English

Menduh Thaçi: Marrëveshja Politike e shenjtë për mua, vetëm për të s’lëshoj pe’

Shkup, 16 prill, NOA - “Marrëveshja Politike që është shndërruar në Platformë Politike është e shenjtë për mua. Jam i gatshëm të lëshoj pe’ për çdo gjë, për çdo post e çdo vend, vetëm për Marrëveshjen jo, sepse është mënyra e vetme e daljes se shqiptarëve nga kriza aktuale”. Kështu pohon në një intervistë, kreu i PDSH-së në Maqedoni, Menduh Thaçi, duke treguar më pas planet dhe mendimet e tij për zgjedhjet e ardhshme, por po ashtu dhe për problemet tjera të shumta që hasin shqiptarët dhe Maqedonia.

Z.Thaçi, dy dekada kanë kaluar që kur Maqedonia u shpall shtet i pavarur. Gjithsesi, dekada që lamë pas ka shënuar rekord ndodhish negative për shqiptarët e Maqedonisë. Fillojmë nga konflikti i 2001, ndarja jo e drejtë e buxhetit, enciklopedia, maqedonishtja që në klasë të parë, Shkupi 2014, projekti i Kalasë etj….e di që keni dhënë disa herë mendime lidhur me këto çështje apo ndodhi, por tani para zgjedhjes besoj që duhen ri-freskuar disa gjëra. Cili është qëndrimi juaj për këto ndodhi? Përse qeveria aktuale duket shumë e butë?

