Durrës, 15 prill, NOA - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim,Ilir Meta i shoqëruar nga deputetët e qarkut të Durrësit, Lefter Koka dhe Osman Metalla, ka prezantuar kandidatët e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në komunat Rrashbull Hysen Gashi dhe Ardian Kokomani për komunën Gjepalaj.
Kreu i LSI-së u shpreh se “Aleancës për Qytetarin”, po zhvillon një fushatë “të papërmbajtur dhe fitorja do jetë shumë e thellë jo vetëm në Gjepalaj e në Durrës, por dhe në Tiranë, dhe në Elbasan dhe në shumë qytete të tjera kryesore të vendit sepse qytetarët kërkojnë zgjidhje, qytetarët kërkojnë që të jenë ata të parët dhe jo që komunat dhe bashkitë të merren peng nga politika për luftë politike".
Gjatë fjalës së tij, Meta u shpreh se kandidatët e Aleancës për Qytetarin do të sjellin investime dhe rritje ekonomike të njësive vendore.
“Kandidati ynë në komunën Gjepalaj, Ardian Kokomani duke pasur gjithmonë ndihmën dhe përkrahjen tuaj do të punojë për zhvillimin e këtij komuniteti për të përmirësuar infrastrukturën, shërbimet dhe mirëqenien tuaj dhe do të ketë mbështetjen tonë të jashtëzakonshme të gjithë koalicionit të qeverisë në mënyrë që ato të përshpejtohen dhe të preken çdo ditë nga ju”, tha Meta.
a.k/NOA