Rimini, 16 prill 2011, NOA - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama gjatë një takimi me qindra emigrantë që jetojnë dhe punojnë në Rimini, u kërkoi atyre që në pamundësi të ardhjes së tyre për të votuar në 8 maj, të ndërmjetësojnë tek familjet e miqtë, që këta të fundit ta hedhin votën e tyre për të ardhmen e vendit. Gjatë takimit me emigrantët kryesocialisti Rama dhe kryebashkiaku që garon për të katërtin mandat në Tiranë u bëri apel emigrantëve të shprehin bindjen e tyre se vota në 8 maj duhet të jetë një votë pro të ardhmes së vendit.
“Një votë “ kurrë më” për këtë pushtet kusarësh, të jetë një votë pro një vizioni dhe një modeli të mirëqeverisjes që mishërohet në koalicionin “Aleanca për të ardhmen” dhe në kandidatët e Partisë Socialiste”, tha Rama.
Kryesocialisti Rama apeloi se “Duhet një rrugë e re dhe e vetmja rrugë është rruga jonë. I vetmi vizion që sot ka në përmbajtjen e vet një zhvillim të integruar dhe të qëndrueshëm të qyteteve dhe të të gjitha territoreve të vendit është vizioni ynë”.
“E vetmja mundësi për të transformuar pasuritë e mëdha në potenciale zhvillimi për ekonominë e familjeve shqiptare është mundësia që ofron rruga jonë. E vetmja rrugë ku qytetarët të ndjehen të lirë dhe të ndjehen të barabartë para mundësive që u ofron qeverisja është rruga jonë”, theksoi Rama.
Ai ripërsëriti se në rrugën e aleancës që ai drejton njerëzit nuk ndahen në blu e në rozë.
“Në rrugën tonë njerëzit shihen si qytetarë të barabartë nën flamurin kuq e zi të Skënderbeut, të Ismail Qemalit, të heronjve dhe të fëmijëve të vendit tonë, të cilëve u detyrohemi një atdhe shumë më të favorshëm, një shtëpi ku çdo shqiptar të ndjehet në vendin e vet”, nënvizoi Rama.
mit/NOA