English

Zgjedhjet Vendore 8 maj 2011, RAPORTI i plotë i Misionit të OSBE/ODIHR-it për vlerësimin e nevojave

Varshavë, 15 prill 2011 NOA – Misioni i OSBE/ODIHR-it publikoi sot, raporton për vlerësimin e nevojave për Zgjedhjet Vendore 8 maj 2011.

Më poshtë publikojmë të plotë këtë raport:

I. HYRJE

Më 4 nëntor 2010, në zbatim të angazhimeve të OSBE-së, Misioni i Përhershëm i

Shqipërisë në OSBE ftoi Zyrën e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat

e Njeriut (OSBE/ODIHR) të vëzhgojë zgjedhjet vendore të 8 majit 2011.

OSBE/ODIHR ndërmori një Mision për Vlerësimin e Nevojave (MVN) në Shqipëri nga

data 17 deri në 21 janar 2011. Anëtarë të MVN-së ishin Nicola Schmidt, Këshilltare e

Lartë e OSBE/ODIHR-it për Zgjedhjet, Drew Hyslop, Këshilltar i OSBE/ODIHR-it për

Zgjedhjet dhe Richard Lappin, Këshilltar i OSBE/ODIHR-it për Zgjedhjet.

Qëllimi i Misionit ishte të vlerësonte mjedisin parazgjedhor dhe përgatitjet për

zgjedhjet vendore. Bazuar në këtë vlerësim, MVN-ja duhet të rekomandojë nëse

OSBE/ODIHR-i duhet të dërgojë një mision lidhur me zgjedhjet e ardhshme, dhe nëse

po, çfarë lloj veprimtarish i plotësojnë më së miri nevojat e identifikuara. Në Tiranë u

zhvilluan takime me zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së

Brendshme, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kolegjit Zgjedhor dhe Këshillit

Kombëtar të Radio-Televizionit, si dhe me përfaqësues të partive politike, mediave,

shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar. Lista e takimeve përfshihet si shtojcë e

këtij raporti.

OSBE/ODIHR-i dëshiron të falënderojë Ministrinë shqiptare të Punëve të Jashtme dhe

Prezencën e OSBE-së në Shqipëri për ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre në

organizimin e MVN-së. OSBE/ODIHR-i dëshiron të falënderojë gjithashtu të gjithë

bashkëbiseduesit e tij për kohën që u kushtuan takimeve me misionin dhe për

shkëmbimin e pikëpamjeve të tyre.

II. PËRMBLEDHJE EKZEKUTIVE

Më 8 maj do të mbahen zgjedhjet për kryetarë bashkish, kryetarë komunash dhe

këshillat vendore të 384 njësive të qeverisjes vendore (NjQV). Kryetarët e bashkive dhe

të komunave zgjidhen sipas parimit 'fiton kush renditet i pari', ndërsa këshilltarët

zgjidhen sipas sistemit proporcional.

Mjedisi politik vazhdon të jetë thellësisht i polarizuar, me një retorikë të ashpër dhe

sulme personale nga udhëheqësit e partive politike kryesore. Gjithashtu, më 21 janar

protestat anti-qeveritare të opozitës rezultuan të dhunshme, shumë të plagosur dhe tre të

vrarë. Një pjesë e mirë e retorikës vazhdon të përqendrohet në rezultatet e zgjedhjeve

parlamentare të vitit 2009 dhe në çështjen e korrupsionit. Janë bërë edhe deklarata, të

cilat aludojnë për mundësinë që jo të gjitha partitë do të marrin pjesë në zgjedhjet e

ardhshme. Republika e Shqipërisë Faqe: 2

Zgjedhjet Vendore, 8 maj 2011

Raport i Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vlerësimin e Nevojave

Për një kohë të gjatë OSBE/ODIHR-i ka deklaruar se Kodi Zgjedhor përbën një

themel të kompletuar teknik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike dhe se ajo që

nevojitet më së shumti është angazhimi i partive politike për të respektuar germën dhe

qëllimin e ligjit. Megjithatë, kohët e fundit ka nisur diskutimi për ndërmarrjen e

reformave të mëtejshme para zgjedhjeve vendore të vitit 2011.

Numërimi i votave bëhet në nivel rajonal në Vendet e Numërimit të Votave, me

mekanizma të ngritur me synim rritjen e transparencës dhe të saktësisë. Megjithatë,

Kryetari i KQZ-së deklaroi se do të ishte e pamundur që procesi kompleks i numërimit

të votave të përfundohej brenda afatit të shtrënguar të përcaktuar në Kodin Zgjedhor.

Me gjithë detyrimin e anëtarëve të KQZ-së për të përmbushur detyrat e tyre në mënyrë

të pavarur, përgatitjet për zgjedhjet vendore tashmë e kanë ndarë KQZ-në në linja

partiake. Anëtarët e opozitës në KQZ nuk kanë marrë pjesë në disa mbledhje të KQZ-së

ose i kanë braktisur ato, dhe praktika e nënshkrimit të udhëzimeve si nga Kryetari ashtu

dhe nga Nënkryetari duket se nuk ekziston më.