- Është e vërtetë, Maqedonia vazhdon të jetë një shtet anormal, është një eksperiment që bëhet në Evropë, është tentimi i parë ndoshta dhe i fundit për të ngritur një shtet multi-etnik në Evropë, ka dhe shtete tjera multi-entike në Evropë por kushtetutën e kanë të rregulluar në bazë të territorit,në konfederata dhe federata. Si duket ky eksperiment po del i pasuksesshëm dhe problemi është te koncepti I shtetit. Maqedonasit në momente të caktuara, kurrë janë në situata destabilizuese, në letër kinse e bëjnë kompromisin e shtetit multietnik por pastaj i bishtojnë këtij koncepti dhe flasin flokusola të ndryshme teorike për shoqeri multietnike e kështu me radhë. Janë gjëra që nuk pranohen teorikisht, sepse shoqëria multi-etnike është vetvetiu biologjiksht, duhet shteti të jetë multi- etnik. Situata tej mase është keqësuar pas viti 2001. Ishte një kinse marrje të drejtash në letër nga ana e Maqedonasve dhe si gjithë sllavët dhe Maqedonasët sillen njëjtë. Ata të gjitha betejat i humbasin në fronte të luftës dhe pastaj ato investojnë t’i rikthejnë përparësitë e tyre në kohën që pason. Tre vitet e fundit është keqësuar një segment tjetër te shqiptarët dhe ky është segment shumë i rëndësishëm, i cili është aspekti ekonomik. Duke qenë të de-socializuar dhe të de-sistemuar shqiptarët, duke pas parasysh se ata punën e tyre që kishin në ish-Jugosllavi me lloj-lloj veprimtari të ndryshme e humbën, u dëmtuan, dhe këto tre vitet e fundit qeveria e Maqedonisë kaloi në një projekt rezervë, në një diskriminim dubël, i dyfishtë, në diskriminimin e të drejtave dhe në aspektin ekonomik po ashtu. Janë këto modele të vjetra që përdorin ata që një popull duan ta varfërojnë tej mase dhe pastaj ta sulmojnë, sundojnë shumë më lehtë. Gjitha këto që i përmendët ju ne pyetje nataliteti, buxheti etj, as që i vijnë erë shoqërisë apo shtetit multi-etnik, thjeshtë kanë të bëjnë me disa nacionalizma të shprehura në shekullin 21, gjë që në Evropë kjo është e pa tolerueshme. Më lejoni që këtu të përmend një fakt. Fatkeqësisht mendoj që bashkësia ndërkombëtare, jo se nuk e kupton por nuk arrin ta prek, problemin që ne kemi me Greqinë sepse ky problem e ngrith nacionalizmin maqedonasve. Mirëpo ai nacionalizëm në raport me grekët është vetëm problem virtual. Grekëve u kushton një fjalë goje, ndërsa efektin e vërtetë e kanë mbi shqiptarët që jetojnë këtu. E tani çka duhet të bëjnë shqiptarët? Jemi në një situatë të vështirë duke pas parasysh që aleatët perëndimor SHBA-të dhe BE-ja , mundohemi te bëhemi pjesë e gjeo-strategjisë së tyre dhe gjeo-strategjia e tyre dihet cila është, duhet të ruhet me çdo kusht Maqedonia dhe ne kemi bërë shumë sakrifica mbi kurrizin tonë, mbi të drejtat tona. Pa e hequr në asnjë moment kontributin që japin këto shtete të fuqishme për Kosovën, për Shqipërinë etj, unë mendoj që tashmë ka ardhur momenti që shqiptarët e Maqedonisë ta demonstrojnë pakënaqësinë e tyre pavarësisht të interesave gjeo-strategjike…Përse e them këtë? 1. Nga aspekti racional, 2. Nga aspekti i përvojës dhe 3. Nga aspekti I njohurive politike dhe historike për zhvillimet në Evropë ndoshta dhe në botë. Kam frikë se në dekadën e tretë të tranzicionit në botë që pas komunizmit, u bënë ndryshime të mëdha në Ballkan dhe unë kam frikë se nqs do mbyllet procesi global, e kam fjalën te procesi integruese dhe ju e dini që kur mbyllen proceset globale është e rëndë që të hapen procese rajonale dhe shqiptarët mund të ngelin në këtë situatë të pa definuar. Frikën e dytë e kam që destabilizimi politik vjen me kohë dhe zgjatje mund të jenë të madhe pas 2, 5 apo 10 vite..e keni parasysh si funksionojnë: fillojnë njëherë pakënaqësitë, grevat, demonstratat dhe mund të vijë deri te destabilizimi, por destabilizimi ekonomik mund të ndodhë menjëherë. Nuk po them që gjithë shqiptarët janë në buzë të mjerimit ekonomik, por Shkupi, Kumanova janë në mjerim ekonomik. Ju mund te interesoheni dhe vetë dhe të shihni se shumë familje shqiptare të këtyre vendeve kërkojnë azil për tu larguar drejt vendeve Skandinave. Krejt kjo akumulon në situatë shumë të rëndë. Tash është keq por fatkeqësia është se pas zgjedhjeve mund të jetë edhe më keq. Zgjedhjet e parakohshme janë një shpresë për qytetarët besoj pa bazë sepse ne horizont nuk kemi një zgjidhje për problemet fondamentale të Maqedonisë. Me lejoni të konstatoj për problemet fondamentale në Maqedoni. Nën 1. Koncepti i shteti nuk shkon, nën 2. Bllokimi i procesit integrues. Unë jam mjek me profesion dhe e di që imuniteti i organizmit, domethënë në qoftë se imuniteti gjeneral bie atëherë paraqiten me qindra sëmundje të përgjithshme. Imuniteti i përgjithshëm i Maqedonisë është procesi integrues, kur bie procesi integrues paraqiten me qindra problem tjera. Unë mendoj që problemi është te fillimi i një procesit , kur një proces fillon me manipulim dhe pa ndonjë qëllim ideor te definuar, mos ta quaj kombëtar, fundi I atij procesi është shkatërrues, një shembull: Konflikti i vitit 2001 ishte manipulim. Njëherë na thanë se do të na çlirojnë pastaj thanë se do ta mbrojnë Maqedoninë dhe tani janë bërë më të butë se funksionarët shqiptarë gjatë periudhës së komunizmit. E kanë hipotekën e atij konflikti të pa arsyetuar deri sot, kanë hipotekën e krimeve të ndryshme dhe korrupsionit se ata janë 8 vjet në pushtet. E treta është që Maqedonasit me shumë zhdërvjelli i mbajnë edhe në hipotekën e ligjit për amnisti. Ne kemi qenë 18 muaj në qeveri dhe dëshira e maqedonasve ka qenë të hapet ajo kutia e Pandorës të thyhet ligji i amnistisë, por ne nuk kemi lejuar por qeveria aktuale e lejuan këtë . Ka disa njerëz nëpër burgje, ka disa procese që ri-hapen dhe ju e dini që drejtuesit e asaj strukture janë të implikuara në ligjin për amnisti dhe kësaj I thonë politikan me hipotekë dhe politikanët me hipotekë nuk janë funksionarë në shoqëri të reja demokratike. Mu këtu besoj që është problemi i butësive të tyre dhe prej këtu e gjej arsyen që të besoj se shqiptarët e Maqedonisë do t’i ndryshojnë këto politikanë me vota. Kam shpresa të mëdha dhe bindje se po të ndryshoj ekipi, kushtimisht quhet elita politike, do të ndryshojë gjendja, por normalisht duhet të ju përmendi diçka tjetër. Duhet të ndryshoj edhe platforma shqiptare. Partitë politike shqiptare në Maqedoni në 21 vitet e fundit shkuan në një rrugë që nuk dhanë efekt, këtu e fus dhe PDSH-në normalisht. Në qoftë se një rrugë me dekada nuk jep efekte, duhet te ndërrohet platformë dhe ne këtë kemi bërë. Ka dy vjet që kemi “Marrëveshjen politike” të cilën në kongresin e partisë e bëmë platformë.

