English

Haxhinasto lobon në Berlin për integrimin e Shqipërisë

Berlin, 15 prill 2011, NOA- Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto në vijim të qëndrimit të tij në Berlin mori pjesë në takimin e këshillit NATO-Rusi dhe NATO-Ukrainë.

Burime zyrtare nga ministria e Jashtme bëjnë me dije se në sesionin NATO-Rusi, Haxhinasto theksoi nevojën e bashkëpunimit të NATO-s me Rusinë në të gjitha çështjet me interes të ndërsjellë dhe përshëndeti progresin e arritur deri më tani, bazuar në vendimet e marra në Samitin e Lisbonës.

Më tej ai theksoi rëndësinë e Këshillit NATO-Rusi, duke veçuar bashkëpunimin për mbrojtjen raketore, zhvillimet në Libi, luftën kundër terrorizmit dhe përshtatjes së një Plani Veprimi në këtë drejtim.

Ndërsa në takimin e Komisionit NATO-Ukrainë, zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto theksoi rëndësinë që Shqipëria i kushton procesit të reformimit të politikave të partneriteteve të Aleancës. Ai vlerësoi kontributin dhe mbështetjen e rëndësishme që Ukraina u ka dhënë operacioneve të drejtuara nga Aleanca.

“Shqipëria, përshëndet marrjen e kryesisë së radhës së OSBE-së nga ana e Ukrainës në vitin 2013 dhe vlerëson angazhimin e Kievit për t’u konsultuar me Aleancën, lidhur me prioritetet gjatë kryesimit të saj”, deklaroi kreu i diplomacisë shqiptare.

Gjatë punimeve të Ministerialit të NATO-s në Berlin, Haxhinasto zhvilloi disa takime me homologët e vendeve të NATO-s, si dhe vendeve partnere që janë të angazhuara me Libi, Afganistanin, etj.

Rritja e bashkëpunimit midis vendeve dhe integrimi i Shqipërisë në BE, ishte në qendër të takimeve të kryediplomatit shqiptar.

a.y/NOA

KOMENTE
  • Erma Xhillari21:54 - 15 Prill 2011
    Duke pare interesin e z.Haxhinasto perkundrejt dy takimeve NATO- Ukrahine dhe NATO-Rusi duhet te shpresojme per nje partneritet te mundshem ne politikat reformuese te Aleances. Ky mund te jete nje proces i mundshem.