Durrës, 16 prill 2011, NOA – Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako i bëri thirrje të gjithë votuesve durrsakë që dalin e të votojnë në 8 maj, duke i kërkuar veçanërisht votën zgjedhësve të rinj durrsakë që do të hedhin votën në kuti për herë të parë në 8 maj.
Gjatë përurimit të çadrës së tij elektorale në qendër të Durrësit, kryebashkiaku Dako u ndal kryesisht tek ata mijëra të rinj që votojnë për herë të pare duke theksuar se “Votimi për herë të parë është një moment mjaft i veçantë në jetën e një të riu. Në këtë mënyrë ata vendosin për politika qeverisëse më të mira lokale dhe të përgjithshme. I nxis të dalin në votim dhe të votojnë për koalicionin që unë përfaqësoj si kandidat”, bëri thirrje Dako.
“Sot Durrësi është shumë më mirë se disa vite më parë dhe kjo është arritur përmes një pune të vazhdueshme dhe me shumë përkushtim nga stafi që unë drejtoj”, nënvizoi kryebashkiaku Dako.
Ai u shpreh më tej se është i ndërgjegjshëm që në drejtim të të rinjëve duhet bërë akoma më shumë, pasi sipas tij ata janë forca dhe rruga e vetme që së bashku me të majtën progresiste të mbyllin për vendin një kapitull të turpshëm qeverisjeje, të hapur nga qeverisja qendrore e PD-së.
Ai u tha të rinjve durrsakë se duhet t’i japin një mesazh të fortë me votën e tyre qeverisë Berisha dhe kandidatit të saj në Durrës, Ferdinand Xhaferaj duke i thënë se “se Shqipëria dhe Durrësi nuk mund të jenë peng i politikave bllokuese dhe hakmarrëse të PD-së që kanë penalizuar në disa raste banorët dhe qytetin e Durrësit”.
“Durrësi nuk mund të jetë një qytet me turizëm të zhvilluar, ku në krah të tij qeveria e zotit Xhaferaj po përgatit një masakër mjedisore me TEC-in që kërkon të ndërtojë në Porto- Romano”, tha Dako.
“Ne jemi rruga e vetme nuk është thjesht një slogan fushate elektorale, por është një e vërtetë, pasi Durrësi nuk mund të ndalet më dhe se puna jonë për shndërrimin e tij nuk mund të ndalet mi. Të rinjtë janë sot promotorë të zhvillimit të qytetit. Bashkia do të jetë në krah të tyre, duke ndërtuar më shumë shkolla, më shumë fusha sportive, duke nxitur punësimin dhe formimin e tyre profesional”, theksoi kryebashkiaku i Durrësit.
mit/NOA