Nga Sali Berisha*
Kam ardhur sot tek ju, për t’ju shprehur ju mirënjohjen dhe nderimin tim më të thellë për mbështetjen e çmuar të qytetarëve të këtij qyteti, të banorëve të këtij rrethi. Sikundër kam nder të madh të paraqes sot para jush, për qytetarë të parë të qytetit tuaj, zotin Durim Hushi, inxhinierin e talentuar, administratorin e shkëlqyer, politikanin lokal dhe qendror të sprovuar, birin tuaj të shquar me të cilin sëbashku me ju do të zhvillojnë Elbasanin, qytetin modern dhe të zhvilluar, Shqipërinë, vendin modern dhe të zhvilluar në vitin 2017.
Vij te ju për t’ju dhënë fjalën në këtë shesh, se qeveria do të financojë çdo projekt, që ju sëbashku me Durim Hushin do të hartoni gjatë mandatit që vjen. Elbasani, do të ketë unazën dhe by pass-in e tij , do të ketë impiantin e përpunimit të mbetjeve, do të ketë kampusin e tij universitarë ndër më të bukurit në Shqipëri. Do të ketë parkun e tij të ri më të bukurin. Gjatë javëve që vijnë sëbashku me qytetarin tuaj të parë, do të presim shiritin e autostradës Tiranë-Elbasan, autostradë kjo me një investim prej 460 milion dollarësh. Autostradë me katër korsi, me një tunel 2.4 kilometra, me 7 mbikalime, 4 nënkalime, shumë ura, por me një shpejtësi qarkullimi 120 kilometër në orë dhe një gjatësi gjithsej 31.7 kilometrash. Autostrada kushton 4 herë më shumë sesa projekti i rrugës tjetër, por ju e meritoni edhe sikur të kushtonte 40 herë me shumë, ne ëndrrën tuaj do ta bënim realitet.
Unë kam bindjen se me Durim Hushin kryetarin e ardhshëm të bashkisë suaj dhe Lulzim Bashën, mikun tuaj kryetarin e ardhshëm të bashkisë Tiranë, në pranverë të vitit 2013 do të bashkojmë Tiranën me Elbasanin.
Në qarkun e Elbasanit gjatë këtyre katër viteve, ne kemi ndërtuar 400 kilometra rrugë nga të cilat 203 kilometra i përkasin rrethit të Elbasanit. Jam sot këtu për tu zotuar para jush banorëve të këtij qyteti , banorëve të Librazhdit, Peqinit dhe të Gramshit , se në katër vitet që vijnë do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë dhe rrugicë të këtij qyteti dhe të këtij qarku. Çdo ditë kreu i Partisë Socialiste, i cili ka varë në qafë një zinxhir të pafund sharjesh dhe shpifjesh, mendoi se do të më fyente, duke më quajtur Drejtor Komunaleje. Jo zotëri je gabim. Unë për qytetarin jam punëtor komunaleje. Këtu gabove ti me atë që the. Ndihem i privilegjuar e i bekuar nga Zoti t’ju shërbej nga mëngjesi deri në darkë, çdo qytetari të këtij vendi, të bëj gjithçka për ata aty ku ndodhen. Të kenë rrugë moderne, të kenë shkolla moderne, të kenë kopshte moderne. Evropa nuk vjen në Shqipëri, ne duhet të ndërtojmë Evropën këtu të gjithë sëbashku.
Meqenëse rrugët ty të duken të parëndësishme , thuaju pak qytetarëve të Elbasanit me çfarë mendjelehtësie krijove në Parlament lobin anti-tunel dhe anti - autostradë. Si ta bëri zemra dhe si ta tha shpirti ti kundërvihesh me të gjithë forcën në Parlament votimit të buxhetit për tunelin e Elbasanit. Ju bëj thirrje zgjedhësve të këtij qyteti dhe të këtij qarku, po ashtu dhe zgjedhësve të Korçës, të Beratit, të këtyre rretheve, kërkojuni llogari deputetëve tuaj, pse ata votuan kundër tunelit, pse votuan kundër autostradës .
Zonja dhe zotërinj
Rruga kudo që ndërtohet është para së gjithash element jetik për qytetarët. Pas bukës, ujit dhe shkollave, rrugët janë më themelore në jetën e njeriut. Rrugët janë biznes, rrugët janë punësim, rrugët janë vlerë. Shko zoti Rama pak dhe pyeti fshatarët e Orenjës pse u kalbën gështenjat, sepse nuk kanë rrugën, shko pyeti pak fshatarët e Shën Gjergjit, pse ngrihen në 4 të mëngjesit për të sjellë prodhimet e tyre në Tiranë, sepse nuk kanë rrugën, rruga është jetike për çdo qytetar. Ndaj dhe unë jam këtu për tu zotuar para jush se do të ndërtojmë në këtë rreth, në këtë qark, në mbarë Shqipërinë , çdo kilometër rrugë për të lehtësuar jetën e qytetarëve shqiptarë.
