë për t'u zgjedhur në organet e pushtetit lokal, ajo thotë: “Ka një klimë shumë të ashpër politike në këto zgjedhje, prandaj ka rënie të kandidaturave të grave për t'u zgjedhur.
Politika është shumë e ashpër, ka një super politizim të zgjedhjeve vendore, sikur të jenë zgjedhje politike dhe kjo ka bërë që shumë gra të mos pranojnë të kandidojnë, të tërhiqen në momentin e fundit: ashpërsimi i klimës politike është ekstrem, ka rrahje, plagosje. Dhe gratë, që nga natyra e zbusin politikën, nuk e gjejnë veten në këtë politikë kaq të ashpër.” thotë Jeta Seitaj.
Dëshira Subashi, një tjetër grua, që është ne pozicion drejtues, nën/kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjen të njëjtën arsye për numrin e pakët të grave, që po kandidojnë për organet drejtuese të pushtetit lokal, që do të dalin nga zgjedhjet lokale të 8 Majit. “Klima e ashpër politike prej dy vitesh ka sjellë një situatë të tillë, kur në fushatë ndodh edhe që ka dhunë dhe duhet të përballesh fizikisht. Po shikohen tensione politike. Zbutja e klimës politike do të sillte edhe më shumë kandidatura të grave. Gruaja mund të përballet në fushatë me një kandidat normal, intelektual, që nuk ushtron ndaj saj dhunë emocionale, apo psikologjike”.
OSBE-projekte, që rrisin besimin dhe vendosmërinë e gruas kandidate
Por një projekt i OSBE-së “Gratë në qeverisje” po kontribuon të promovojë pjesëmarrjen e gruas në politikë duke rritur sigurinë, besimin dhe vendosmërinë e tyre për të pranuar të kandidojnë. Eugen Uollforth, Ambasadori i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, thotë për programin shqip të DW: “Projekti “Gratë në qeverisje” ka ofruar trajnim për 150 kandidate të mundshme nga të gjitha partitë politike. Projekti ndihmon në rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe i bën ato më të sigurta dhe bindëse në daljet e tyre në publik, si kandidate. Projekti vazhdon. Në shtator do të organizojmë një shkollë verore për gratë e zgjedhura, për t' u promovuar në politikë. Po shqyrtojmë opsionet e mundshme për të siguruar fonde për një fazë të dytë të këtij projekti shumë të rëndësishëm”.
Për shkeljen e ligjit-dënime shumë të lehta për partitë
Klima e ashpër politike nuk është e vetmja arsye. Shoqëria shqiptare vazhdon të jetë një shoqëri maskiliste, e dominuar nga burrat. Ndryshimin e saj do ta sillte në radhë të parë respektimi i ligjeve, që mbështesin barazinë gjinore. Në rastin e përfaqësimit kaq të ulët të gruas në drejtimin e pushtetit lokal nuk është zbatuar Kodi Elektoral, që parashikon kuotën prej 30% të pjesëmarrjes së gruas në kandidaturat e partive politike.
Jeta Seitaj thotë se nëse do të zbatohej ligji përfaqësimi i gruas në politike do t'i afrohej kësaj kuote. “Jam për zbatimin e ligjit kudo, jo vetëm për barazinë gjinore. Zbatimi i tij do të sillte ndryshimin”, thotë ajo
Por ka edhe një dukuri tjetër. Ligji jo vetëm që nuk zbatohet, por për moszbatuesit e tij ndëshkimet janë tepër të lehta, pothuajse të papërfillshme.
Kështu, ligji parashikon që subjektet politike, që nuk zbatojne kuotën prej 30% të pjesëmarrjes së gruas si kandidate në zgjedhjet parlamentare apo lokale, të dënohen me një gjobë që shkon deri në 2500 euro, shifër që nuk i rëndon dy partitë e mëdha, PD-PS, që dominojnë skenën e politikës në Shqipëri.
Deutsche Welle