Vau i Dejës, 15 prill, NOA - Është zhvilluar sot në ambientet e batalioni të këmbësorisë malore në Vaun e Dejës, ceremonia e nisjes për mision në Kabul, Afganistan kontingjenti i 18-të paqeruajtës. Në kuadër të mbrojtjes kolektive për sigurinë, paqen në rajon dhe më gjerë si anëtar të NATO-s, kontingjenti i 18-të paqeruajtës do të përfaqësojë vendin tonë denjësisht në këtë mision mjaft të rëndësishëm. Në funksion të detyrës së misionit, që do të kryej kontingjentit i 18-të paqeruajtës në Kabul të Afganistanit, kontingjenti ka filluar përgatitja e efektivit prej 22-ushtarakësh me komandant misioni N/toger Arjan Mucalla, për të përfaqësuar Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë në këtë detyrë nga komanda e repartit të batalioni të këmbësorisë malore në Vaun e Dejës. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ishin të pranishëm, gjeneral brigade Viktor Bërdo, komandanti i batalionit të këmbësorisë malore, n/kolonel Ali Mali, Prefekti i Qarkut Shkodër z. Maxhid Cungu e autoritete të pushtetit lokal, si dhe komandantë të tjerë të njësive të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Të pranishëm ishin gjithashtu edhe Atasheu ushtarak i Republikës së Turqisë, kolonel Zafer Ugur si dhe familjarë e të afërm të paqeruajtëseve. Në fjalën e tij përshëndetëse, komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Viktor Bërdo, u shpreh se: “Forcat tona të armatosura kanë luajtur një rol esencial në misionet jashtë vendit, duke qenë pasqyrim i shpirtit liridashës dhe human të shqiptarëve. Të gjithë ne jemi të ndërgjegjshëm sesa sakrificë është për këta trupa të dislokohen për të shërbyer mijëra kilometra larg atdheut, duke marrë mbi vete edhe risk. Por shqiptarët kanë qdnë gjithnjë një popull i gatshëm për të luftuar për paqe, për një kauzë të drejtë, dhe unë këtë gjë e shoh edhe në sytë tuaj sot. Shoh besimin në atë që keni marrë përsipër të bëni, shoh forcën e tuaj gati për të mbrojtur dhe kontribuar për diccka më të mirë, shoh përgjegjësinë me të cilën do të mbani flamurin kombëtar që do të merrni me vete.”, nënvizoi gjeneral Bërdo.
Ndërkohë që komandanti i batalionit të këmbësorisë malore, n/kolonel Ali Mali theksoi: “Kontigjenti i 18 -të paqeruajtës në Kabul, Afganistan që ne sot po përcjellim është stërvitur për 3-muaj në bazë të një programi të mirëfilltë me një ngarkesë intensive për të përballuar me sukses detyrat e vështira të këtij misioni. Duke qenë një vend anëtare e NATO-s përgatitja e këtij kontigjenti dhe e të gjitha strukturave tona ka synuar te jete konform kërkesave dhe standardeve që i përshtaten nivelit të vendeve anëtare të NATO-s. Misioni që ju sot po merrni, është pjesë e këtij objektivi dhe e atij synimi madhor që shpresojmë ta realizojmë ne si një vend dinjitoz i NATO-s. Kemi bindjen e plotë , se realizimi me sukses i këtij misioni do të jetë një kontribut me tepër për përforcimin e bindjes së FA-së të Shqipërisë kanë kapacitetet e nevojshme operacionale për të qenë pjesë e familjes së madhe Euro-Atlantike”. Gjithashtu n/kolonel Mali ju drejtua familjarëve të paqeruajtësve të cilëve u premtoi se gjatë gjithë kohës do të mbaj lidhje të vazhdueshme me ta, për të informuar për gjëndjen e tyre shëndetësore, kryerjen e misionit si dhe do te qëndroj pranë tyre për t’i ndihmuar në zgjidhjen e problemeve që mund të kenë”.
Kontigjenti i 18-të paqeruajtës u përshëndet edhe nga Atasheu Turk në Shqipëri, kolonel Zafer Ugur, ku theksoi: “Forcat tona Ushtarake prej vitesh kanë bashkëpunuar mjaft ngushtë dhe ky bashkëpunim u vu re edhe gjatë përmbytjeve që ndodhën në qytetin e Shkodrës gjatë vitit të kaluar. Dy forcat tona ushtarake si një trup i vetëm operuan së bashku duke kryer me sukses detyrën e tyre ushtarake”.
Kontingjenti përbëhet prej 22 efektivë paqeruajtës: ushtarë profesionistë, nënoficerë dhe oficerë. Ky kontingjent, me marrjen e detyrës për të përfaqësuar, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë në këtë mision, i është nënshtruar një programi trajnimi dhe kualifikimi special. Në fund të ceremonisë, duke i uruar rrugë të mbarë dhe suksese në misionin e tyre fisnik, gjeneral Bërdo bëri dhe dorëzimin e Flamurit Kombëtarë, komandantit të këtij misioni, N/toger Arjan Muçalla.
a.k.NOA