Procedurat e emërimit të anëtarëve të komisioneve zgjedhore të niveleve më të ulëta

nuk kanë ndryshuar që nga viti 2009, me gjithë rekomandimin e OSBE/ODIHR-it për

rishikimin e tyre. Kjo u jep partive mundësinë të tërheqin dhe të zëvendësojnë anëtarët

e tyre në komisionet zgjedhore në çdo moment gjatë zgjedhjeve, përfshirë ditën e

zgjedhjeve dhe pas saj. Disa prej partive me të cilat u takua MVN-ja e OSBE/ODIHR-it

e mbrojtën këtë praktikë, si dhe emërimin fillestar me vonesë të anëtarëve, si mënyrë

për të mbrojtur anëtarët e tyre ndaj trysnive për të kryer mashtrim. Asnjëra prej partive

që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë në Komisionet e Zonave të Administrimit

Zgjedhor (KZAZ), komisionet zgjedhore të nivelit të dytë, nuk i ka bërë këto

propozime brenda afatit të përcaktuar në ligj.

Që në vitin 2009, dhe në përputhje me Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, janë bërë

përpjekje të mëtejshme për të vazhduar përmirësimin e cilësisë së listave të zgjedhësve,

duke hequr, për shembull, emrat e dubluar. Për më tepër, Ministria e Brendshme (MeB)

u kërkon të gjitha NjQV-ve të rishikojnë saktësinë e të dhënave për të gjithë votuesit

mbi 100 vjeç, emrat e të cilëve janë në regjistër. Me gjithë këto përpjekje, disa

bashkëbisedues të MVN-së së OSBE/ODIHR-it përsëri ngritën shqetësime për

saktësinë e listave të zgjedhësve.

Shpërndarja e letërnjoftimeve para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 u bë objekt

polemikash të forta politike. Që nga viti 2009, raportohet të jenë shpërndarë një sasi

shtesë prej një milion letërnjoftimesh. Ishte shumë pozitive që aksesi në dokumente të

rregullta të identifikimit për qëllime votimi nuk u ngrit si çështje shqetësuese këtë herë.

Panorama e mediave në Shqipëri mbizotërohet nga mediat elektronike, kurse gazetat

kanë një qarkullim të kufizuar. Kodi Zgjedhor e rregullon me rreptësi mbulimin e

fushatës zgjedhore nga mediat. Dispozitat që kanë të bëjnë me mediat zbatohen për të

gjitha mediat elektronike vetëm gjatë periudhës zyrtare të fushatave. Janë parashikuar

rregulla të ndryshme në lidhje me pasqyrimin në edicionet e lajmeve, minutazhin falas dhe reklamat me pagesë. Mbulimi i partive politike nga mediat gjatë zgjedhjeve

vendore përcaktohet nga përfaqësimi parlamentar i tyre.

Në përgjithësi gratë nuk janë të përfaqësuara aq sa duhet në politikën shqiptare,

veçanërisht në nivel vendor. Ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor përfshinë kuotat

për listat e kandidatëve për këshillat vendore dhe për përfaqësimin e dy partive më të

mëdha në KZAZ-të. Mospërmbushja e kuotave gjinore në listat e kandidatëve për në

këshillat vendore gjobitet.

Ndërmjet partive politike ka mbetur ende një nivel i lartë polarizimi dhe mosbesimi.

Pjesërisht për shkak të këtij mosbesimi, të gjithë bashkëbiseduesit e MVN-së së

OSBE/ODIHR-it kërkuan dërgimin në terren të një Misioni të plotë të Vëzhgimit të

Zgjedhjeve (MVZ) për zgjedhjet vendore të 8 majit. Disa kërkuan dërgimin e numrit

më të madh të mundshëm të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it. Pas ngjarjeve tragjike të

21 janarit, Kryeministri përsëriti kërkesën e tij drejtuar përfaqësuesit të Kryetarit të

rradhës së OSBE-së.

Megjithëse disa prej Rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it janë zbatuar që nga zgjedhjet

parlamentare të vitit 2009, një numër çështjesh kanë mbetur ende të patrajtuara. Më e

rëndësishmja, rekomandimet kryesore si për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 ashtu

edhe për zgjedhjet vendore të vitit 2007, që “Partitë politike duhet të tregojnë vullnet

politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike” dhe që “ato duhet t’i realizojnë detyrat

e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme, për interesin e përgjithshëm të

Shqipërisë” mbeten për t’u trajtuar plotësisht.

Bazuar në konstatimet e mësipërme, MVN-ja e OSBE/ODIHR-it rekomandon ngritjen

e një Misioni për vëzhgimin e zgjedhjeve vendore. Për t’iu përgjigjur kërkesës për një

prani të madhe të vëzhguesve, si dhe duke pasur parasysh numrin e madh të zgjedhjeve

të pavarura që po organizohen si pjesë e zgjedhjeve vendore, krahas një ekipi bërthamë

ekspertësh, misioni duhet të përfshijë 30 vëzhgues afatgjatë për të ndjekur fushatën dhe

përgatitjet për zgjedhjet. Po kështu, MVN-ja e OSBE/ODIHR-it rekomandon që

shteteve pjesëmarrëse në OSBE t’u kërkohet të dërgojnë 400 vëzhgues afatshkurtër për

të ndjekur procedurat në ditën e zgjedhjeve. Për shkak të kohës së gjatë të parashikuar

të procesit të numërimit të votave dhe nxjerrjes së tabelave të rezultateve, vëzhguesve

afatshkurtër duhet t’u kërkohet të qëndrojnë disa ditë pas ditës së zgjedhjeve për të

ndjekur të gjithë procesin.

