Tiranë, 16 prill 2011, NOA- Konflikti për pronën ka goditur sërish në mesditën e sotme.
Këtë herë fatmirësisht shënjestra nuk ka vrarë, por e ka kursyer jetën e të riut, duke e lënë të plagosur 28 vjeçarin në zonën e Tufinës në kryeqytet.
Sipas të dhënave paraprake flitet se i plagosuri është Edis Hasi, i cili është qëlluar me armë zjarri nga persona për të cilët dyshohet që i riu të ketë pasur konflikte pronësie.
28 vjeçari është dërguar menjëherë drejt Spitalit Ushtarak për të marrë ndihmën e shpejtë dhe fatmirësisht mësohet se ai është jashtë rrezikut për jetën.
Nga ana e uniformave blu ka nisur puna për identifikimin dhe vënien para drejtësisë së autorëve.
E ky në fakt nuk është rasti i vetëm, as i pari, por i fundit i dëgjuar nga veshët e shqiptarëve.
Jo vetëm fqinjët konfliktohen për këtë çështje, për një metër kufi më tepër, por edhe babai me djemtë, e vëllai me vëllanë.
I tillë është edhe rasti i ndodhur në Dibër disa muaj më parë, ku vëllai ka vrarë vëllanë.
Ilmi Buçi është qëlluar me armë duke gjetur vdekjen e menjëhershme, pasi vëllai i tij Fiqiri Buçi, nuk e ka kursyer jetën e vëllait vetëm për një copë tokë.
Ky është vetëm një rast, por me dhjetra të tjerë janë regjistruar në memorien e qytetarëve dhe familjeve tona, të cilat po përballen me problemet e tokës e cila siç ndez sherrin edhe e shuan tragjikisht atë.
a.y/NOA