Maqedonia ka shumë probleme, cila do të jetë sfida më kryesore që PDSH-ja do ta luftojë në qoftë se hyn në qeveri dhe a do të jetë PDSH-ja ndryshe nga herët e tjera?

Kemi ndërruar platformën e partisë dhe programin, atë qe thash më përpara. Me platformën e re në besojmë që e ardhmja e Maqedonisë duhet të jetë proces paralel, i dy shtyllave kryesore. Njëherë e përgjithmonë duhet të zgjidhet problemi mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe njëherë e përgjithmonë duhet të bëhet kompromisi me Greqinë që ta zhbllokojmë procesin integrues. Platforma jonë ka disa pika por unë do të flas për dy shtyllat kryesore. Shtylla e parë është vendimtarja politike. Vendimmarrja duhet të ndryshojë në Maqedoni nga një vendimmarrje egërsisht e përtharë dhe I reduar nga ana e maqedonasve, e kam fjalën për Badinterin, duhet të kalojë në një konsensus solid institucional, I cili duhet të bëhet në parlament dy dhomësh, ku dhoma e kombeve do të vendos me konsensus apo nëpërmjet të senatit është pak punë, pa ardhur te vendimmarrja të jetë me konsensus, mendoj që angazhimi I shqiptarëve në forma të vjetra është jo produktiv. Shtylla e dytë është aspekti ekonomik. Buxheti i shtetit krijohet prej qytetarëve në bazë të tatimeve të ndryshme që ata paguajnë dhe sipas analizave tona ky buxhet arrin 35% e kontributit shqiptare dhe fatkeqësisht mjetet e buxhetit të shqiptarëve u kthehet me 1 apo 2%, dhe kjo është shtylla që kërkojmë , që buxheti të ndahet proporcionalisht dhe në mënyrë të drejtë. Mbase do të dukem banal por jam I detyruar të jem më I qartë, ne nuk do të blejmë armë për të luftuar me dikë. Por ne e kërkojmë atë pjesë të buxhetit që ta kthejmë në jetën tonë, në rrugët tona kanalizimet e rrugëve tona, në kulturë, arsim, institucionet shëndetësorë , spitalet, universitet, shkencë etj. Këto dy shtylla do duhen të shkojnë paralelisht me një proces tjetër, jo më pak se 3 muaj dhe jo më shumë se 6 muaj të bëhet kompromisi me Greqinë dhe të përshpejtohen hapat drejt BE-së dhe NATO-së, për shkak se çështja e buxhetit apo aspekti ekonomik ka një lidhje të drejtpërsëdrejti me procesin integrues. Dihet që procesi integrues është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e shtetit, në uljen e tensioneve politike e kështu me radhë, por është po ashtu shumë i rëndësishëm dhe në aspektin ekonomik. Nuk pajtohem me ato lider apo politikan shqiptarë që thonë do të punësojmë 5000 shqiptarë…sepse ato ose mashtrojnë ose nuk e njohin punën si duhet. Ne kemi dy hapësira shumë të reduktuar, njëra është mësues dhe profesor dhe unë nuk do të lejoj kurrë që ta largojmë dikë nga pune se qenka parti tjetër. Dhe në administratat publike, s’ka vende atje, ka dhe nja 800 apo 1000 vende të lira pune dhe do të mbyllen ato. Fondi Ndërkombëtar Monetar, Banka Botërore, pa ndërprerë kërkojnë te shtetet e bllokut të lindjes që administratat të zvogëlohen që do të thotë që ne nuk kemi hapësirë për punësime. Në qoftë se bëhet integrimi në NATO dhe BE, atëherë kemi dhe zgjedhje ekonomike, sepse do kemi investime të të huajve. Mos flasim shumë nëpër mjegulla që do vijnë SHBA-të apo të huaj të tjerë të investojnë, por le të vij kapitali i Shqipërisë , i Kosovës të investoj nuk ka problem po ashtu i Bullgarisë, i Greqisë dhe kështu do të fillojnë të hapen resurse të reja dhe kjo është rruga racionale drejt daljes së krizës elementare dmth papunësisë. Ne kështu e shohim zgjidhjen e problemit, kështu e parashohim, dhe këto do të jenë qëndrimet tona ndaj cilit do partner maqedonas dhe për këto shtylla kryesore, për platformën tonë, ne nuk jemi te gatshëm të bëjmë kompromise në qoftë se nuk pranohet.