Në qarkun e Elbasanit, ne kemi ndërtuar 72 shkolla, Elbasanit i kemi detyrimin madhor dhe do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë në të katër anët e këtij qarku. Elbasani është qytet i universitetit të parë të Shqiptarëve, qytet i edukimeve dhe arsimimit të tyre, Elbasani do të ketë njërin nga universitetet më të zhvilluara të Shqipërisë .
Qeveria shqiptare ka subvencionuar në këtë qark 4 mijë hektarë ullishte, vreshta , sera, dru të tjerë frutore, ndaj i garantoj fermerët e Elbasanit se në katër vitet që vijnë, 16 mijë hektarë do të subvencionojmë dhe ju do të jeni ndër prodhuesit më të fuqishëm të prodhimeve bujqësore dhe të përpunimit të tyre në Shqipëri.
Në Elbasan në vitin 2005 numëroheshin gjithsej 3500 biznese, 8 mijë biznese janë sot në këtë qytet. Me politikën fiskale të Durim Hushit ju garantoj se këto 4 vite Elbasani do të numëroje së paku 12 mijë biznese duke krijuar kështu mijëra vende të reja pune .
Elbasani turistik është një nga qëllimet tona, ndaj dhe ne po ecim me infrastrukturë në të gjitha drejtimet, drejt Gjinarit, drejt Gramshit, etj, sepse Elbasani si qark ka bukuri mahnitëse në të gjithë territorin e tij.
Zonja dhe zotërinj,
Sëbashku kemi bërë një rrugë jo të lehtë një rrugë me mundime, një rrugë me lodhje, një rrugë me sakrifica dhe me dhimbje. Në ballin tonë ka djersë, ka rrudha të diktuara nga koha, por sëbashku kemi realizuar ëndrrat tonë ndër më të mëdhatë e të gjitha gjeneratave. Sëbashku ketë qytet, mijëra e mijëra vjeçarë, e bëmë të jetë qytet anëtar i një vendi të NATO-s , sëbashku ky qytet dhe këta qytetarë të Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë ia dolën të lëvizin të lirë në mbarë Evropën. Sëbashku në këtë qytet dhe këtë vend që rropatej në mjerimin më të thellë, bëmë që këto vite të ketë ekonominë më solide, më entuziaste, ekonominë me rritjen më të madhe në Evropë, sëbashku ne ia dolëm të dyfishojmë pensionet e ulta në këtë vend, ia dolëm të mbi dyfishojmë rrogat e mësuesve të mjekëve dhe infermierëve, ia dolën të mos ketë më pension nën 100 dollarë në mbarë qytetet e vendit. Ia dolën pra të rikthejmë shpresën, besimin tek e ardhmja, tek çdo qytetar i Elbasanit, tek çdo qytetar shqiptarë.
Kjo është rruga jonë, rrugë jo pa mundime, rrugë jo pa mungesa, rrugë jo pa gabime, por rrugë me suksese dhe ëndrra historike të realizuara, rrugë e sigurisë e shpresës dhe e besimit . Ata të cilët ftojnë ju për rrugën e vetmisë, le ti lëmë të ecin në rrugën e partisë së tyre. Ne do të ecim secili në rrugën tonë të diktuar dhe frymëzuar nga liria, nga respekti dhe dashuria për njeri- tjetrin ,respekti dashuria për Elbasanin, respekti e dashuria për Shqipërinë.
Ju bëj thirrje dhe njëherë, të shndërrojmë këtë fushatë në fushatën e vlerave dhe moralit qytetarë të Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë, në fushatën e dialogut diskutimit mirëkuptimit më të gjerë të mundshëm. Ne në këtë fushatë duhet ti faktojmë njëri-tjetrit, duhet ti faktojmë mbarë Evropës se jemi qytetarë Evropiane se për ne vota është thelbi i lirive tona dhe jemi të vendosur të respektojmë çdo votë.
Ne do të fitojmë!
Dhe tani do të me lejoni të ftoj në këtë tribunë, qytetarin tuaj, birin tuaj të shquar, politikanin që në momente të caktuara të një rëndësie jetike për vendin, ju faktoi juve dhe mbarë shqiptarëve, se ai përpara se të ishte socialist, përpara se të ishte demokrat, ishte elbasanas, ishte qytetar, ishte shqiptar dhe ky është Durim Hushi, për të cilin unë ju ftoj ju, ftoj qytetarët e Elbasanit ta votoni me 8 Maj dhe i garantoj se do të ketë mbështetjen time të plotë totale të qeverisë për të shndërruar projektin e tij në projektin më të mirë që Elbasani ka njohur në tërë historinë e tij.
Fjala e kryeminisrit Sali Berisha në takimin elektoral në Elbasan*