III. GJETJET

A. SFONDI DHE KUADRI POLITIK

Zgjedhjet vendore të 8 majit 2011 janë zgjedhjet e para pas zgjedhjeve të kontestuara

parlamentare të vitit 2009. Në vitin 2009, koalicioni zgjedhor i udhëhequr nga Partia

Demokratike (PD) fitoi 70 nga 140 vendet në parlament dhe formoi një qeveri me

Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), duke siguruar një shumicë me diferencë të vogël. Koalicioni zgjedhor i Partisë Socialiste (PS), i cili fitoi 66 vende në parlament, e

kontestoi ligjshmërinë e rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2009. Deputetët e PS-së e

bojkotuan parlamentin deri në mars 2010. PS-ja dhe partitë e tjera në opozitë e kanë

akuzuar Kryeministrin dhe qeverinë e tij për korrupsion dhe manipulim të zgjedhjeve të

vitit 2009, dhe kanë kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor nga parlamenti për të

shqyrtuar të gjithë materialin zgjedhor.

Qeveria dhe opozita nuk mundën të arrijnë një marrëveshje për formimin e një

komisioni hetimor para fillimit të janarit kur, me një vendim të kontestuar, KQZ-ja

asgjësoi fletët e votimit të zgjedhjeve të vitit 2009 dhe dërgoi listat e zgjedhësve në

arkivin e shtetit. Megjithëse në përputhje me Kodin Zgjedhor, vendimet e KQZ-së për

asgjësimin e fletëve të votimit dhe për arkivimin e listave të zgjedhësve u morën me një

shumicë të thjeshtë, pa pranimin e anëtarëve të emëruar nga opozita.

Periudha para zgjedhjeve vendore ka treguar një përqendrim të vazhdueshëm në

zgjedhjet e vitit 2009. Mjedisi politik është thellësisht i polarizuar, me retorikë të ashpër

dhe shkëmbim sulmesh personale nga udhëheqësit e PD-së dhe të PS-së. Pas dorëheqjes

së Zëvendëskryeministrit më 14 janar, pas përfshirjes në një skandal korrupsioni, PS-ja

i përmendi çështjet aktuale si provë se koalicioni qeverisës nuk duhet të qëndrojë në

pushtet.

Më 21 janar PS-ja organizoi një protestë anti-qeveritare. Me gjithë thirrjet nga

udhëheqësi i PS-së për qetësi në ditët para zhvillimit të protestës, situata u shndërrua në

një situatë të dhunshme, ku protestuesit hodhën gurë dhe kokteje Molotov ndaj policisë.

Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe plumba gome. Gjatë përleshjeve, rreth 120

protestues dhe efektiva të policisë u plagosën dhe 3 protestues u qëlluan për vdekje.

Hetimet në lidhje me përdorimin e armëve vazhdojnë.

Pas protestës, akuzat për përgjegjësi dhe për interpretimin e ngjarjeve janë bërë pjesë e

retorikës së ashpër të vazhdueshme. Kryeministri dhe deputetët e shumicës në pushtet e

akuzuan opozitën për tentativë për grusht shteti, ndërsa opozita e akuzoi Kryeministrin

si orkestrues të masakrës. U planifikuan protesta dhe kundër-protesta të tjera. U bënë

edhe deklarata ku aludohej mundësia se jo të gjitha partitë do të merrnin pjesë në

zgjedhjet e ardhshme. Bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Kryetarin e radhës së

OSBE-së, u angazhuan për qetësimin e situatës, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të

veprojnë me përgjegjshmëri.

B. KUADRI LIGJOR DHE SISTEMI ZGJEDHOR

Zgjedhjet vendore do të zhvillohen në një kuadër ligjor që përbëhet nga dispozitat e

Kushtetutës së Shqipërisë (të ndryshuara së fundmi në prill 2008) dhe Kodi Zgjedhor i

miratuar në dhjetor 2008. Ndryshimet kushtetuese dhe Kodi Zgjedhor rrodhën nga

reformat zgjedhore të ndërmarra pas zgjedhjeve vendore të vitit 2007, dhe adresuan një

sërë rekomandimesh të bëra më parë nga OSBE/ODIHR-i.

Në bazë të Kodit Zgjedhor, këshillat vendore të 384 NjQV-ve dhe kryetarët e bashkive

dhe komunave zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë. Këshilltarët zgjidhen në bazë të

sistemit proporcional, ndërsa kryetarët e bashkive dhe kryetarët e komunave zgjidhen

sipas parimit 'fiton kush renditet i pari'. Republika e Shqipërisë Faqe: 5

Zgjedhjet Vendore, 8 maj 2011

Raport i Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vlerësimin e Nevojave

Për një kohë të gjatë OSBE/ODIHR-i ka deklaruar se Kodi Zgjedhor përbën një themel

të kompletuar teknik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, dhe se ajo që nevojitet

më së shumti është angazhimi i partive politike për të respektuar gërmën dhe qëllimin e

ligjit. Megjithatë, kohët e fundit ka nisur diskutimi për ndërmarrjen e reformave të

mëtejshme para zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011. Kryeministri, në të njëjtën kohë

kryetar i PD-së, ka deklaruar se do të mbështesë çdo reformë që do të propozojë

opozita, për sa kohë që kjo do të vlerësohet nga OSBE/ODIHR-i se është në përputhje

me angazhimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare për zhvillimin e zgjedhjeve.

