Nga “Financial Times”
Forcat amerikane po largohen, ndërsa evropianët duhet t’i urojnë ato në udhën e tyre. Kanë kaluar mbi dy dekada nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Shtetet e Bashkuara kanë rreth 80 mijë trupa në Evropë, të organizuara në katër brigada ushtarake. Njëra nga to do të tërhiqet nga administrata e Obamës, ndërsa një tjetër mund të pasojë së shpejti.
Thashethemet diplomatike thonë se presidenti Obama mund t’i anulojë edhe planet për mbrojtjen raketore në Evropë. Qëndrimi i zotit Obama krijon besimin se Shtetet e Bashkuara nuk e shohin më Evropën si një pikë qendrore të interesave të tyre gjeostrategjike.
Padyshim që presidenti do të vizitojë Londrën muajin e ardhshëm, do të marrë pjesë në samitin e G8-ës në Francë dhe do t’i kalojë disa orë në Varshavë. Por, kjo është vetëm për formë. Amerikanët janë duke e dorëzuar Evropën.
Shtetet e Bashkuara kanë më shumë prioritete të ngutshme në Azinë Lindore, Pakistan, Afganistan dhe në Lindjen e Mesme. Evropa mund ta ketë harruar Irakun, por Shtetet e Bashkuara mbesin shumë të angazhuara në të.
Në vendin e tij, Obama ka disa mijëra miliardë dollarë deficit, që duhet t’i japë fund. Nëse evropianët nuk janë të gatshëm të paguajnë për sigurinë e tyre, pse duhet ta marrin taksapaguesit amerikanë faturën?! Jo të gjithë në Uashington ndjehen rehat lidhur me këtë.
Udhëheqësit evropianë tashmë po luftojnë në zbatimin zonës së ndalim-fluturimit mbi Libi. Gjermania ka mbajtur anën e Rusisë dhe të Kinës në kundërshtimin e operacionit. Një gjë të tillë e ka bërë edhe Polonia.
Italia, Suedia dhe Holanda kanë kontribuar me avionë luftarakë, por me kufizime. Pilotët e tyre mund të patrullojnë në qiell, por jo të qëllojnë çdo gjë. Barrën më të madhe e ka Franca dhe Gjermania, të cilat hedhin bomba precize.
Çfarë do të bënte Evropa në një luftë të vërtetë?! Kërcënimet duken të shumta. Kryengritjet në botën arabe kanë të bëjnë me prospektet afatgjate për një fqinjësi më stabile të jugut të Mesdheut. Në një afat më të shkurtër, siç po shihet në Libi, rreziqet e konfliktit dhe kaosit mund të jenë në prag të Evropës.
Ballkani perëndimor është një burim tjetër rreziku. Rreth 15 vjet pas Marrëveshjes së Dejtonit, rajoni mbetet i destabilizuar. Bosnja duket se po shkon drejt çarjeve etnike. Serbia refuzon të pranojë shtetësinë e Kosovës.
Pjesa më e madhe e ish-Jugosllavisë tani shërben si qendër e komandës dhe kontrollit të krimit të organizuar, shpërndarjes së drogës dhe emigracionit të paligjshëm.
Përgjatë gjysmës lindore të kontinentit ekziston frika se Rusia do të shfrytëzojë largimin e amerikanëve për të rikthyer hegjemoninë mbi hapësirën e ish-Bashkimit Sovjetik dhe më gjerë.
Në këto rrethana, shumë do të thoshin se një hap i zgjuar i evropianëve do të ishte t’i lusnin amerikanët të qëndrojnë. Megjithatë, e vërteta e ashpër është se Evropa ka nevojë për një shkundje.
Për aq kohë sa janë të qetë nën ombrellën e sigurisë amerikane, evropianët do të vazhdojnë të jetojnë një utopi post-moderne, në të cilën e vetmja gjë që mund të bëhet me shpenzimet e mbrojtjes, është të shkurtohen ato.
Për aq kohë sa forcat amerikane janë të pranishme, Evropa mund ta mashtrojë veten. Është koha që ato të shkojnë në shtëpi - atëherë evropianët mund të rriten.