English

Basha: Konflikti politik nuk është rruga e vetme dhe as zgjidhja për qytetin

Tiranë, 16 prill 2011, NOA- Kandidati i maxhorancës për bashkinë e kryeqytetit Lulzim Basha takimin e radhës me elektoratin e ka bërë te njësia bashkiake numër 5.

Gjatë fjalës me banorët ai ka premtuar se brenda 6 muajsh do të hipotekohet çdo apartament në Tiranë.

Nga kjo zonë ai ka prezantuar edhe kandidaten e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, për minibashkinë nr.5 Erisa Xhixho.

Basha premtoi se pas 9 majit qytetarëve do t’u ofrohet një bashki dhe një kryebashkiak i një lloji të ri që do shohë dhe dëgjojë problemet e qytetareve.

“Hapësirat e gjelbra sot mungojnë, por hapi i parë është hedhur me kthimin e një hapësire të gjelbër, të projektuar për tu betonizuar, hapësirës të ish klubit sportiv “Dinamo”. Jam krenar që pata mundësi të bëj këtë për sportin, për lagjen tuaj, për Tiranën. Para se të vija këtu, dola nga banesa ku ishte edhe vajza ime 4 vjeçare. Më pyeti se ku po shkoj dhe i thashë që po shkoj në një takim. Për çfarë do flasësh më tha. Për gjëra të ndryshme. A ka të vegjël aty? Mund të ketë i thashë unë. Po çfarë do t’u premtosh të vegjëlve? Ia ktheva me një pyetje se çfarë kërkon që t’i premtoj të vegjëlve nga ty? U mendua fare pak dhe më tha- “jepu një përqafim nga unë’. Pastërtia e shpirtit e të vegjëlve tanë na tregon se ku duhet të fillojmë. Ne kemi vendosur së bashku të ofrojmë një përqasje të re qeverisëse. Një bashki dhe një kryebashkiak të llojit të ri, një bashki me zemër për qytetin dhe qytetarët. Konflikti politik nuk është rruga e zgjidhjes, aq më pak rruga e vetme për qytetin tonë. Ne kemi vendosur së bashku një pakt zemrash, Tirana jonë është e para, ju jeni të parët”, u shpreh Basha.

Më tej ai vlerësoi edhe ndërtimin e Unazës së Madhe në kryeqytet duke thënë se ajo çliron trafikun dhe përmirëson kushtet e udhëtimeve, madje hap edhe 5 mijë vende të reja pune.

a.y/NOA

KOMENTE