Keni përpiluar “Marrëveshjen Politike” e cila në strukturë dhe teori është e mrekullueshme për shqiptarët në Maqedoni. A mendoni që do arrini ta bindni partnerin maqedonas ta zbatojë këtë marrëveshje dhe në praktikë, duke e pasur parasysh që qeveria maqedonase ka qenë shumë e ashpër me shqiptarët kohët e fundit?

Do të jetë shumë vështirë. Unë nuk jam axhami dhe i papjekur, e di që do të jetë shumë rëndë, shumë vështirë por çuditërisht kam një bindje që do të bëhet. E para, mendoj që muaji i parë do të jetë faza e injorimit të kësaj marrëveshje dhe të partisë që ka fituar legjitimitetin e shqiptarëve. Muaj i dytë do të jetë më i vështirë i presioneve jo vetëm të brendshëm por edhe në bashkësinë ndërkombëtare të cilat quhen sugjerime në fjalorin diplomatik dhe unë nuk do te lëshoj pe’ si drejtues i kësaj partie dhe jo nga kokëfortësia, jo nga krenaria e tepruar por thjeshtë nga aspekti racional i bindjeve të mija si politikani me ma përvojë shqiptare në Maqedoni se nuk ka rrugë tjetër dhe do ti them në mënyrë shumë korrekte dhe partnerit maqedonas se po nuk e zgjodhëm këtë rrugë do te zgjidhet rruga e dezintegrimit të Maqedonisë dhe unë këtë e them si preventivë sepse jo që unë do të bej këtë dezintegrim sepse një politikan, një parti nuk mund të luaj me dy platforma në dy kohë. Unë po ashtu nuk pajtohem që maqedonasit janë shumë të fortë, që Gruevski është shumë i fortë, por unë mendoj që shqiptarët janë shumë të dobët për momentin. Në duhet të fillojmë ta analizojmë këtë aspekt pastaj do të ketë jo vetëm kërkesa nga ana e PDSH-së dhe shqiptarëve por do të ketë edhe oferta. Është një popull fqinj që jetojnë me maqedonasit dhe ata kanë probleme shumë të rënda dhe unë i mirëkuptoj ato problem me atë identitet fragjil. Ne do të ua zgjatim dorën dhe do të jemi të parët që do ta legjitimojmë atë identitet dhe kjo nuk është punë e vogël kur fqiju juaj ju pranon. Ne jemi pjesëtarë te një kombi që në Ballkan jemi tek 8 apo 9 milionë banorë. Pa i thënë unë Kosovës dhe Shqipërisë ata sillen shumë miqësor me këtë popull të vogël e fragjil dhe kjo është një ofertë shumë serioze mirëpo për të bërë këtë ata duhen të njohin identitetin tonë, duhet të legalizojnë identitetin tonë dhe duhen ti njohën kërkesat, interesat tona reale ekonomike zhvillimore etj. Siç i duan ato të ketë zhvillim, të ketë stabilitet politik, qetësi ,paqe, kështu duam dhe ne. Këtu në këtë platformë tonë politike, nuk bisedohet për kurrfarë ndarjesh, kurrfarë enklavash apo territore, por thjeshtë për një tentim ndoshta të fundit qe ky shtet të krijoj kohezionin e vërtet shoqëror juridik kushtetuese etj. Unë mendoj që do t’ia dalim, gjithmonë duke pasur një garanci tjetër gjersa zhvillohet negociata për këtë platformë. Ju kujtoj çka ju thash që në fillim, Maqedonia ecën drejt procesit integrues dhe kur këta dy çështje kombinohen atëherë është garantuar identiteti i bashkëqytetarëve tanë, ardhmëria ekonomike, sociale etj. Mendoj qe kjo është rruga më e mençur e ecjes përpara, të tjerat janë rrugë shumë të paqarta dhe të rrezikshme.

Për zgjedhjet e ardhshme, shihet që keni ndryshuar shume kuadrot e PDSH-së. keni larguar bashkëpunëtorë tuaj të vjetër nga poste partiakë duke ju dhënë mundësi tw rinjve, një gjest që tregon se gjërat ne PDSH funksionojnë sipas rregullit demokratik. Por a mendoni qe këta të “rinjtë” do jenë më efikas në punën që duhet të bëjnë?

