English

Presidenca e BE: Të nisin negociatat me Shqipërinë

Bruksel, 15 prill, NOA - Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, ka mbështetur integrimin e Shqipërisë në BE dhe propozon nisjen e negociatave sa më shpejt. “Presidenca hungareze e BE nxit fillimin sa më shpejt të negociatave me Shqipërinë. Një nga prioritetet tona, zgjerimi i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë kryeministri hungarez gjatë forumit “Ballkani Perëndimor, drejt një Evrope më të integruar".

Në këtë takim ishin të pranishëm Presidenti i Parlamentit Europian Buzek dhe kryetarit të Parlamentit Hungarez Lazlo Kover, vendi i të cilit ka kryesinë e radhës së BE, në Bruksel më 13-14 prill.

Në fjalën e tij Kryeministri Hungarez Orban theksoi se zgjerimi i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor është një nga prioritetet e presidencës hungareze të BE dhe, duke njohur përpjekjet e Shqipërisë, kjo Presidencë nxit që të fillojnë negociatat shpejt me këtë vend.

Presidenti i Komisionit Europian Manuel Barroso u shpreh se, Evropa i sheh vendet e Ballkanit Perëndimor, si anëtarë të familjes evropiane të kombeve.

Në takim foli dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cila vlerësoi kontributin e BE për rajonin. “Unë vlerësoj jashtëzakonisht këtë takim të përbashkët Parlamentar, ndërmjet Parlamentit Europian dhe parlamenteve kombëtare të Ballkanit Perëndimor me tematikë “Ballkani Perëndimor drejt një Evrope më të integruar. Dëshiroj të falënderoj Parlamentin Evropian, të gjitha grupet parlamentare dhe shumicën dërmuese të eurodeputetëve, që kanë votuar për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, vitin e kaluar. Ka qenë absolutisht një vlerësim i ndershëm për progresin që, Shqipëria ka bërë këto vitet e fundit”, tha Topali.

Ajo ka shprehur vlerësim edhe për përpjekjet e Parlamentin Europian për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e integrimit. Dhe në këtë kontekst, dua të falënderoj Presidentin Buzek për solidaritetin, kundrejt Ballkanit Perëndimor në tërësi dhe Shqipërisë, në veçanti.

“Shqipëria, sikurse e dini, është vend anëtar i NATO-s gjë, që do të thotë se, Shqipëria ka bërë progres të madh, ka ndërmarrë reformat të jashtëzakonshme dhe ka realizuar transformime spektakolare”, tha Topalli gjatë fjalës së saj.

Kryeparlamentrja ka folur dhe për problemet që hasin demokracitë e reja dhe ka theksuar se qëllimi i shqiptarëve është që të ecin vetëm përpara.

“Po kemi patur probleme artificiale të krijuara nga dikush. Këto janë sfida të demokracisë. Historia jonë nuk ka qenë një histori fatlume, gjatë të cilës, ne kemi pësuar shumë. Por, ne jemi të vendosur të shkojmë përpara. Ne kemi nevojë për solidaritet, ne kemi nevojë që të tjerët të tregohen të ndershëm me shqiptarët. Shqiptarët kanë sfidat e tyre, por janë të vendosur dhe të angazhuar në rrugën e integrimit”, tha Topalli.

a.k/NOA

KOMENTE