Të gjitha partitë opozitare, si dhe LSI-ja, partnere në koalicionin qeveritar, i propozuan

MVN-së së OSBE/ODIHR-it ndryshime të shumta të mundshme që duhen shqyrtuar

para zgjedhjeve të ardhshme.

Megjithëse i mbështet përpjekjet për përmirësimin e legjislacionit, MVN-ja e

OSBE/ODIHR-it i paralajmëroi të gjitha partitë në lidhje me bërjen e ndryshimeve në

legjislacionin zgjedhor kaq afër zgjedhjeve. Këto ndryshime të vona mund të rezultojnë

në vështirësi në zbatimin e tyre, qoftë nga administrata zgjedhore, e cila do të ketë pak

kohë për të trajnuar stafin e saj në lidhje me ndryshimet, qoftë nga ata që konkurrojnë

në zgjedhje, të cilët mund të mos i kuptojnë rregullat e reja. Për më tepër, çdo ndryshim

në Kodin Zgjedhor duhet të miratohet pas zhvillimit të një diskutimi përfshirës, gjë që

mund të mos jetë e realizueshme brenda këtij afati të shkurtër kohor deri në zhvillimin e

zgjedhjeve.

C. ADMINISTRATA ZGJEDHORE

Zgjedhjet vendore administrohen nga një administratë zgjedhore e përbërë nga tre

nivele: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), 66 Komisionet e Zonave të

Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe rreth 4,800 Komisione të Qendrave të Votimit

(KQV). Po kështu, Kodi Zgjedhor parashikon ngritjen në çdo KZAZ të Grupeve të

Numërimit të Votave (GNV) për të numëruar votat në 66 Vendet e Numërimit të

Votave (VNV).

KQZ-ja është një organ i përhershëm, i përbërë nga shtatë anëtarë të zgjedhur nga

parlamenti për një mandat katër vjeçar. Kryetari dhe tre anëtarë propozohen nga

shumica parlamentare, ndërsa nënkryetari dhe dy anëtarë propozohen nga opozita.

Krahas kësaj, partitë që konkurrojnë në zgjedhje dhe të gjitha partitë e përfaqësuara në

parlament kanë të drejtë të propozojnë përfaqësues në KQZ. Këta përfaqësues mund të

marrin pjesë në diskutime dhe të paraqesin propozime, por nuk kanë të drejtë vote.

Shumica e vendimeve të KQZ-së miratohen me shumicën e votave, d.m.th me votat e

katër anëtarëve nga shtatë gjithsej. Megjithatë, për vendimet që kanë të bëjnë me

ndarjen e mandateve, shpalljen e zgjedhjeve të pavlefshme, shkarkimin e anëtarëve të

KQZ-së dhe disa vendime të veçanta administrative, kërkohet një shumicë e cilësuar

prej pesë votash. Këto përfshijnë miratimin e udhëzimeve, miratimin e strukturës organizative dhe Rregullores së funksionimit të KQZ-së, përcaktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore dhe përcaktimin kufijve të zonave zgjedhore.

Me gjithë detyrimin e anëtarëve të KQZ-së për t’i përmbushur detyrat e tyre në mënyrë

të pavarur, përgatitjet për zgjedhjet vendore kanë çuar tashmë në ndarjen e KQZ-së në

linja partiake. Anëtarët e opozitës në KQZ nuk kanë marrë pjesë, ose kanë braktisur një

numër mbledhjesh të KQZ-së. Ndonëse kryetari dhe nënkryetari i KQZ-së duhet të

bashkëpunojnë në realizimin e detyrave të tyre, raportohet se praktika e nënshkrimit të

udhëzimeve si nga kryetari, ashtu dhe nga nën-kryetari nuk ekziston më. Kjo nuk është

kundër rregullores së brendshme të KQZ-së, e cila e lejon Kryetarin t’i nënshkruajë i

vetëm udhëzimet dhe t’i dërgojë ato në KQZ për miratim me shumicë votash.

Megjithatë, kjo përbën një ndryshim në praktikën e ndjekur zakonisht, ku më parë

udhëzimet nënshkruheshin si nga Kryetari ashtu dhe nga Nënkryetari.

KZAZ-të emërohen nga KQZ-ja. Formula e propozimit të anëtarëve të KZAZ-ve

pasqyron atë të KQZ-së në aspektin e përfaqësimit politik. Megjithatë, në gjysmën e

KZAZ-ve, kryetari propozohet nga shumica parlamentare, në gjysmën tjetër nga

opozita parlamentare. Nënkryetari dhe sekretari i përkasin partisë kryesore politike që

nuk kryeson KZAZ-në përkatëse. Qendrat e votimit administrohen nga KQV-të, të cilat

caktohen nga KZAZ-të sipas së njëjtës strukture dhe formule si për KZAZ-të.

