“Universi dhe budallakia njerëzore janë të pafundme. Për universin nuk jam i sigurt”. Mu kujtua kjo thënie e Alber Einstein, duke e parë intifadën që këto ditë ka nisur kundër Ambasadës Amerikane nga një pjesë e mediave. Faji i vetëm i Chris Dell-it është se e shpëtoi vendin nga kriza. Fali o Chris...
Nga Berat Buzhala
Pak më shumë se një dekadë pas luftës dhe pak më shumë se tri vjet pas shpalljes së pavarësisë, gjënë që nuk do ta kisha imagjinuar kurrë është se do t’i akuzonim Shtetet e Bashkuara të Amerikës së po “përzihen në punët tona të brendshme”. Ngjashëm, kurrë nuk do ta kisha imagjinuar edhe se një ditë do t’i akuzonim liderët tanë politikë për servilitet dhe dëgjueshmëri ndaj përfaqësuesit apo përfaqësuesve legalë dhe legjitimë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E dini sigurisht se për çka po flas. Për marrëveshjen e fundit politike në mes të Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit, e cila u mundësua kryekëput për shkak të ndihmës fondamentale të ambasadorit Chris Dell dhe tolerancës së admirueshme të krerëve të tri forcave progresive politike të vendit tonë.
Dhe në vend se tejkalimi i kësaj krize politike të duartrokitej, një pjesë e gardianëve të shoqërisë civile dhe mediave nxori shkumë nga goja duke i akuzuar direkt SHBA-të pse e shpëtuan vendin – edhe vendin e tyre – prej një krize me skenar të llahtarshëm, çfarë vetëm Ballkani është në gjendje t’i dhurojë njerëzimit.
E akuzojnë përfaqësuesin e SHBA-ve – përfaqësuesin e shtetit që e bëri shtet shtetin tonë – se nuk qëndroi duarkryq bashkë me ta për të parë se si Kosova do të katandisej sigurt drejt një katastrofe si ajo e Shqipërisë së vitit 1997, ku për kryeneçësi politike e humbën jetën mijëra veta, ajo e Serbisë së vitit 2003 ku u vra Kryeministri që po tentonte ta shkëpuste vendin prej kthetrave të krimit të organizuar (sigurisht ky ishte skenari më i ëmbël), apo konflikteve tjera që janë fenomen i vendeve në tranzicion. Dhe kur të gjitha këto të ndodhnin kjo pjesë e shoqërisë civile dhe kjo pjesë e mediave, pa humbur kohë do ta nxirrte nga ZARFI emrin e Liderit të tyre Shpirtëror - Zotit të të gjitha krizave - për ta menaxhuar krizën për thellimin e së cilës vet kishin kontribuar më së shumti.
I kuptoj – por nuk i mirëkuptoj – partitë ekstremiste politike që kërkojnë kaos. Në ujëra të tjera këto forca nuk dinë të notojnë.
Mirëpo as nuk i kuptoj e as nuk i mirëkuptoj njerëzit e shoqërisë civile dhe mediave që i fërkojnë duart nga gëzimi sa herë që shfaqen tendencave të krizave dhe kukasin kur klasa politike arrin mirëkuptim.
Në rrethana të tilla do të ishte normale që këta njerëz të krijonin parti politike, sepse ashiqare pritjet e tyre radikale nuk mund t’i realizojë asnjë prej forcave serioze politike. Kurrë nuk i dihet, ndoshta rikrijimi i ORA-së me një emër tjetër – për shembull Klubi për Politikë të Brendshme – mund të sjellë rezultate më të mira se sa zgjedhjet e palavdishme të vitit 2007. Po besoj që nuk keni dilema se kush do ta udhëheqë këtë intifadë, lëvizje apo parti.
Emërtojeni si të doni, por për një gjë duhet të jeni të bindur se Kosova prej momentit që ka filluar organizimin e zgjedhjeve të lira e tutje do të udhëhiqet ekskluzivisht vetëm prej njerëzve apo partive që i kanë marrë votat e qytetarëve, e jo prej kolumneve, e as prej klubeve, e assesi jo prej dëshirave të individëve të dëshpëruar. Pikë.
Liderët politikë të vendit në këto vitet e pasluftës nuk e kanë bërë ndonjë mrekulli për të cilën gjë ata do të meritonin që t’u ngriheshin lapidare. Nuk them asgjë të re nëse e përsëris se ekonomia e vendit edhe më tutje po luhatet në mes të Jugosllavisë dhe Kapitalizmit; se sistemi drejtësisë nuk prodhon shumë drejtësi; se spitalet tona nuk janë vendet ideale për t’u shëruar; se demokracia tek ne nuk është në nivelin e Bashkimit Europian; se zgjedhjet e lira duhet të jenë edhe më të lira; se liria e shprehjes duhet të përmirësohet edhe më tutje dhe se sistemi shkollor ende nuk po tregohet i denjë për të nxjerr kuadro që do t’i trajtonin të gjitha këto probleme.
Këto pra janë sfidat e vërteta të shtetit tonë, ku shoqëria civile dhe mediat do të duhej t’ia shtronin zullumin Kryeministrit, ministrave dhe Kuvendit të Kosovës.
Mirëpo këta muajt e fundit agjendat diçka u ngatërruan, siç u ngatërruan edhe aleancat. Ajo çka thoshte ambasadori Chris Dell ishte e parëndësishme, kurse ajo çka thoshte Dick Marty ishte kryefjala dhe kallëzuesi i secilit debat.
Prijetarët e liberalizmit të kësaj shoqërie filluan të flasin për sundimin e pakicës, kurse dialogun e quanin të dëmshëm. Nën ndikimin e lajmeve nga Lindja e Mesme filluan të flasin edhe për nevojën e një revolucioni – edhe pse dorën në zemër gjakrat më së shumti u vlonin në Facebook. Sido që të jetë, falë ambasadorit amerikan Chris Dell dhe falë pjekurisë së Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit, kriza politike tashmë mund të quhet e përfunduar. Dëshiroj që t’i uroj të gjithë ata që këtij lajmi i janë gëzuar, kurse të pikëlluarve më shumë fat herëve tjera.
Autori është deputet i PDK në Kuvendin e Kosovës