English

“Tirana, sa e varfër në parqe e gjelbërim, sa e pasur në ndotje dhe beton”

Tiranë, 15 prill 2011, NOA - Sot Tirana ka shumë pak vende apo parqe ku mund të luajnë fëmijët, ku familjet të mund të kalojnë kohën së bashku dhe ku njerëzit të luajnë apo të ushtrojnë sporte të ndryshme.

Partia Demokratike duke vënë në dukje sot këtë fakt tha se kemi mungesë totale të zonave të gjelbra brenda zonave te banimit dhe përpjesëtimi mes betonit dhe hapësirës së gjelbër është në nivele alarmante, 180 metër katrorë beton për 2.7 metër katrorë hapësirë të gjelbër, për çdo banor të Tiranës.

Sipas PD, edhe ato pak hapësira të gjelbra që kanë mbetur, janë në një gjendje të mjeruar.

“Pa parqe Tirana nuk do të jetë kurrë një qytet modern europian. Popullsia është rritur ndjeshëm, edhe taksa e gjelbërimit që paguajnë qytetarët është rritur nga 250% ne 300% dy vitet e fundit, por numri i parqeve në Tiranë ka rënë në mënyrë drastike”, - vëren partia kryesore e mazhorancës.

Kurse thekson se sot, sipërfaqja e gjelbër, zë vetëm 2.8 m² për banorë, ndërkohë që Rregullorja e Urbanistikes përcakton se norma minimale e gjelbërimit duhet të jetë 7 m²/banor.

PD thotë se mungesa e hapësirave të gjelbra po shkakton vërtetë një efekt negativ tek çdo burrë, grua dhe fëmijë në qytetin tonë.

Kurse vlerëson se fëmijët e Tiranës meritojnë një fëmijëri, jo një kryebashkiak që ka betonizuar thuajse të gjitha hapësirat publike të qytetit.

PD vë në dukje faktin se Tirana është sot qyteti i dytë më i betonizuar në mbarë Evropë sipas Agjencisë Evropiane për Mjedisin.

Dhe komenton: “Sikur të mos mjaftonte kjo, një raport i kohëve të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se çdo qytetar i Tiranës humb 1 deri në 2 vjet jetë nga niveli i lartë i ndotjes së ajrit që vjen vetëm si pasojë e punimeve në qendër të qytetit”.

Sipas PD, kjo ndodh kur të drejton një kryebashkiak që nuk tregon kujdes për të përditshmen tonë, por që interesohet vetëm për politikën kombëtare.

Në fund të deklaratës për media, PD vlerëson: “Ka ardhur koha të zgjedhim një kryebashkiak ndryshe, një kryebashkiak për Tiranën”.

e.t/NOA

KOMENTE