English

Dako: Piruetat e Xhaferraj, flasin për bazën e tij si politikan

Durrës, 16 prill 2011, NOA- Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako në vijim të takimeve të tij me banorët është ndalur në zonën e Shkozetit dhe në lagjen numër 8 në qytet.

Dako u ka thënë banorëve se ndryshimet në zonën e Shkozetit të kryera nga Bashkia e Durrësit, janë pjesë e vizionit jo vetëm për modernizimin e Durrësit nga pikëpamja turistike, por edhe për zhvillimin e biznesit.

“Ndryshimet në këtë zonë janë të prekshme. Këto ndryshime nuk arrin të shihen mesa duket vetëm nga rivali im për kryebashkiak Ferdinand Xhaferraj, i cili mesa duket është i zënë dhe nuk ka kohë për një gjë të tillë, pasi është ende duke kërkuar në Itali për eshtrat e Ismail Qemalit”, theksoi kandidati socialist për kryebashkiak.

Sipas tij, deklaratat e Xhaferrajt, përbëjnë vetëm një mashtrim, pasi ai kërkon t’i thotë me zor të bardhës së është e zezë.

“Mjafton të shikoni piruetat e tij politike në gjithë këto vite për të kuptuar sesa pa bazë është si politikan, sesa pa bazë janë ato që thotë, sesa pa bazë janë bindjet e tij politike, sesa pa bazë është edhe formimi i tij intelektual. Durrësi nuk mund ta hajë “sapunin për djathë” nga ky “gjeneral” i ri kohëve moderne që kërkon eshtrat e figurave tona kombëtare, duke dëshmuar se është pa asnjë integritet”, është shprehur ai.

Ai u ka kërkuar votën banorëve duke thënë se, në katër vitet e ardhshme Shkozeti do jetë një qendër e zhvilluar në planin e infrastrukturës, atë tregtar, social dhe arsimor.

Ndërsa në lagjen nr.8 Dako ka prezantuar projektin e “Unazës së vogël”, e cila do të sillet rreth kësaj lagjeje.

Sipas Dakos, ky projekt i ri synon jo vetëm një rigjallërim të infrastrukturës në zonë, por edhe kthimin e kësaj zone në një zonë piktoreske turistike.

Ai ka theksuar se, ndërtimi i kësaj “Unaze të Vogël” do të mundësojë një sistemim të lëvizjes së mjeteve, do të mundësojë një frekuentim më të madh të zonës, si dhe do të rrisë numrin e vizitorëve.

a.y/NOA

KOMENTE