Procedurat e emërimit për komisionet zgjedhore të niveleve më të ulëta nuk janë

ndryshuar që nga viti 2009, me gjithë rekomandimin e OSBE/ODIHR-it për rishikimin

e tyre.

Kjo u jep partive mundësinë t’i zëvendësojnë anëtarët e tyre në komisionet

zgjedhore në çdo moment gjatë zgjedhjeve, përfshirë në ditën e zgjedhjeve dhe pas saj.

Disa prej partive me të cilat u takua MVN-ja e OSBE/ODIHR-it e mbrojtën këtë

praktikë, si dhe emërimin fillestar me vonesë të anëtarëve, si mënyrë për të mbrojtur

anëtarët e tyre ndaj trysnive për të kryer mashtrim. Asnjëra prej partive që kanë të

drejtë të propozojnë anëtarë në KZAZ nuk e ka bërë këtë brenda afatit ligjor që ishte

data 23 janar.

KQZ-ja është e autorizuar me ligj të ngrejë zyra rajonale me qëllim zbatimin e detyrave

të veta. KQZ-ja planifikon të dërgojë 24 inspektorë rajonalë, dy në secilën prej 12

zyrave në të gjithë vendin, për të rritur bashkërendimin me KZAZ-të.

Grupet e Numërimit të Votave në VNV ngrihen dy ditë para zgjedhjeve. Ato përbëhen

nga katër anëtarë, dy nga partia e shumicës në pushtet dhe dy nga opozita. Kryetari i

KQZ-së deklaroi se procesi i numërimit të votave, i modifikuar me ndryshimet në

Kodin Zgjedhor në vitin 2008 për të shtuar mekanizma me qëllim rritjen e

transparencës dhe të saktësisë, nuk mund të përfundojë brenda afatit të shtrënguar

ligjor.

D. REGJISTRIMI DHE IDENTIFIKIMI I ZGJEDHËSVE

Listat e zgjedhësve nxirren nga baza qendrore e të dhënave të kompjuterizuara të

Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGjC). Regjistrimi në bazën e të dhënave të

RKGjC-së është aktiv; një shtetas duhet të çregjistrohet, për shembull, kur ndryshon

adresën e banesës ose në rastin e vdekjes së një anëtari të familjes, si dhe të regjistrohet në rast se vendoset në një adresë tjetër. Që nga viti 2009, dhe në përputhje me

Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, janë ndërmarrë përpjekje të mëtejshme për të

vazhduar përmirësimin e cilësisë së listave të zgjedhësve. Ministria e Brendshme

raportoi se, në vijim të përpjekjeve për të hequr emrat e dubluar, janë identifikuar dhe

hequr 12,000 emra. Për më tepër, Ministria e Brendshme u kërkon të gjitha NjQV-ve të

rishikojnë saktësinë e të dhënave për të gjithë votuesit mbi 100 vjeç, emrat e të cilëve

janë në regjistër. Me gjithë këto përpjekje, disa bashkëbisedues të MVN-së së

OSBE/ODIHR-it përsëri ngritën shqetësime lidhur me saktësinë e listave të zgjedhësve.

Rishikimi i listave paraprake të zgjedhësve (LPZ) filloi më 26 tetor. LPZ-të afishohen

në bashki dhe gjenden edhe në faqet zyrtare të Ministrisë së Brendshme dhe KQZ-së, si

dhe në një faqe zyrtare të posaçme të gjendjes civile. Kopje të regjistrit u janë dërguar

edhe partive kryesore politike për rishikim.

Si rregull, votuesit me të drejtën e votimit përfshihen në listën e zgjedhësve të qendrës

së votimit që ndodhet në vendbanimin e tyre. Kodi Zgjedhor parashikon kategori të

caktuara zgjedhësish, të cilët mund të përfshihen në listat e zgjedhësve të qendrave të

veçanta të votimit, përfshirë burgjet, qendrat e paraburgimit, spitalet dhe repartet

ushtarake. Zgjedhësit që u shtohen këtyre listave, hiqen nga lista e zgjedhësve në

vendbanimin e tyre.

Që të mund të votojë, votuesi duhet të paraqesë pasaportën ose letërnjoftimin personal

të vlefshëm. Për herë të parë këto letërnjoftime u lëshuan pak para zgjedhjeve

parlamentare të vitit 2009 dhe u bënë temë e debatit të ashpër politik. Ministria e

Brendshme raporton se deri tani janë shpërndarë rreth 2,538,000 letërnjoftime

personale, një rritje prej më shumë se një milion që nga zgjedhjet e vitit 2009. Aksesi

në dokumente të rregullta të identifikimit për qëllime votimi nuk u ngrit si çështje nga

bashkëbiseduesit në takimet me MVN-në e OSBE/ODIHR-it.

E. REGJISTRIMI I KANDIDATËVE

Çdo shtetas me të drejtë vote dhe partitë politike që dëshirojnë të konkurrojnë në

zgjedhjet e ardhshme, duhet së pari të regjistrohen si subjekte zgjedhore në KQZ. Pastaj

dy ose më shumë subjekte elektorale mund të regjistrohen si një koalicion zgjedhor.

Subjekti zgjedhor duhet të paraqesë kandidatët për kryetarë bashkie dhe komune dhe

listat e kandidatëve për këshillat vendore në KZAZ. Individët mund të nominohen si

kandidatë edhe me propozim të një grupi zgjedhësish.

