English

Topi: I jemi mirënjohës Turqisë që e ka njohur dhe mbështetur Kosovën

Stamboll, 15 prill, NOA - Në përfundim të ditës së dytë të Samitit të 14-të Ekonomik Euro-Aziatik që po zhvillohet në Stamboll, Presidenti i Republikës, Bamir Topi dha një intervistë për Radio-Televizionin Turk (TRT), në të cilën theksoi rëndësinë e rritjes dhe thellimit të bashkëpunimit ekonomik.

Zoti President, mirë se erdhët në Turqi! A mund të na thoni përshtypjet tuaja lidhur me Samitin e 14-të Euro-Aziatik të organizuar këto ditë në Stamboll? Tashmë ky Samit është shndërruar në një traditë, por çdo vit bëhet edhe më i rëndësishëm, sepse interesat janë bërë më globale, por edhe Turqia po bëhet një vend ekonomikisht edhe më i fortë. Stambolli ka një simbolikë shumë të veçantë qoftë përsa i përket historisë së tij, por edhe marrëdhënieve që ka krijuar mes Evropës dhe Azisë, ku sot Turqia, sidomos Stambolli është udhëkryqi i projekteve shumë të rëndësishme, kryesisht atyre që kanë të bëjnë me energjinë, për të cilën të gjitha vendet kanë shumë nevojë sot. Kanë shumë nevojë qoftë për zhvillimin e industrisë së vendeve të tyre, por qoftë edhe për konsum familjar. Samitin e 14-të Ekonomik e vlerësova edhe për një aspekt tjetër, sepse qoftë Presidentët aktualë, qoftë ish-presidentët u shprehën për nevojën e bashkëpunimit midis këtyre vendeve. Asgjë në këtë botë nuk realizohet duke qenë i vetëm! Unë kam rastin të specifikoj marrëdhëniet me Turqinë, një vend mik, vëlla, që i është gjendur Shqipërisë në momente shumë të vështira, por edhe në ditë të mira. Kështu që ndihem shumë mirë që jam në Stamboll sot dhe ky Samit i ka dhënë një kuptim të veçantë kësaj vizite.

Zoti President, dëshiroj të di përshtypjet tuaja lidhur me Kosovën dhe zhvillimet më të fundit atje, në politikën e brendshme! Gjithashtu dëshiroj t’ju pyes edhe lidhur me bashkëpunimin mes Shqipërisë e Turqisë përsa i përket çështjes së Kosovës, për ngjarjet e reja dhe çështje si këto! Qysh në fillim, mund të them që i jemi mirënjohës Turqisë që e ka njohur Kosovën dhe e ka mbështetur në rrugën e saj. Kosova është një shtet i ri, i cili është mëvetësuar në shkurt të vitit 2008. Ka një numër të konsiderueshëm njohjesh nga vende të rëndësishme dhe sigurisht që ne presim që të njihet edhe nga më shumë vende. Natyrisht duke qenë një shtet i ri, Kosova ka edhe problemet e veta, kryesisht ekonomike. Ka pasur edhe disa ndryshime të shpeshta për shkak të disa problemeve kushtetuese. Sidoqoftë institucionet e shtetit të ri të Kosovës janë funksionale dhe unë besoj që ato forcohen çdo ditë e më tepër. E rëndësishme është që Kosova është projektuar si një shtet i ri, modern, me parime të forta të demokracisë, një shtet multi-etnik dhe me një vizion të qartë euro-atlantik. Jam i bindur që të gjithë së bashku në rajon, qoftë Shqipëria, qoftë Turqia do ta mbështesin Kosovën në këto sfida të rëndësishme

Zoti President, ju faleminderit! Ju faleminderit dhe në fund të kësaj interviste, dëshiroj të jap përshëndetjet më të mira për popullin turk, por edhe të vlerësoj lart ndihmën dhe rolin e Presidentit Gyl në forcimin e kësaj miqësie! I përshëndes të gjithë nëpërmjet ekranit tuaj!

NOA

KOMENTE
  • Petrit Omeri14:55 - 15 Prill 2011
    Mirnjohje buri i Kombit shqipetar. Z.BAMIR TOPI ,por populli KOMBIT SHQIPETAR pret me shum nga ju dhe politika.