Ne jemi partia e parë që e provuam demokracinë në kurriz tonë dhe nuk ishte lehtë dhe pse unë mendoja që do jetë shumë e lehtë por ata njerëz që e kanë provuar këtë e din që nuk është e lehtë. Unë jam shumë i kënaqur që arritëm të dalim pa probleme të mëdha, arritëm për herë të parë votën e drejtpërdrejtw dhe të fshehtë .Tash konkretisht disa bashkëpunëtorë të mi, kushtimisht i quaj të vjetër,nuk i kam larguar unë por ata në një proces demokratik nuk arritën që ta marrin legjitimitetin. Nuk besoj që është faji subjektiv i tyre por vazhdoj ta quaj situatë objektive. E kur jeni politikan në disa fronte më të vështira, ju vetvetiu konsumoheni por jo nga aspekti subjektiv. Këta të rinj që i fituan pozicionet, kanë një përparësi të jashtëzakonshme e cila është nëpërmjet votës së lirë dhe të fshehtw, kanë arritur të legjitimohen në kuadër të kësaj strukture. Ju e dini, këta janë jo fort të rinj për nga mosha po quhen si politikan të rinj dhe e keni parasysh që shumica e tyre janë me tituj shumë të lartë shkencor, profesor nëpër universitete e kështu me radhë. Unë kam shpresa qe ata do të arrijnë partinë ta zhvillojnë akoma më shumë që të krijohet një bindje që PDSH-ja prej një partie tradicionalisht të vjetër mos ta quaj konservative por megjithatë ka qenë konservative, të kalojë në një parti moderne. PDSH-ja është krijuar për shkak të shqiptarëve në Maqedoni. Kur ta zgjedhim këto probleme madhore qe kemi ne si komb, sigurisht që unë nuk do të kem më vend këtu. Do të vazhdojë ky trend i profesionistëve të rinj, ky trend i njerëzve te rinj të cilët do të jenë të përputhshme me trendet evropiane dhe trendet në botë, nqs nuk zgjidhet ky problem madhor pozicioni im është i domosdoshëm, ndoshta dukem subjektiv…por skajshmërisht jam I sinqertë.

A parashihet koalicion me ndonjë parti tjetër politike shqiptare përpara zgjedhjeve?

Partia e re që u krijua Lidhja Shqiptare, ne arritëm të bashkohemi me këtë parti e cila ka disa kuadro të reja shumë të mira. Me parti tjera opozitare kemi pas bisedime. Fatkeqësisht, nuk arritëm të merremi vesh për ndarjen me postet e deputetëve, ministrave dhe ne bashkërisht u morëm vesh të bëjmë një time-out dhe mos të zhvillojmë më shumë biseda dhe mos largohemi më shumë nga njëri tjetri dhe time-out do të jenë zgjedhjet, pas zgjedhjeve në bazë të rezultateve që do të kemi, kemi bërë një marrëveshje xhentelmene. Unë do të lëshoj pe për gjithçka, për deputetë, ministra, drejtorë, por vetëm për platformën jo.

Pavarësisht që Maqedonia është shtet multi-etnik, partitë që kanë përfaqësuar shqiptarët në qeveri (PPD, PDSH) kurrë nuk kanë bërë koalicion më parti që u përkasin përkatësive tw tjera etnike. BDI është partia e parë që realizon koalicione të tilla me parti rome, turke, tani dhe torbeshe. Çka mendoni për këtë?

Njëherë unë mendoj se ne jemi parti shqiptare por nuk ju ndalojmë qytetarëve tjerë të bëhen pjesë e jona, ndoshta dhe të marrën kuadro të partisë. Por duhet të pranojnë platformën tonë dhe platforma jonë është puro shqiptare. E dyta nuk bëjmë koalicione me kombet tjera apo pakica tjera vetëm mos krijohet keqkuptimi mes forcave politike tjera shqiptare. Në qoftë se bën koalicion me grupe tjera nuk je parti shqiptare sepse vota jote është e kontestueshme apo legjitimiteti ynë si parti është i kontestueshëm. Partitë tjera që bëjnë koalicione nuk bëjnë kurrfarë pengese për mua por vetëm natën e zgjedhjeve mos themi që ne jemi parti e parë shqiptare sepse partia e pare shqiptare do të jetë ajo që ka platformë dhe kandidatët shqiptarë. Mendoj që të tjerët që janë në qeveri kërkojnë koalicione sepse e kanë nga paniku i humbjes të shqiptareve por kjo nuk u ndihmon, sepse shqiptarët janë shumë më në numër ne Maqedoni ndërsa pakica tjetër është pak. Unë mendoj që do të ndodh një proces reverzivil i kthyeshëm sa më shumë të kenë dëshirë të marrin vota nga romët e tjerët aq më shumë vota do të humbasin nga shqiptarët.

