English

Vodhën transformatorin dhe lanë fshatin pa ujë, arrestohen dy autorët

Përmet, 15 prill, NOA - Policia e Përmetit ka arrestuar në flagrancë dy persona për vjedhje të transformatorit elektrik të fshatit të tyre, ndërsa ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale bobinat, mjetet prerëse si dhe automjetin që ata kanë përdor për transportuar materialet e vjedhura.

Ngjarja konfirmohet burimeve policore të qytetit jugor për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave, fillimisht, ato kanë mësuar rreth vjedhjes në fjalë pas një telefonate anonime se në fshatin Bedyqas ishte vjedhur transformatori që furnizon me energji elektrike stacionin e pompave të ujit të pijshëm të këtij fshati.

Menjëherë u organizua puna për zbulimin e autorëve të kësaj vjedhje dhe u bë e mundur që rreth orës 14.00 të ditës së djeshme, të evidentoheshin dy persona nga Tepelena si autorë të dyshuar të saj.

Konkretisht, emrat e tyre janë Albion Kalemi, 23 vjeç dhe Rimel Shehu, 24-vjeç; që të dy lindur dhe banues në fshatin AnëVjosë të Tepelenës.

Nga kontrolli u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale bobinat elektrike, teli i bakrit të bobinave, disa çelësa që këta dy persona kishin përdorur për të çmontuar transformatorin, si dhe automjeti tip Fiat Punto me targa ATB 1818 në pronësi të Albion Kalemit, të cilin e kishin përdorur për të transportuar materialet e vjedhura.

Nga ana e policisë u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i gjithë sendeve të gjetura, si dhe arrestimi i dy personave të lartpërmendur për veprën penale të “Vjedhjes , kryer në bashkëpunim”, vepër kjo e parashikuar nga nenet 134 dhe 26 të Kodit Penal.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Përmetit për veprime të mëtejshme.

n.e/NOA

KOMENTE