Laprakë, Tiranë, 16 prill 2011, NOA – Lapraka po shndërrohet në një qendër dytësore të kryeqytetit, deklaroi Kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama që rikandidon për të katërtin mandat në kryeqytet. Rama zbriti sot pasdite në Laprakë duke i kërkuar votën banorëve të kësaj zone, të transformuar rrënjësisht nën drejtimin e bashkisë nga ai vetë.
Rama u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që në 8 maj është tejet e rëndësishme që të gjithë të shkojnë në votim për të hapur rrugën e mirëqënies.
“Jam i lumtur për gjithçka kemi bërë për Laprakën që sot është nën një transformim rrënjësor për banorët e zonave të ndryshme që kanë ardhur këtu, për t’u ndier banorë të kryeqytetit”, deklaroi Rama në takimin elektoral në minibashkinë nr. 11 ku shkoi për të prezantuar kandidatin për kryetar të njësisë, Naim Asllanin.
"Lapraka është integruar në Tiranë", tha kryebashkiaku Rama duke shtuar se "është bërë një çështje minutash rruga Lapraka në qendër".
Rama tha se “në Tiranë, tropojanët dhe himariotët, qytetarët nga Veriu dhe Jugu të ardhur në këto vite dhe tiranasit e vjetër janë të nderuar të thonë jemi kryeqytetas”.
Kryebashkiaku Rama theksoi se gjithçka në Tiranë është pjesë e një historie që po e shkruajmë me punë, punë, punë.
“Është një tjetër shenjë e qartë e një politike evropiane, për një bashkëjetesë qytetare, që nuk i ndan njerëzit në “blu” e në “rozë”, por që i bashkon flamurin kuq e zi , për të ndërtuar këtu modelin e një Shqipërie tjetër”, deklaroi Rama në mitingun e Laprakës.
Ai përmendi investimet dhe punët e bashkisë në Laprakë duke nënvizuar se “Sot në Laprakë qoftë familjet që kanë qenë këtu, qoftë ata të ardhur i çojnë fëmijët në shkollat e ndërtuara këtu, një tjetër shprehje e zhvillimit. Do të vazhdojmë të investojmë edhe më shumë që qytetarët të jenë pjesë e Europës dhe jo qytetarë të dorës së dytë”, vijoi më tej Rama.
Rama bëri me dije se punimet në infrastrukturë, rrugët parësore e dytësore të Laprakës për në qendër e më tutje janë frut i financimit të qytetarëve të Tiranës, frut i një rruge të përbashkët, për të cilat sikundër tha Rama çdo familje e kryeqytetit paguan 5500 lekë të vjetra në muaj.
“5500 lekë të vjetra në muaj, për rrugët, pemët”, tha Rama.
Duke iu referuar fushatës së kundërshtarit të tij politik, Rama tha se “nga ana tjetër janë ata që përfaqësojnë një vizion tërësisht të ndryshëm nga yni, e u thonë se janë të mbingarkuar nga taksat që i paguajnë Bashkisë”.
“Vetëm tek buka nëpërmjet TVSH-së qeveria i merr një familje kryeqytetase më shumë se ato që bashkia i merr qytetarëve në muaj për të gjitha shërbimet e saj në Tiranë”, bëri me dije Rama.
Rama tha këtu se për të pastruar qytetin duhen më pak se për të mbajtur kasën fiskale.
“Rruga jonë është rruga e bashkëpunimit, ndërsa e tyrja rruga e shpenzimeve kuturu me taksat e qytetarëve. Alternativa e tyre është ajo e zhvatjes përmes abuzimit të familjeve”, tha Rama nga Lapraka.
mit/NOA