Budapest, 15 prill, NOA - Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, mori pjesë në konferencën EPAC/EACN mbi “Standardet evropiane për anëtarët EPAC / EANC“, (Rrjeti i Pikave të Kontaktit të BE kundër Korrupsionit), që u zhvillua në Budapest në datat 13- 14 prill 2011.
Kjo konferencë që organizohet nga Hungaria, që ka presidencën e Këshillit të BE, pati si objektiv diskutimin, përkufizimin dhe deklarimin e standardeve evropiane kundër korrupsionit, duke prodhuar në këtë mënyrë një platformë të përbashkët në përgatitjen e parimeve të shkruara.
Adoptimi i standardeve evropiane kundër korrupsionit si pavarësia, autonomia financiare dhe operacionale, integriteti, transparenca, përgjegjësia, legjitimiteti, paanshmëria etj., tërheqin vëmendjen mbi rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe për rreziqet që sfidojnë punën e institucioneve kundër korrupsionit.
Punimet e kësaj konference vijojnë progresin e arritur deri më tani nga grupet e punës së EPAC/EANC, dhe rezoluta e miratuar në të do t’i paraqitet për miratim Asamblesë së Përgjithshme në Nëntor 2011.
a.k/NOA