Anketat e bëra nga organizata të ndryshme nxjerrin qeverinë aktuale fituese përsëri. Sa te besueshme mendoni që janë anketat politike që zhvillohen në Maqedoni? E para, të gjitha anketat që i bëjnë maqedonasit kanë prapavijë, unë jam plotësisht i vetëdijshëm që as opozita as pozita nuk duan që partnerët të mundshëm ta kenë PDSH-në në koalicion dhe kjo aspak nuk më habit, dmth ata e bëjnë ta nxjerrin PDSH-në humbëse dhe që nuk ka shans të fitoj. E dyta, ju e dini më mirë se unë, se sondazhet 90% paguhen. Unë nuk kam para ti paguaj dhe nuk e bëj atë. E treta, sinqerisht mendoj që do ti fitoj zgjedhjet qeveria maqedonase dhe jo se ka pasur shumë suksese por sepse ka pasur politikë nacionaliste shumë të egër anti-shqiptare. Ky është definicioni sipas meje. Partia shqiptare që është në pushtet do ti humb zgjedhjet 100% dhe unë ve bast me gjithçka. Nuk e di a do t’i humb nga PDSH-ja, kjo mund dhe të diskutohet. Por e dij që do ti humb nga shqiptarët opozitar, prej gjithë forcave politike opozitare pa marrë parasysh a janë të mëdha apo të vogla dhe kjo do të jetë mundësi ti mundësoj ndryshimin e zgjedhjeve të problemeve.

Cili është koncepti i PDSH-së për zgjidhjen e konfliktit të emrit me Greqinë?

Maqedonasit sillen si një fëmijë i llastuar …unë u thash atyre ta bëjnë këtë kompromis sepse nuk më pengon aspak identiteti i tyre por më pengon që ata ma pengojnë mua identitetin…dhe po duan të zgjedhin një rrugë nacionale për të pasur kuptim për ruajtjen e identitet të vet e vetmja rrugë është drejt NATO-së dhe EU-së, rrugët të tjera janë shkatërruese. Ndonjëherë sinqerisht dyshoj që ky kryeministër dhe kjo parti e preferojnë këtë rrugë. Rruga shkatërruese e identitet është që ata më në fund të përfundojnë serb dhe bullgar…Pse e them unë që ata duhen ta bëjnë këtë kompromis? Për shkak që popujt tjerë që jetojnë në Ballkan e kanë bërë kompromisin dhe kompromisin më të madh e kanë bërë shqiptarët dhe nuk ka shqiptar normal që nuk e dëshiron një shtet etnik të gjithë shqiptarëve. Kjo është dëshirë dhe nuk është politik dhe në kuadër të atij interesi të gjeo-strategjisë të miqve tonë ndërkombëtarë, kemi pranuar këtë proces, të jemi 4-5 shtete dhe ti futemi procesit integrues me shpresa se aty realisht do të integrohemi si komb. Ky problem i emrit na ngatërron hesapet me NATO-në dhe UE dhe i thërras drejt arsyes maqedonasit se kanë rreth 40% te popullatës që nuk janë më të gatshëm ti presim ata me dekada dhe mos jemi pjesë e procesit global te NATOS-së dhe BE-së.

Emri i Maqedonisë nuk ka asnjë element identifikues shqiptar. Por në Maqedoni duket sikur shqiptarët nuk janë shumë të preokupuar për ndërrimin e emrit, a duhet të jetë shqetësuese ky fakt?

Nuk duhet të jetë. E dini pse? Shqiptarët kanë identitet kulturor…sllavët gjithmonë e lidhin identitetin me territor dhe religjion që është shumë e gabuar. Ju e dini që ne përveç kësaj që kemi identitet kulturor, gjuhën dhe kulturën me Shqipërinë dhe Kosovën, ne kemi një rehati të jashtëzakonshme që na ofron procesi integrues dmth shqiptarët janë 99.9% pro integrimit dhe për këtë arsye nuk bëjmë problem të vogla ,gabime, cikresa të vogla që Maqedonia të shkojë drejtë atij integrimi. Prapë mendoj që oferta e shqiptarëve nga ana e maqedonasve keqpërdoret. Ne ju kemi ofruar që të jemi një popull fqinjë dhe mik i cili i pari do ta legjitimoj identitetin e tyre. Kjo që ata sillen me kokëfortësi dhe shumë të llastuar, mund të ju kushtoj atyre, neve jo.

