English

Amerika që presim

Amerika e vogël e njerëzve që u çliruan nga prangat e komunizmit dhe erdhën drejt Kamzës për një jetë më të mirë. Për një punë që ti garantonte mirëqenie dhe për një perspektivë për fëmijët e tyre

Nga Edi Rama

Më lejoni të ndaj me ju disa fjalë në këtë zonë të Shqipërisë, që është si Amerika e ëndrrave dhe e shpresave të atyre që u turrën nga gjithë bota për të kërkuar një jetë më të mirë. Kjo është Amerika e vogël e shqiptarëve nga Tropoja, nga Dibra, nga Kukësi, nga Puka, nga Mati, nga Hasi, nga Bulqiza, nga Saranda, nga Tepelena, nga Korça, nga Librazhdi, nga Gramshi. Amerika e vogël e njerëzve që u çliruan nga prangat e komunizmit dhe erdhën drejt Kamzës për një jetë më të mirë. Për një punë që ti garantonte mirëqenie dhe për një perspektivë për fëmijët e tyre. Amerika e vogël e shqiptarëve që u ndërtua me gjak e me sakrifica të pafundme familjarësh tuaj në emigracion dhe të tjerësh këtu që qëndruan. Qëndruan dhe vunë tullë pas tulle të ardhmen e familjes së tyre nën një strehë që sot e gjithë ditën 20 vjet më vonë është ende e palegalizuar. Ndërkohë që ka 20 vjet që Saliu vjen këtu në Kamzë dhe e përdor përkushtimin, pasionin e mbi të gjitha dëshirën për liri e për demokraci të këtij komuniteti si mish për topat e fushatave të tij elektorale, duke premtuar gjithçka, por në fakt duke mos përmbushur asgjë. E vetmja gjë që Saliu ka bërë për ju është ky xhelal ziu në qafën tuaj prej kaq kohësh.

Si ka mundësi të shfrytëzohet kaq paturpësisht dhe kaq ultësisht besimi dhe mbështetja e një populli të tërë si ky popull që pa rezerva e vazhdimisht i ka dhënë Partisë Demokratike gjithçka që Partia Demokratike ka pasur nevojë dhe në këmbim ka marrë vetëm premtime të papërmbushura. E në ndërkohë ka qenë i detyruar të durojë sundimin e një agai këtu që nuk ka bërë asgjë për Kamzën dhe ka edhe paturpësinë të shkruaj në sloganin e vet, Kamza ime. Po çfarë është në fakt Kamza dhe ku më shumë se në Kamzë është e prekshme, është e dukshme, është e qartë se qyteti është vetëm rezultat i sakrificave, i mundit dhe i punës së njerëzve të vete. Ndërkohë që shteti këtu ende nuk ka bërë asgjë për njerëzit. Kush i ndërtoi shtëpitë tuaja, Saliu apo Xhelali. Shtëpitë tuaja i ndërtuat ju. I ndërtuat ju me mundin dhe me sakrificat e panumërta të familjarëve tuaj në emigracion. Me mundin dhe me sakrificat e panumërta të të gjithë atyre që çdo mëngjes prej 20 vjetësh marrin rrugën drejt Tiranës për të gjetur një punë dhe pastaj kursejnë, kursejnë, kursejnë, për të vendosur një tullë më shumë në shtëpinë që nesër do të jetë shtëpia e fëmijëve që lindin dhe rriten këtu në Kamzë.

Por ndërkohë nga ana tjetër çfarë bën qeveria për këta fëmijë, çfarë bën qeveria për prindërit e këtyre fëmijëve. Çfarë bën qeveria për më të moshuarit këtu. Asgjë, përveçse tund flamurin e PD tek i cili besuan të gjithë ata që e çliruan Shqipërinë nga diktatura, por ndërkohë nën të cilin ka përfitime dhe punë vetëm për ata që janë të lidhur me kanalet e interesave të oborrit të pushtetit dhe jo për demokratët e zakonshëm, jo për demokratët e ndershëm. Jo për demokratët që si socialistët e si gjithë të tjerët kthehen në shtëpi në darkë dhe nuk dinë se çfarë do të sjelli e nesërmja. Kthehen në shtëpi në darkë dhe nuk dinë sesi do të përballohen me çmimet që i presin nesër atje në pazar. Nuk dinë se a do të gjejnë apo s’do të gjejnë një punë në tregun e zi të punës. Nuk dinë se a do mund apo s’do mund ti çojnë fëmijët në shkollë. Nuk dinë se a do i paguajnë apo s’do i paguajnë dot ilaçet e më të moshuarve. Kjo është jeta e socialistëve dhe demokratëve të thjeshtë të këtij vendi. Kjo është jeta e njerëzve të zakonshëm në këtë vend. Kjo është jeta e Kamzës që është simboli i përpjekjeve të jashtëzakonshme që kanë krijuar ëndrrat dhe shpresat e shqiptarëve në këto 20 vjet liri.