Subjektet zgjedhore duhet të regjistrohen brenda datës 9 mars, ndërsa koalicionet duhet

të regjistrohen brenda datës 24 mars. Sipas ligjit, partitë që regjistrohen si koalicion,

nuk mund të paraqesin lista të kandidatëve veçmas koalicionit në asnjërën prej 384

NjQV-të. Partitë politike me të cilat MVN-ja e OSBE/ODIHR-it zhvilloi takime, e

kuptonin ndryshe këtë dispozitë. Disa e kuptonin se regjistrimi si koalicion në shkallë

kombëtare i lejonte ato të kandidonin në mënyrë të pavarur për kryetarë bashkish dhe

kryetarë komunash në disa zona; të tjerë e kuptonin se mund të mbështesin vetëm

kandidatët e koalicionit në të gjithë vendin.

MVN-ja e OSBE/ODIHR-it u informua se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar disa

elemente të Kodit Zgjedhor që kishin të bënin me firmat për kandidatët. Aktualisht ligji

kërkon që kandidatët për kryetarë bashkish dhe listat e kandidatëve për këshillat vendore të paraqesin lista me firmat e të paktën një për qind të zgjedhësve të regjistruar

në zonën zgjedhore përkatëse. Detyrimi i firmës ka disa përjashtime. Votuesit mund të

mbështesin vetëm një parti ose kandidat dhe duhet të depozitojnë firmat e tyre

mbështetëse përpara nëpunësit të KZAZ-së ose përpara noterit.

F. PERIUDHA E FUSHATËS DHE FINANCIMI I FUSHATËS

Periudha zyrtare e fushatës zgjat afërsisht një muaj. Periudha që fillon nga dita para

ditës së votimit deri në mbylljen e votimit përbën periudhën e heshtjes zgjedhore, gjatë

së cilës nuk lejohet zhvillim fushate nëpërmjet mediave, tubimeve ose veprimtarive të

tjera. Sondazhet për rezultatet e votimit nuk lejohet të bëhen publike gjatë pesë ditëve të

fundit para zgjedhjeve dhe as në ditën e zgjedhjeve deri në mbylljen e votimit.

Financimi i fushatës përbëhet nga financimi publik dhe privat dhe është rregulluar nga

Kodi Zgjedhor. Fondet publike, shuma e të cilave përcaktohet me vendim parlamentar,

shpërndahen nga KQZ-ja në dy këste. Gjysma e këtyre fondeve u shpërndahet partive

që janë regjistruar si subjekte zgjedhore, bazuar në numrin e vendeve të fituara në

zgjedhjet e fundit. Gjysma tjetër u shpërndahet partive të regjistruara si subjekte

elektorale, që kanë fituar të paktën dy vende në parlament, në përpjesëtim me votat e

fituara në zgjedhjet e fundit. Partia së cilës i janë dhënë fonde publike, por që nuk fiton

asnjë mandat në zgjedhjet e ardhshme vendore, duhet ta kthejë këtë financim.

Subjekteve zgjedhore u kërkohet të deklarojnë shumën e fondeve të siguruara nga

burime jo-publike. Të gjitha donacionet private duhet të deklarohen dhe të miratohen

nga KQZ-ja. Lista e të gjithë personave që dhurojnë më shumë se 100,000 lekë

(afërsisht 720 euro), bashkë me shumat e donacioneve të tyre, duhet të bëhen publike.

Shpenzimet për fushatën janë të kufizuara dhe i raportohen KQZ-së. Pas shpalljes së

rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, ekspertë të emëruar nga KQZ-ja kontrollojnë

fondet e siguruara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore. KQZ-ja autorizohet të

verifikojë informacionin e dhënë në raportet e paraqitura nga subjektet zgjedhore.

Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO) i Këshillit të Evropës i bëri një

vlerësim Shqipërisë në maj të vitit 2009 dhe aktualisht në parlament po diskutohet një

projekt-ligj për financimin e partive.

G. MEDIA

Panorama e mediave në Shqipëri mbizotërohet nga media elektronike, kurse gazetat

kanë qarkullim të kufizuar. Krahas transmetuesit publik radio-televiziv (RTSH),

Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit (KKRT) u ka dhënë licenca dy stacioneve

televizive me mbulim kombëtar, 75 stacioneve televizive lokale dhe 70 stacioneve

televizive kabllore. Në shkallë kombëtare transmetojnë tre stacione radio, si edhe 68

stacione të tjera radio me valë FM. Të gjithë operatorët e mediave perceptohen

gjerësisht si mbështetës të njërës prej dy partive kryesore, kurse mbulimi i tyre si tejet i

politizuar.

Kodi Zgjedhor rregullon në mënyrë të rreptë mbulimin nga mediat të fushatës

zgjedhore. Dispozitat lidhur me mediat zbatohen për të gjitha mediat transmetuese

vetëm gjatë periudhës zyrtare të fushatës. Janë parashikuar rregulla të ndryshme në

lidhje me pasqyrimin në edicionet e lajmeve, minutazhin falas dhe reklamat me pagesë.

Për çdo shkelje të këtyre dispozitave janë parashikuar sanksione të hollësishme.

