Preshevë, 16 prill 2011, NOA – 95-vjetori i lindjes së profesor Ibrahim Kelmendit, një nga aktivistët e çështjes kombëtare të Kosovës u përkujtua në Preshevë me një akademi përkujtimore e organizuar në sallën e kuvendit në Preshevë nën kujdesin e Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore.
Takimi përkujtimor nisi me himnin kombëtar dhe me një minutë heshtje kushtuar veprës së profesor Kelmendit dhe të gjithë veprimtarëve preshevarë.
Në fjalën përshëndetëse Kryetari i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, Xhemaledin Salihu foli për rolin në shoqërinë shqiptare të veprimtarit vendës Ibrahim Kelmendi.
Ndërsa Abedin Selimi prezantoi personalitetin dhe kontributin e veçantë të profesor Kelmendit në çështjen kombëtare.
Në kuadër të Akademisë përkujtimore me rastin e 95-vjetorit të lindjes së profesor Ibrahim Kelmendit u paraqitën edhe disa thënie të marra nga libri “Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë” dhe poezia autobiografike për profesor Kelmendin.
Agjencia informative “Presheva jonë” raporton se essetë për Ibrahim Kelmendin u prezantuan nga Jonuz Fetahaj dhe Afrore Shaipi.
Këtë takim e ka përshëndeti edhe kryetari i Shoqatës së Qytetarëve të Luginës në Prishtinë, Mr.Nehat Hyseni.
Kurse evokime për jetën e zotit Kelmendi ka bërë mbesa e Ibrahim Kelmendit, Ajtene Pllana nga Prishtina.
Ibrahim Osmani Kelmendi u lind më 16 prill të vitit 1916 në Preshevë.
Shkollën fillore e mbaroi në Preshevë në gjuhën serbe, ndërkohë që arsimin e mesëm e mori në Medresenë e Madhe në Shkup në vitin 1938.
Ibrahim Kelmendi i nisi studimet e larta për histori në Beograd, mandej u transferua në Perugia të Italisë, ndërkohë që u diplomua në kryeqytetin kroat Zagreb në vitin 1942. Pas studimeve kelmendi punësohet në Prishtinë si profesor i historisë dhe gjatë asaj kohe ishte edhe aktiv në ngjarjet politike në kuadër të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.
Gjithnjë në shërbim të çështjes kombëtare ai i shërbeu fuqishëm organizimit dhe drejtimit të operacioneve për mbrojtjen e territoreve të Kosovës Lindore prej forcave partizane serbo-maqedonase.
Odisea e tij vazhdoi për disa vite, për t’u larguar më pas në kushte shumë të vështira nga Kosova dhe për t’u vendosur në Greqi dhe më pas në Gjermani.
Por më pas Ibrahim Kelmendi vendoset në Australi ku jetoi dhe punoi deri në mbarim të jetës.