Por në ndërkohë nga ana tjetër në 8 maj, motra dhe vëllezër dhe këtë jua them të gjithëve, nuk jua them vetëm socialistëve, jua them edhe demokratëve të Kamzës, është dita që pas 20 vjetësh të kërkoni llogari, pse nuk janë legalizuar shtëpitë tuaj. Ka 20 vjet që jua thonë. Ka 20 vjet që e premtojnë. Ka 20 vjet që ju nxjerrin përpara letrat sa herë vjen një fushatë elektorale. Po kush janë realisht sot pronarë, me tapi, me hipotekë dhe me tokë, të gjithë asaj që kanë ndërtuar në 20 vjet. Numërohen me gishta dhe janë ata që kanë mundur ta bëjnë këtë vetëm falë lidhjeve të interesave, vetëm falë kanaleve të interesave, vetëm falë marrëdhënieve me oborrin e pushtetit të vogël këtu të xhelal ziut dhe me pushtetin atje të Tiranë të Sali xhelatit. E pra sot unë ju them me plot gojën se duke sjellë Rakip Sulin për t’ju përfaqësuar Aleanca për të Ardhmen, PS, ka sjellë njëkohësisht një garanci për të gjitha premtimet dhe angazhimet tona.

Ju premtoj se mbas 8 majit në 300 ditë ne me Rakipin këtu në Bashkinë e Kamzës do ti shqyrtojmë një për një të gjithë kërkesat tuaja për legalizime dhe do ti japim një për një përgjigje. E kam dëgjuar Saliun këtu në Kamzë kur vjen edhe bën atë shfaqjen e tij duke thënë çfarë mrekullie keni ndërtuar ju qytetarët e Kamzës. Por në fakt një kryeministër duhet të vij dhe të thotë këtu çfarë mrekullie ka bërë ai për qytetarët e Kamzës, se qytetarët e Kamzës e dinë atë që kanë bërë për vete dhe për familjen e tyre me njëmijë e një mundime e sakrifica, por nuk dinë të thonë se çfarë ka bërë qeveria për ta. Ku është ujësjellësi që çon ujë të pastër në çdo shtëpi. Ku janë rrugët, ndriçimi, gjelbërimi që garantojnë për çdo familje të Kamzës atë cilësi jete të cilin e ëndërruan ata të cilët u shpërngulën nga të katërt anët e Shqipërisë për të ardhur këtu. Ku janë çerdhet, ku janë kopshtet, ku janë shkollat, ku është ndihma shëndetësore, ku janë hapësirat për argëtim të rinisë. Ku është Kamza e ëndrrave dhe e shpresave të atyre që këtu në Kamzë nuk erdhën thjesht për një çati, por erdhën për një jetë më të mirë pranë Tiranës.

E duke folur për Tiranë më lejoni motra dhe vëllezër t’ju them se projekti ynë për Tiranën është një projekt që e përfshin edhe Kamzën si pjesë të rrugës sonë të përbashkët të zhvillimit. Që e shikon Kamzën si një potencial të madh zhvillimi. Zhvillimi urbanistik, zhvillimi social, zhvillimi ekonomik dhe që ka synimin të përfshijë dhe të integrojë në shoqërinë kryeqytetase të gjithë të ardhurit, pavarësisht se nga vijnë, pavarësisht sesi quhen, pavarësisht se kë besojnë, pavarësisht se kë zgjedhin, sepse në jemi në Europë, jemi në vitin 2011 dhe përpara se të jemi socialistë dhe demokratë, përpara se të kemi çfarëdoqoftë ndër ato që na bëjnë të dallueshëm nga njëri tjetri jemi qytetarë të Republikës së Shqipërisë nën flamurin kuq e zi të Skënderbeut, të Ismail Qemalit, të heronjve të luftës dhe të të gjithë atyre që sakrifikuan edhe jetën për flamurin tonë kombëtar në kushtet e diktaturës komuniste.