Mbulimi i partive politike nga mediat gjatë zgjedhjeve vendore përcaktohet sipas

përfaqësimit parlamentar të tyre. Kodi Zgjedhor dallon ndërmjet partive me më shumë

se 20 për qind të përfaqësimit në parlament (partitë e mëdha), partitë me përfaqësim më

pak se 20 për qind (partitë e vogla) dhe partitë joparlamentare. Partitë e mëdha gëzojnë

dyfishin e mbulimit që gëzojnë partitë e vogla përsa i përket minutazhit falas (30

minuta krahasuar me 15 minuta të mbulimit ditor), reklamave me pagesë (90 minuta

krahasuar me 45 minuta për stacion për gjithë fushatën) si dhe mbulimit në edicionet e

lajmeve. Partitë joparlamentare kanë të drejtën e minutazhit falas prej 10 minutash,

mbulimi i tyre në edicionet e lajmeve përcaktohet nga ‘kritere profesionale’ dhe koha

maksimale e reklamave me pagesë për to është e kufizuar në maksimumi 10 minuta për

stacion. Megjithëse Kodi Zgjedhor parashikon mundësinë e reklamave me pagesë nga

kandidatët e pavarur, asnjë dispozitë nuk është parashikuar për minutazhin falas të tyre

ose mbulimin e tyre në edicionet e lajmeve.

Dhjetë ditë para nisjes së fushatës zgjedhore, KQZ-ja ngre Bordin e Monitorimit të

Mediave (BMM) për të mbikëqyrur respektimin nga mediat të Kodit Zgjedhor. Secili

prej shtatë anëtarëve të KQZ-së cakton një anëtar të BMM-së, i cili kërkohet të ketë

përvojë të drejtpërdrejtë me mediat. Duke përdorur kapacitetet teknike të KKRT-së,

BMM-ja monitoron transmetimet e të gjitha stacioneve kombëtare radio-televizive, si

dhe një sërë stacionesh televizive lokale. Për shkak të burimeve të kufizuara, BMM-ja

nuk është në gjendje të monitorojë plotësisht të gjitha stacionet lokale radio-televizive.

BMM-ja i paraqet KQZ-së një raport ditor dhe mund t’i propozojë KQZ-së vendosjen e

sanksioneve administrative në rast të mosrespektimit të ligjit.

Ndërkohë që monitoron sasinë e kohës që u është caktuar konkurruesve zgjedhorë,

BMM-ja nuk analizon tonin e këtij mbulimi. Po kështu, ndërsa Kodi Zgjedhor kërkon

që veprimtaritë qeveritare lidhur me fushatën zgjedhore të përfshihen në kohën e partisë

së cilës i përket kreu i institucionit përkatës, vlerësimi nëse një veprimtari qeveritare

duhet të quhet institucionale apo e lidhur me fushatën i është lënë në dorë gjykimit të

BMM-së. OSBE/ODIHR-i kishte rekomanduar më parë që dispozita përkatëse në

Kodin Zgjedhor të ndryshohet dhe të përkufizohet se çfarë përbën “veprimtari

qeveritare që lidhen me fushatën zgjedhore”.

H. PJESËMARRJA E GRAVE

Në përgjithësi gratë nuk janë të përfaqësuara aq sa duhet në politikën shqiptare,

veçanërisht në nivel vendor. Aktualisht vetëm 9 ndër 384 kryetarët e bashkive dhe

komunave janë gra. Të paktën 30 për qind e anëtarëve të KZAZ-ve të propozuar nga

partia më e madhe e koalicionit qeverisës dhe partia më e madhe e opozitës duhet të

jenë gra. Dy ndër shtatë anëtarët e KQZ-së janë gra.

Për zgjedhjet vendore, çdo person i tretë në listën e kandidatëve duhet të jetë grua, çka

përbën një masë progresive. Neni 175 i Kodit Zgjedhor parashikon që mospërmbushja e

kuotave për gjininë gjobitet me 30,000 lekë për çdo zonë zgjedhore (afërsisht 220

euro).

I. VËZHGUESIT NDËRKOMBËTARË DHE VENDORË

Neni 6 i Kodit Zgjedhor parashikon vëzhgimin e zgjedhjeve nga vëzhgues vendorë dhe

ndërkombëtarë, si dhe nga partitë politike dhe kandidatët e paraqitur nga një grup

zgjedhësish. Çdo subjekt zgjedhor ka të drejtë të emërojë vëzhgues në KZAZ, KQV

dhe për çdo tavolinë numërimi në një VNV. Në rast se partitë formojnë koalicion, e

drejta e emërimit të vëzhguesve i takon koalicionit dhe jo partive. Përfaqësuesit e

partive më të vogla, të takuar gjatë MVN-së së OSBE/ODIHR-it, shprehën shqetësimin

se ky rregull mund t’i privojë ata që të kenë vëzhguesit e partive të tyre. Kandidatët

lejohen të jenë të pranishëm gjatë numërimit të votave.

MVN-ja e OSBE/ODIHR-it u informua se grupi i vëzhguesve vendas ‘Shoqata për

Kulturë Demokratike’ planifikon t’i vëzhgojë zgjedhjet e ardhshme me 900 vëzhgues të

shpërndarë në ekipe të lëvizshme, nëse arrijnë të sigurojnë financimin e duhur.

