Berat, 15 prill, NOA - Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, njëkohësisht deputeti i Qarkut të Beratit, Genc Pollo, së bashku me Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Nasip Naço dhe deputetët Mehmet Xheka dhe Lefter Maliqi, kanë hapur zyrtarisht fushatën elektorale në komunën e Lumasit të rrethit të Beratit, duke prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” në këtë komunë, Zarif Salaj.
Gjatë prezantimit ministri Pollo tha se kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, përfaqëson të gjitha forcat politike, pasi është njeriu që mendon për gjithë banorët dhe përmirësimin e jetës së tyre.
“Sot ne vijmë përpara jush me një format edhe më të gjerë se më parë, vijmë me z. Zarif Salaj, që është edhe kandidati i të djathtëve, edhe kandidati i të majtëve, edhe i Partisë Demokratike, edhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim, është kandidati i koalicionit që në këto vite ka realizuar arritje të jashtëzakonshme. Por unë do të përmendja vetëm njërën prej tyre, siç është liberalizimi i vizave. Është bërë realitet dhe është gjëja më e prekshme për të gjithë ju që keni të afërmit në Greqi ose në Itali. Dhe kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen me premtimet e tjera”, tha Pollo”
Pollo u shpreh se angazhimi i mahzorancës komunën e Lumasit ka qenë lidhja e saj me një infrastrukturë të mirë, të bukur dhe të standardeve bashkëkohore, siç është bërë dhe Lapardhaja.
“Kjo është diçka që kërkon punë e kërkon kohë, por mos kujtoni se kemi harruar, sepse ne zotohemi që kjo zonë e populluar dhe kjo zonë e begatë, të cilën nuk e ka bekuar vetëm natyra, por dhe dora punëtore e njerëzve të kësaj treve, të lidhet me rrugën kryesore”, tha Pollo.
Ai u shpreh se për të gjitha këto duhet një bashkëpunim me pushtetin vendor, duhet një bashkëpunim i mirë dhe partneritet i hapur me komunën e Lumasit.
Në fund të fjalës së tij, z. Pollo theksoi edhe një herë angazhimin e tij si ministër, por edhe si deputet i qarkut të Beratit, së bashku me ministrin Naço e deputetët Xheka e Maliqi, që të gjithë së bashku në datën 8 Maj tu drejtohemi kutive të votimit dhe t’ia japim votën kandidatit të koalicionit Zarif Salaj.
a.k.NOA