English

PD: Politika e Ramës vret çdo vit 200 veta

Tiranë, 16 prill 2011, NOA- Deputeti demokrat Taulant Bino në një deklaratë për mediat theksoi se ndotja e Tiranës shkon në nivele alarmante.

Sipas tij, Tirana është tejet e ndotur, dhe Kryebashkiaku Edi Rama nuk ndërmerr asnjë veprim real për parandalimin e zbutjes së ndotjes.

Bino deklaroi se vetë Rama në vitin 2007 pranoi se Tirana është tejet e ndotur, megjithatë shtoi ai ky mbeti thjesht një konstatim dhe kryebashkiaku nuk ndërmori asnjë veprim real për parandalimin e zbutjen e ndotjes.

“Me një popullsi që është trefishuar në 15 vitet e fundit me rreth 800,000 banorë, qytetarët dhe Tirana po përballen çdo ditë me probleme të mëdha të shëndetit që vijnë si pasojë e ndotjes së ajrit. Sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes dhe kanceri ka arritur në shifra alarmante. Studimet tregojnë se në kryeqytet gjenerohen 56,000 ton pluhur në vit, rreth 70 kg pluhur për secilin banor. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, më shumë se 1,400 raste kanceri janë të lidhura drejtëpërsëdrejti me rritjen e shkallës së ndotjes në ajër”, deklaroi deputeti demokrat.

Bino përmendi edhe një studim të Organizatës Botërore të Shëndetit e cila në Tetor të vitit 2007 arriti në përfundimin se vetëm ndotja e ajrit është përgjegjëse për 200 vdekje në vit, shumica në Tiranë.

Më tej ai tha se çdo qytetar i Tiranës humb 1 deri në 2 vjet jetë nga niveli i lartë i ndotjes së ajrit.

Si shkak të kësaj ndotje ai cilësoi pluhurin, rrugët e pashtruara, rrugët e pista, sheshet pa leje, trafikun bllokues, mungesën e transportit publik, mungesën e transportit alternativ, etj

“Bashkia pretendon se lahen përditë rrugët e Tiranës, çka nuk rezulton e vërtetë, sepse sipas llogaritjeve, 2 autobotet që përdoren për larjen e rrugëve duhet të punonin më shumë se 40 orë në dite që të arrinin të lanin gjithë sipërfaqen e Tiranës”, deklaroi i zgjedhuri i demokratëve.

Sipas tij, Tirana vazhdon të jetë në krye të listës së zezë të ndotjes së ajrit edhe nga matjet e ditëve te fundit, në mënyrë të veçantë:

Sasia e pluhurit është në 3-4 herë mbi normën, tek 21 Dhjetori – 445 mg/m3, ndërkohë që normat e lejuara nga BE-ja, janë 50 mg/m3. Zogu i Zi – thuajse në të njëjtin nivel.

Bino apeloi se kjo situatë nuk mund të lejohet të vazhdojë më, pasi tha ai banorët e Tiranës nuk kanë më kohë për të humbur, pasi tani ata kanë shansin të zgjedhin një kryebashkiak ndryshe, një kryebashkiak që ka të parin qytetarin e jo betejat politike.

a.y/NOA

KOMENTE