IV. KONKLUZIONE DHE REKOMANDIME

Në Shqipëri, niveli i polarizimit dhe mosbesimit ndërmjet partive politike vazhdon të

mbetet ende i lartë. Pjesërisht për shkak të këtij mosbesimi, të gjithë bashkëbiseduesit e

MVN-së së OSBE/ODIHR-it kërkuan dërgimin në terren të një Misioni të plotë të

Vëzhgimit të Zgjedhjeve (MVZ) për zgjedhjet vendore të 8 majit. Disa kërkuan

dërgimin e numrit më të madh të mundshëm të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it. Pas

ngjarjeve tragjike të 21 janarit, Kryeministri përsëriti kërkesën e tij drejtuar

përfaqësuesit të Kryetarit në detyrë të OSBE-së.

Megjithëse disa prej Rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it janë zbatuar që nga zgjedhjet

parlamentare të vitit 2009, një numër çështjesh kanë mbetur ende të patrajtuara. Më e

rëndësishmja, rekomandimet kryesore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe

zgjedhjet vendore të vitit 2007, që “partitë politike duhet të tregojnë vullnet politik për

zhvillimin e zgjedhjeve demokratike” dhe që “ato duhet t’i realizojnë detyrat e tyre

zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme, për interesin e përgjithshëm të Shqipërisë”

mbeten për t’u trajtuar plotësisht.

Bazuar në konstatimet e mësipërme, MVN-ja e OSBE/ODIHR-it rekomandon ngritjen

e një MVZ-je për vëzhgimin e zgjedhjeve vendore. Për t’iu përgjigjur kërkesës për

prani të madhe të vëzhguesve, si dhe duke pasur parasysh numrin e madh të zgjedhjeve

të pavarura që po organizohen si pjesë e zgjedhjeve vendore, misioni duhet të përfshijë,

krahas një ekipi bërthame ekspertësh, 30 vëzhgues afat-gjatë për të ndjekur fushatën

dhe përgatitjet për zgjedhjet. Po kështu, MVN-ja e OSBE/ODIHR-it rekomandon që

shteteve pjesëmarrëse në OSBE t’u kërkohet të dërgojnë 400 vëzhgues afatshkurtër për

të ndjekur procedurat në ditën e zgjedhjeve. Për shkak të kohës së gjatë të parashikuar

të procesit të numërimit dhe nxjerrjes së tabelave të rezultateve, vëzhguesve

afatshkurtër duhet t’u kërkohet të qëndrojnë disa ditë pas ditës së zgjedhjeve, për të

ndjekur të gjithë procesin.

SHTOJCË: LISTA E TAKIMEVE

Zyrtarë të Qeverisë

Sh. T. Dr. Berisha, Kryeministër dhe Kryetar i Partisë Demokratike

Sh. T. Z. Haxhinasto, Ministër i Punëve të Jashtme

Sh. T. Z. Basha, Ministër i Brendshëm

Z. Poni, Zëvendësministër i Brendshëm

Administrata Zgjedhore

Z. Ristani, Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Znj. Subashi, Zëvendëskryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Kolegji Zgjedhor

Znj. Prifti, Anëtare

Znj. Mullaj, Anëtare

Z. Ndreca, Anëtar

Z. Kalaja, Anëtar

Përfaqësues të Partive Politike

Z. Rama, Kryetar i Partisë Socialiste dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës

Z. Meta, Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim

Z. Mediu, Kryetar i Partisë Republikane

Z. Dule, Kryetar i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut

Z. Idrizi, Kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Unitet

Z. Gjinushi, Kryetar i Partisë Socialdemokrate

Z. Milo, Kryetar i Partisë Demokracia Sociale

Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit

Z. Karapici, Zëvendëskryetar

Z. Nathanaili, Drejtor i Drejtorisë së Programeve

Përfaqësues të Medias

Z. Beci, Drejtor i Përgjithshëm i Radio-Televizionit Shqiptar, transmetues publik

(RTSH)

Z. Kopani, Drejtor i Aktualitetit, RTSH

Dr. Oktrova, Drejtore e Televizionit Shqiptar, RTSH

Shoqëria Civile dhe Komentatorë

Z. Dervishi, Drejtor Ekzekutiv, Transparency International Albania

Z. Lani, Drejtor i Institutit Shqiptar të Medias

Z. Rakipi, Instituti Shqiptar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare

Z. Nesho, Drejtor Ekzekutiv, Këshilli Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë

Z. Lubonja, Analist

Z. Stefani, Analist i medias

Z. Krasniqi, Analist

Znj. Katro, Millennium Women Network

Znj. Meçaj, Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Znj. Meta, Shoqata për Kulturë Demokratike Republika e Shqipërisë Faqe: 12

Zgjedhjet Vendore, 8 maj 2011

Raport i Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vlerësimin e Nevojave

Znj. Cani, Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara

Z. Tafaj, Këshilli Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuara

Komuniteti Ndërkombëtar

Ambasadori Wollfarth, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri

Z. Redford, Zëvendëskryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri

Z. Puerner, Shefi i Departamentit të Demokratizimit, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri

Znj. El Kholy, Shefe, UN Women

Përfaqësues të Ambasadave

Përfaqësues të tjerë të Komunitetit Ndërkombëtar

FUND

KOMENTE