Tiranë, 16 prill 2011, NOA- Vendi ynë sot, ka nisur me vranësira dhe intervale me kthjellime në veri dhe qendër ndërsa me vranësira dhe shira të dobët janë dominuar zonat juglindore të territorit. Duke ju afruar orëve të mesditës ka patur shtim të vranësirave dhe shirave në të gjithë kufirin lindor, ndërsa pjesa tjetër është karakterizuar nga vranësira dhe shira të izoluar.
Shqipëria
Sipas MeteoAlb, pjesa e dytë e ditës ka vijuar me kthjellime dhe vranësira të herë pas-hershme në pjesën veriore dhe qendrore të vendit por i gjithë jugu ka mbetur me vranësira dhe shira të dobët e afat shkurtër. Në mbrëmje dhe gjatë natës parashikohet përmirësim i kushteve atmosferike duke bërë që vranësirat dhe shirat të largohen nga i gjithë territori i vendit.
Temperaturat e ajrit kanë pësuar një rënie të lehtë në mëngjes, por mesdita ka sjellë 3 grade rritje të temperaturave në të gjithë territorin.
Era ka fryrë mesatare në toke dhe në det me shpejtësi 35 km/h me drejtim Perëndimor - Veriperëndimor duke bërë që dallgëzimi në Adriatik dhe në Jon të jetë 3 ballë.
Europa
Masajt ajrore të cilat vijnë nga Oqeani Atlantik kanë përfshirë Europën veriore dhe verilindore, ndërsa qarkullimi i masave ajrore nga perëndimi dhe veriperëndimi i Europës kanë prekur rajonin e Mesdheut dhe Ballkanin. Konkretisht në veri dhe verilindje të kontinentit ka patur vranësira të dendura dhe reshje shiu e dëbore ku më të përqendruara kanë qenë në Suedi, Norvegji dhe në Rusi.
Po ashtu vranësira dhe shira ka patur edhe në vendet e Balltikut por intensiteti ka qenë disi më i ulët. Edhe në rajonin e Mesdheut dhe Ballkanin Juglindor kanë dominuar vranësirat dhe shirat e dendur, herë pas here të shoqëruar me stuhi të forta ere. Ndërsa Europa Jugperëndimore, Ishujt Britanikë dhe Europa Qendrore kanë patur diell.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Vendet e Balltikut rrezikuan reshje shiu dhe stuhi ere
- Norvegjia dhe Suedia kanë alarmuar reshje dëbore dhe shkarkesa rrufesh
- Në Rusi ka patur rrebeshe shiu dhe temperatura të ulëta
a.y/NOA