Ta zëmë se zgjidhet problemi i emrit me Greqinë, mendoni që vendi është i përgatitur për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Unionin Evropian?

Shumë bukur e the…nuk mendoj ashtu. Mendoj që po të zgjidhet problemi I emrit…Maqedonia ka shumë punë për të bërë duke filluar me përmbushjen e kritereve politike të cilët I kërkon BE-ja. Pastaj duke nis nga rregullimi dhe qartësimi I raporteve ndër etnike të shqiptarëve dhe maqedonasve dhe duke përfunduar me demokracinë, dialogun politik, lufta kundër krimit të organizuar etj. Mendoj që ka shumë për të bërë. Shumë bukur që e parashtruat këtë pyetje sepse partia qeveritare stimulon këtë temë te maqedonasit se po ta zgjedhim këtë problem, Maqedonia do të hy në BE. Kemi shumë punë për të bërë .

Cila është skenari i mundshëm nëse edhe më tutje shtyhet zgjidhja e problemit të emrit me Greqinë dhe Maqedonia ngel jashtë strukturave euroatlantike?

Do të kemi faza destabilizuese. Ka shumë politikan dhe lider këtu që mendojnë që BE ka një skenarë rezervë për Maqedoninë por unë nuk e shoh atë skenarë, përveç që shoh një segment të këtij skenari. Maqedonia është vendosur në një sistem të imobilizmit, thjesht i është veshur këmisha e të çmendurit dhe është imobilizuar…Në çfarë aspekti mund të thoni? Për rreth Maqedonia është bërë si një dezinfektim i tërë sepse Shqipëria,Bullgaria, Greqia janë në NATO, Serbia po shkon drejt BE-së dhe është eliminuar sikleti kryesor që fqinjët të keqpërdorin situatën e brendshme dhe të arrijnë në destabilizim të madh ….dhe të një shpërbërje të Maqedonisë prej hartës gjeografike .Mirëpo vijmë në një fazë të vështirë dhe të rrezikshme të debalancave të brendshme, jo vetëm etnik por edhe ekonomik. Tash kur flas mund të dukem pesimist por unë jam optimist në krahasim me atë që do t’ju flas pas zgjedhjeve, atëherë do të jem më pesimist për shkak se ne I kemi Zgjedhjet si shpresë. Tash jemi të preokupuar se kemi një shpresë të vogël që quhet zgjedhje por zgjidhje nuk kemi….asnjëri prej faktorit të brendshëm por mendoj dhe nga faktori i jashtëm nuk ka zgjidhje për Maqedoninë…do te varet shumë si do te jetë konstaliacioni i brendshëm i forcave politike,unë mendoj që forcimi i PDSH-së, sigurimi I një legjimiteti të fuqishëm nga ana e shqiptarëve që do ti japin PDSH-së do ta përshpejtoj zgjidhjen …dhe per këtë angazhohem maksimalisht.

Duket sikur gjithkund ku jetojnë shqiptarët ka plasur një valë e madhe problemesh. Fillojmë me dosjet në Maqedoni, Hashim Thaçi u quajt “trafikant organesh”, në Shqipëri humbën jetën 4 persona në demonstratën e përgjakshme të organizuar nga opozita? Është diçka e inskenuar nga jashtë apo diçka që ndodhi natyrshëm?

Ngaqë ju respektoj shumë do ju përgjigjem sinqerisht..e di që kjo mund të më kushtojë por unë duhet patjetër të flas drejt dhe atë që mendoj mos jem hipokrit..kjo ndodhi ngaqë organizmi shqiptar funksionin jo normalisht…ne e kemi kokën e këputur diku…njërin krah diku tjetër dhe funksionojmë si komb jo normal…gjithë ky komb relativisht i madh prej 8-9 milion banorësh gjendet në 5 shtete ,në 5 juridiksione, në 5 sisteme vlerash, në 5 kultura dhe sub kultura etj….dhe unë mendoj që kjo është pasojë e kësaj. Perëndimorët na thonë, dhe me të drejtë, që te presim sepse nuk mund te krijojmë direkt një shtet multi-etnik dhe që duhet të kemi durim dhe unë jam dakord me këtë. Por mendoj që sa më shpejt duhet të futemi në rrugën drejt procesit integrues. Shqiptarët në Ballkan nuk janë në një sistem unik të vlerave..disa janë në NATO disa nuk janë, Kosova gjysmë andej e gjysë këndej,shtet pa shtet, juridiksion pa juridiksion, pushtet pa pushtet etj. Shqiptarët në Maqedoni janë në një dimension të paqartë, të diskriminuar pa masë në aspektin ekonomik dhe mos të flas për te drejtat tjera dhe kjo e komplikon situatën. Jo që unë me kokfortësi e shty idenë drejt krijimit të shteteve etnike, por me nacionalitet kërkoj qe të përshpejtohet procesi tjetër, që quhet integrues dhe ai duhet te jete integrues drejt një sistemi te vlerave dhe kjo mendoj që mund ta çoj situatën drejt integrimit. Ne kemi problem shoqërore, të organizimit politik,shoqërore etj dhe kjo është për shkak që organizmi është cop cop dhe një organizim copë copë nuk funksionon si duhet.

