Abruzzo, 16 prill 2011, NOA - Lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës për plot 10 vite, ka rrëfyer eksperiencën e tij personale në shndërrimin e Tiranës në një qytet shumëngjyrësh, si një shembull i transformimit urban të një qyteti evropian në konferencën “Demokracia në ngjyra-Rishpërndarja e hapësirave, prodhon demokraci, e mbajtur në Itali. Edi Rama në referatin e tij theksoi se ka qenë një privilegj për të, të udhëhiqte një aksion të tillë të rilindjes së kryeqytetit të Shqipërisë.
Ai rikujtoi se në momentet kur erdhi në krye të bashkisë, bashkia ishte e rrënuar, nuk kishte fonde, ndërkohë që marrëdhënia mes Bashkisë e qytetarëve nuk ekzistonte, e taksat nuk mblidheshin.
“Qyteti vuante nga grija e viteve të diktaturës e periudhës së shfrytëzimit pa kriter pas fundit të komunizmit”, tha më tej Rama duke argumentuar dorazi edhe rrugëtimin e tij për shndërrimin e ngjyrës së pallateve në Tiranë.
Sipas Ramës operacioni i ngjyrave ishte një operacion pak i kushtueshëm për Bashkinë, me anë të të cilit synohej të ndryshohej jo vetëm fasada gri e kryeqytetit, por edhe mënyra në të cilën njerëzit ndiheshin për qytetin e tyre.
“Vetëm në vitet e para të mandatit, Bashkia prishi mbi 5 mijë ndërtime abuzive. Vetëm nga anët e Lanës, Bashkia hoqi 123 mijë tonë beton, nga disa ndërtesa edhe 8 katëshe. Këto përbindësha urbanë u zëvendësuan më pas me 55 mijë pemë”, tha Rama.
Në këtë konferencë ku merrnin pjesë akademikë, anëtarë të shoqërisë civile e dhomave të tregtisë si edhe zyrtarë lokalë të rajonit të Abruzzos, Rama ishte i ftuari i Fondacionit "Europa prossima".
Presidenti i fondacionit Luciano D'Alfonso, ish-kryebashkiak i Pescara-s, e vlerësoi Edi Ramën si shembullin më të mirë të manaxhimit të një qyteti e të vendosjes së qytetit në shërbim të qytetarëve.
Sipas D'Alfonsos, Edi Rama jo vetëm transformoi Tiranën gjatë tre mandateve të tij, por edhe frymëzoi ndryshim në të gjithë rajonin duke i dhënë demokracisë dimensione të panjohura më parë.
“Vetë seria e aktiviteteve demokracia në ngjyra është frymëzuar nga ngjyrat e Tiranës dhe pjesëmarrja aktive e komunitetit në vendime të tilla”, tha D’Alfonso.
I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe një ndër ekspertët më të mirë italianë të arkitekturës urbane, Giuseppe Roma, i cili u shpreh se “Edi Rama në krye të Tiranës përfaqëson një model që duhet ndjekur nga shumë qytete të tjera evropiane”. Organizatorët e vlerësuan Edi Ramën si një përfaqësues të "politikës së të bukurës" dhe në përfundim të aktivitetit pjesëmarrësit ata vlerësuan ndërhyrjen e Ramës dhe Bashkisë së Tiranës për të rivendosur lidhjet mes qytetit e komunitetit në Tiranë.
Në këtë aktivitet ishin të shumtë ata që kërkuan të shtrëngojnë dorën apo të marrin autografin e Edi Ramës.
mit/NOA