Pescara, ITALI 15 prill 2011, NOA - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ndodhet sot në Itali ku do të marrë pjesë në forumin “Demokracia me ngjyra”, që zhvillohet në Pescara, raporton korrespondentja e agjencisë NOA.
Kreu i selisë rozë ka mbërritur paraditen e sotme së bashku me gruan e tij Linda, dhe pritet të flasë në forumin për zhvillimin urban të qyteteve.
“Pescara është një qytet i bukur mesdhetar. Është hera e parë që vij këtu dhe më duket se ka energjinë e duhur për të qenë në avangardë dhe modern”, ka thënë Rama për mediat e pranishme gjatë vizitës në qytet.
Rama është ndalur me bashkëshorten e tij në dy kryeveprat arkitekturore “Ura e Detit” dhe “Pallati Arlecchino”.
“Ura e Detit”, ka thënë Rama, “përfaqëson një element më impakt të fortë vizual, por mbi të gjitha social. Është si një adresë për të ardhmen”.
Rama është ftuar në këtë aktivitet nga ish-kreu i Bashkisë, Luciano D'Alfonso. Në prononcimin e dhënë për mediat, D’Alfonso ka folur me superlativa për kontributin e Ramës në ndërtimin e kryeqytetit shqiptar.
“Edi Rama ka rikualifikuar sensin e së bukurës. Ka rikualifikuar hapësirat urbane duke përdorur ngjyrat. Me anë të ngjyrave, Rama u ktheu njerëzve motivimin dhe ndjenjën që i përkasin të njëjtit territori”, ka theksuar ish-kryebashkiaku, D’Alfonso.
Gjatë vizitës në Pescara Rama është shoqëruar dhe nga dy këshilltarët komunalë të Partisë Demokratike italiane, Enzo Del Veçhio e Gialuca Fusilli.
a.k./NOA