English

Me “Besë”, kundër krimit të organizuar në Ballkan

Shkup, 16 prill, NOA – Shefat e policive të vendeve të Evropës Juglindore (SEPCA) u zotuan mbrëmë në Shkup se do të vazhdojnë operacionet e përbashkëta të koduar “Besa” kundër krimit të organizuar rajonal.

Kodifikimi i këtij operacioni që realizohet në bashkëveprim me Interpolin mban emrin e marrëveshjes tradicionale shqiptare “Besa”, ndërsa në kuadër të tij bëjnë pjesë policitë e shtatë vendeve të Evropës Juglindore.

Ky angazhim u dha gjatë mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të SEPCA, që udhëhiqej nga Drejtoria i Policisë së Maqedonisë dhe merrnin pjesë shefat e policive dhe përfaqësues të organizatave të Shqipërisë, Italisë, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi, Kroacisë, Turqisë, Bullgarisë, Austrisë si dhe përfaqësues të policive ndërkombëtare si Europol, Interpol, FBI, SEKI qendra, MARRI, OSBE dhe DCAF, etj.

Pjesëmarrësit theksuan se qëllimi i SEPCA është për një rajon më të sigurt, luftë kundër krimit të organizuar, bashkëpunim rajonal dhe qëllimi për demokratizimin e shërbimeve policore.

Sekretari gjeneral i SEPCA, shefi i policisë malazeze, Zlatko Mileqit deklaroi se brenda një periudhë të shkurtër janë arritur rezultate në luftën kundër krimit dhe kontrabandës së organizuar.

“Për më pak se një vit janë arrestuar më shumë se 300 persona, të përfshirë në tregtinë ilegale me lëndë narkotike, armë, reketim dhe aktivitete tjera të paligjshme”, deklaroi Miletiq, vendi i të cilit udhëheq me SEPCA nga nëntori i vitit të kaluar.

Shefat e policive të vendeve të rajonit nuk kanë dashur të flasin lidhur me detajet e krimit të organizuar dhe përpjekjet e vendeve të tyre. Si një ndër pikat që ka kaluar dhe që janë zotuar policitë rajonale është zhvillimi i rrjetit të shërbimeve kriminale sekrete si dhe një rrjet të komunikimit më intensiv.

Gjithashtu është vendosur që të përfundojë faza e dytë e projektit për instalimin e rrjeteve lidhëse të komunikimit dhe të dhënave në të gjitha vendkalimet kufitare në Evropën Juglindore, me qëllim të verifikimit dhe sigurimit të të dhënave për personat që janë në kërkim dhe në ndjekje, makinat dhe mjetet e tjera.

Në këtë takim të SEPCA pritet të nënshkruhet memorandum bashkëpunimi me drejtoritë e policive të Italisë, Austrisë dhe Turqisë. Në këtë konferencë vjetore nuk ka marrë pjesë Policia e Kosovës, e cila vazhdon të mos jetë anëtare e SEPCA.

NOA-INA

KOMENTE