Keni 18 vjet në politikë, dymbëdhjetë në opozitë dhe gjashtë në pushtet. Jeni goditur qindra herë në të gjitha mënyrat e mundshme, ju prapë ia dilni mbanë dhe jeni ne këmbët e juaja? Ku buron forca juaj?

Unë jam njeri dhe nuk jam i përsosur si gjithë njerëzit tjerë, i kam mangësitë e mia të cilat mundohem çdo ditë t’i përmirësoj…kam pasur lëshime dhe gabime gjatë karrierës time..por gjithmonë jam kujdesur në mënyrë, si ai i mbyturi që kapet për kashte unë jam kapur për qëllime dhe ide….qëllimi i angazhimit tim në politik ka qenë zgjidhja e problemit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni dhe gjithmonë jam mbajtur këtij orientimi dhe mendoj që kjo është kryesorja që mua më ka mbajtur në skenë me batica dhe zbatica. E dyta është aspekti familjar, unë kam një familje tradicionale të madhe të fuqishme që funksionon si garanci e ardhmërisë personale dhe familjare. Idetë pa operativë mund te jenë shkrim gazetaresk asgjë tjetër..operativa pa ide mund të jetë vetëm grup mafioz….renditjen e kam pasur gjithmonë përpara ide, ideale drejt asaj ideje që duhet realizohet e pastaj vijnë të tjerat

Si po ja dilni mbanë me gjithë stresin dhe lodhjen që përballoni në këtë periudhë përpara zgjedhjeve?

E para është motiv shume i madh..ju siguroj që nuk kam qëllim hakmarrës apo të rikthimit në pushtet sepse nuk mund të mbijetosh këto strese në qoftë se ke motive kaq te vogla …se nuk mund të kesh kaq forcë…motiv është ajo që ka filluar para 30 viteve që në moshë të re në Ish-Jugosllavi gjithmonë kam qenë i angazhuar edhe ilegalisht për ta përmirësuar pozitën tone ..kjo është tepër e rëndësishme..ndërsa tjerat janë teknike aktivitete sportive dhe lëvizje të shpeshta dhe në moshë nuk jam aq i vjetër.

Mesazhi juaj për votuesit e Maqedonisë?

Kam edhe mesazh tw përbashkët…unë mendoj që qytetarët e Maqedonisë e kanë një shans dhe duhet ta shfrytëzojnë. Ky mund të jetë shans e fundit sidomos për shqiptarët, t’ju rikthej siç ju thash me lart..po të mbyllet procesi rajonal global ne do të mbyllemi në këtë gjendje shumë të mjerueshme..shansi është demokratike pa shqetësime të mëdhaja…duhet të penalizohet kjo qeveri dhe këta qeveritarë shqiptarë që e sollën gjendjen këtu ….me këtë shans ne japim një shans tjetër e cila është mundësia e ndryshimit. Po të penalizohet qeveria shqiptare unë ju garantoj atyre se ndryshimi do të ndodh, është një fjalë e vjetër që e thuan në Tetovë, në qoftë se një pune i vjen vakti nuk mund ta ndal askush…Unë mendoj që dy punëve u ka ardh vakti: 1, Fitorja e PDSH-së dhe 2, Realizimi i platformës së PDSH-së…nuk është e mirë të lëshojmë këtë shans sepse pastaj do te jetë vonë për gjithçka dhe unë kam nje bindje të fortë që kjo do të ndodh. Unë mendoj që fitorja e PDSH-së është e pa dëshiruar nga ana e maqedonasve sepse jam i vetëdijshëm që ata nuk e duan këtë por do të ju ndihmojë dhe maqedonasve kjo…Mikun më të mirë në jetë e keni atë qe ua thotë të vërtetën atëherë kur ju nuk e dëshironi dhe nuk e pranoni. Ju faleminderit.

“Shqipmedia”

KOMENTE