Durrës, 15 prill 2011, NOA- Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, gjatë ditës së sotme është ndalur në Shkozet ku ka vizituar një aktivitet tregtar në fushën e rrobaqepsisë, ku shumica e të punësuarve janë gra.
Në këtë takim ai e ka vënë theksin tek arritja e barazisë gjinore, duke shtuar se ky premtim për qytetin e Durrësit do të bëhet realitet, pasi shtoi ai për këtë qëllim është edhe zyra për barazinë gjinore në bashkinë e qytetit.
“Puna e Bashkisë në drejtim të barazisë gjinore është mjaft serioze. Ne nuk jemi mjaftuar vetëm me hapjen e kësaj zyre, por kemi por kemi zhvilluar edhe punë konkrete në drejtim të ndihmës sociale që u kemi afruar shumë grave në nevojë. Rreth 500 gra kanë marrë shërbim mjekësor falas, falë kontributit të Bashkisë. Kjo është një provë serioze e angazhimit tonë që puna e Bashkisë të ketë edhe dimensionin social, dimension i cili ka të bëjë me dinjitetin njerëzor dhe ndërtimin e një shoqërie sa më të drejtë”, deklaroi Dako.
Ai e ka cilësuar kandidatin e maxhorancës për këtë bashki, Ferdinand Xhaferrin si një dëshmi të qartë kundër kësaj barazie.
“Bashkia e Durrësit ka taksat më të ulëta për qytetarët e saj, vetëm 1400 lekë në vit për gjelbërimin, ndriçimin, pastrimin e qytetit etj. Ndërsa qeveria e z. Xhaferraj vetëm për taksën e televizionit publik, që vetëm publik nuk është por është i qeverisë, u merr qytetarëve 1440 lekë në vit. Të deklarosh se do ulësh taksat me 50% siç bën Xhaferraj, dëshmon jo vetëm që mashtron, por edhe një pozicion mjerues për një ish-ministër që s’ka dijeninë më minimale për ligjin dhe sistemin e taksave në Shqipëri”, theksoi kryebashkiaku i Durrësit Dako.
a.y/NOA