English

Pollo: Investime konkret në komunat e Beratit

Berat, 15 prill, NOA - Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, njëkohësisht deputeti i Qarkut të Beratit, Genc Pollo dhe Prefekti i Qarkut të Beratit, Bujar Hoxhaj, kanë hapur zyrtarisht fushatën elektorale në komunën e Roshnikut të rrethit të Beratit, duke prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” në këtë komunë, Asllan Bejasi.

Gjatë fjalës së tij, Pollo tha se kandidati i mazhorancës është kandidatura më e mirë, duke qenë se ata që e kanë drejtuar këtë komunë nuk kanë dhënë asnëj gjë konkrete për banorët e zonës.

“Unë kam besim se në të gjithë komunën tuaj, vota do të jetë për kandidatin e koalicionit, z. Asllan Bejasi, për dy arsye: së pari, sepse besoj që është një kandidat i mirë, jo thjesht për koalicionin, por është një kandidat i mirë për ju, për secilin prej jush dhe për të gjithë banorët e komunës, sepse ka treguar me punën e tij të deritashme dëshirën, prirjen, durimin, këmbënguljen për të bashkëpunuar, për të ndihmuar dhe për të shërbyer në këtë komunë. Ndërsa, arsyeja tjetër, që nuk duhet harruar, është se nga ata që drejtojnë aktualisht këtë komunë nuk është parë ndonjë gjë konkrete. Ju për këtë jeni edhe vetë dëshmitarë, por unë e gjykoj edhe nga projektet, që kanë sjellë si komunë apo si kryetar komune, të cilat janë të tilla që të mos të bëhet asnjë punë”, tha Pollo.

Minisri Pollo ka theksuar se do të investohet në projekte të mëdha, siç është rruga që lidh komunën me Beratin.

“Prandaj do të ishte shumë mirë, si për çështjet e infrastrukturës rrugore, që kryesisht financohen nga qeveria se janë të kushtueshme, por edhe për vepra e projekte të tjera, një prej të cilëve është ujësjellësi në Vojnik, i cili është një fshat që nuk furnizohet rregullisht me ujë dhe këtu është dora e kryetarit të komunës dhe e administratës së komunës, që të hartojë, së pari, projektin dhe me këtë projekt të shkojë o në qark o drejt e në Tiranë”, tha Pollo.

Në fund të fjalës së tij, ministri Pollo tha se për realizimin e të gjithë këtyre projekteve kemi nevojë për votën e banorëve, në mënyrë që të jepet mundësia e realizimit të këtyre angazhimeve.

a.k/NOA

KOMENTE