Nga Barak Obama, Dejvid Kameron dhe Nikolas Sarkozi Bashkë me aleatët e NATO-s dhe partnerët e koalicionit, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania kanë qenë të bashkuara prej fillimit për t’iu përgjigjur krizës në Libi dhe jemi të bashkuar për atë se çfarë duhet të ndodhë që asaj t’i vijë fundi.
Madje edhe sot, teksa i vazhdojmë operacionet ushtarake për t’i mbrojtur civilët në Libi, ne jemi të vendosur të shohim drejt së ardhmes. Jemi të bindur se kohë më të mira ndodhen para popullit të Libisë dhe mund të shtrohet rruga për të arritur këtë.
Ne nuk duhet kurrë të harrojmë përse bashkësia ndërkombëtare ishte e detyruar të veprojë. Teksa Libia po rrëshqiste në kaos dhe koloneli Muamer Gadafi po i sulmonte njerëzit e tij, Liga Arabe bëri thirrje për aksion. Opozita libiane bëri thirrje për ndihmë. Dhe, populli i Libisë i drejtoi sytë kah bota në këtë orë të nevojës.
Në një rezolutë historike, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i autorizoi të gjitha masat e nevojshme për t’i mbrojtur njerëzit në Libi nga sulmet kundër tyre.
Duke u përgjigjur menjëherë, vendet tona, bashkë me koalicionin ndërkombëtar, e ndalën përparimin e forcave të Gadafit dhe e parandaluan gjakderdhjen që ai ua kishte premtuar qytetarëve të vet në qytetin e rrethuar të Bengazit.
Dhjetëra-mijëra jetë janë shpëtuar. Por, populli i Libisë ende çdo ditë po vuan tmerre nga dora e Gadafit. Raketat dhe predhat e tij bien si rrebesh mbi civilët e pambrojtur në Axhdabia. Qyteti i Misratës po përballon një rrethim mesjetar, teksa Gadafi përpiqet ta nënshtrojë popullatën e tij. Dëshmitë për zhdukje dhe abuzime po rriten dita-ditës.
Detyra jonë dhe mandati ynë, sipas Rezolutës 1973 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është që t’i mbrojmë civilët dhe kjo është mu ajo që po e bëjmë. Nuk është që ta heqim Gadafin me forcë. Por, është e pamundur të imagjinohet e ardhmja e Libisë me Muamer Gadafin në pushtet.
Gjykata Kriminale Ndërkombëtare po i heton me të drejtë krimet e kryera kundër civilëve dhe shkeljet e rënda të ligjit ndërkombëtar. Është e pamundur të mendohet se dikush që është përpjekur të masakrojë popullin e tij, mund të luajë rol në qeverinë e ardhshme të tyre.
Qytetarët e guximshëm të atyre qyteteve që i kanë mbrojtur nga forcat që i sulmonin pa mëshirë, mund të përballen me hakmarrje lemeritëse nëse bota pranon një marrëveshje të tillë. Kjo do të ishte tradhti e paarsyeshme.
Përveç kësaj, kjo do ta dënonte Libinë dhe do ta bënte shtet të dështuar. Gadafi ka premtuar të kryejë sulme terroriste kundër anijeve dhe aeroplanëve civilë. Nga fakti që e ka humbur mbështetjen e popullit të tij, çdo marrëveshje që do ta linte në pushtet, mund të çonte në kaos dhe paligjshmëri të plotë.
Ne e dimë nga përvoja e hidhur se ç’do të nënkuptonte kjo. As Evropa, as rajoni apo bota, nuk mund të lejojnë një strehë të re të sigurt për ekstremistët.
Është një rrugë drejt paqes që premton shpresë të re për popullin e Libisë - e ardhmja pa Gadafin - e cila e ruan integritetin dhe sovranitetin e Libisë, e rivendos ekonominë, prosperitetin dhe sigurinë për njerëzit e saj.
Kjo duhet të fillojë me përfundim të vërtetë të dhunës, të shoqëruar me vepra e jo fjalë. Regjimi duhet të tërhiqet nga qytetet që i ka rrethuar, përfshirë Axhdabian, Misratan dhe Zintan, dhe të kthehet në kazermat.
Sidoqoftë, përderisa Gadafi është në pushtet, NATO-ja duhet t’i vazhdojë operacionet e saj, në mënyrë që civilët të mbeten të mbrojtur dhe trysnia ndaj regjimit të rritet. Pastaj, mund të fillojë tranzicioni i vërtetë nga diktatura te një proces kushtetues, i prirë nga një gjeneratë e re e udhëheqësve.
Në mënyrë që ky tranzicion të ketë sukses, Gadafi duhet të shkojë njëherë e mirë. Në këtë pikë, Kombet e Bashkuara dhe anëtarët e saj duhet të ndihmojnë popullin e Libisë për të ndërtuar atë që Gadafi e ka shkatërruar, t’i rindërtojnë shtëpitë dhe spitalet, t’i rikthejnë shërbimet bazë dhe t’u ndihmojnë libianëve që të zhvillojnë institucione, mbi të cilat do të qëndrojë një shoqëri prosperuese dhe e hapur.
Ky vizion për të ardhmen e Libisë e ka mbështetjen e koalicionit të gjerë të vendeve, përfshirë shumë nga bota arabe. Këto vende u bënë bashkë në Londër më 29 mars dhe formuan Grupin e Kontaktit, i cili u takua këtë javë në Doha të Katarit, për të mbështetur zgjidhjen e krizës, e cila do të respektonte vullnetin e popullit të Libisë.
Sot, NATO-ja dhe partnerët tanë po veprojnë në emër të Kombeve të Bashkuara me një mandat të paprecedent legal ndërkombëtar. Por, do të jetë vullneti i popullit të Libisë, e jo Kombet e Bashkuara, ai që do ta zgjedhë kushtetutën e re, do t’i zgjedhë udhëheqësit e rinj dhe do ta shkruajë kapitullin e ri në historinë e tyre.
Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të pushojnë derisa të implementohen rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe njerëzit e Libisë të mund ta zgjedhin të ardhmen e tyre.
* "New York Times"