Motra dhe vëllezër për Kamzën në 8 maj ka dy rrugë. Rruga e atij që thotë Kamza ime dhe rruga jonë që thotë Kamza juaj. Rruga e atij që Kamzën e ka parë dhe përdorur prej 20 vjetësh si mish për top dhe rruga jonë që Kamzën duam ta kthejmë në një pjesë të zhvillimit të pandalshëm të Tiranës moderne, europiane, demokratike. Rruga e tyre ku prej 20 vjetësh dëgjoni i gëzofshi shtëpitë tuaja dhe rruga jonë ku ju thoni, jo vetëm shtëpitë tuaja që do të legalizohen, do të hipotekohen dhe do të jenë prona juaj e patundshme, por edhe gjithë Kamza do të bëhet qyteti që do të jetë prova e patundshme e bashkimit tonë përtej të majtës e të djathtës, përtej flamujve të partive, përtej përkatësisë krahinore. Përtej gjithçka që politika e vjetër dhe e pa besë e ka përdorur për ta ndarë, ndërkohë që ne kemi arsye vetëm për tu bashkuar, që ta bëjmë jetën tonë ashtu si çdo fëmijë i Kamzës, i Tiranës, i gjithë Shqipërisë, e meriton.

Në 8 maj me zgjedhjen e Rakip Sulit ne do ta bëjmë Kamzën pjesë të projektit tonë të transportit urban të integruar dhe në Kamëz do të vijnë autobusët e standardeve të BE. Me të gjitha parametrat që garantojnë një transport tërësisht të kënaqshëm dhe njëkohësisht një mjedis plotësisht të mbrojtur. E kështu me radhë do të zhvillojmë projektet e përbashkëta sepse në vështrimin tonë Tirana dhe Kamza janë një dhe të pandara. E pra votoni Rakip Sulin që të jeni qytetarët e barabartë të Tiranës europiane, të Tiranës metropol pjesë e të cilës nuk është vetëm qytetit i Tiranës por dhe Kamza, Paskuqani, Kashari, Farka e me radhë. Për ta kthyer këtë territor në një zonë me mundësi ekonomike. Në një zonë ku secili të ketë mundësi të jetojë me punën e tij të ndershme. Në një zonë ku këto shtëpi duke u kthyer në pasuri të patundshme të jenë një bazë për të marrë kredi dhe për të zhvilluar sipërmarrje për të shkolluar fëmijët, për të çuar përpara rrugën e ëndrrave dhe të shpresave tuaja. Rruga e tyre është rruga e shpenzimit dhe e shpërdorimit kuturu të parave të popullit. Rruga jonë është rruga që e bën popullin të ketë më shumë punë, më shumë para, më shumë mundësi, më shumë shpresë dhe sigurisht të ketë më shumë ëndrra për të nesërmen.

Rakip Suli e të gjithë ju i keni rikthyer Kamzës pluralizmin. I keni kthyer Kamzës dinjitetin demokratik. I keni rikthyer Kamzës frymën e lirisë. Sot në Kamzë ka hapësirë për të gjithë edhe për demokratët edhe për socialistët. Mjaft më me modelin e shëmtuar përjashtues të shtyllave blu të ndriçimit. Mjaft më me modelin e shëmtuar e përjashtues e atij dhe atyre që thonë Kamza ime. Kamza është e juaja dhe ju jeni ata që vendosni se kush do të jetë shërbëtori juaj. Rakip Suli është padyshim shërbëtori juaj më i mirë sepse Rakip Suli është njëri nga ju. Është njëri nga ata si shumë e shumë prej jush që erdhën drejt Tiranës me familjen e tyre, kapur dorë për dore me babin, drejt një ëndrre duke ndjekur një shpresë. Sigurisht duke qenë të varfër pa asnjë mundësi përveç zemrës së fortë dhe kurajos së jashtëzakonshme për ta çarë rrugën e jetës me fuqinë e ideve dhe të punës. Ndërkohë që ky Saliu i Kamzës është thjesht dhe vetëm një i ardhur nga kanalet e pushtetit, nga kanalet e partisë, nga kanalet e servilizmit dhe të intrigave të prapaskenave partiake. Ky është dallimi i madh, ju nuk ju duhet një servil i Saliut. Ju nuk ju duhet një Sali në miniaturë, ju duhet njëri prej jush. Një burrë që e ka treguar me jetën e tij me punën e tij se ka ditur që fal ideve dhe vullnetit ka ditur të bëjë rrugë e pasuri. E kështu ta bëjë bashkë me ju rrugë të hapur për pasurimin dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kamzës rrugën e këtij qyteti, rrugën tuaj të përbashkët. Prandaj zgjidhni Rakipin pa asnjë ngurrim, qofshin socialist, qofshin demokratë, qofshin kuksian, qofshin tropojan, qofshi asnjanës, qofshi verior, qofshi jugor. Sepse 20 vjet janë mjaft për të nxjerrë mësime nga e shkuara dhe koha që kemi përpara është e gjitha një kohë ëndrrash dhe shpresash që i kemi në dorë vetë, me votë në 8 maj.

* Fjala e mbajtur sonte në tubimin e PS, Kamzë

KOMENTE