English

Analistët si thashethemexhinj

“Këto gjëra mendoja ndërsa lexoja, jo pa bezdi, dje dhe në ditët e kaluara, opinionet e disave që kanë marrë përsipër të bëjnë bilance pune apo parashikime zgjedhjesh pa e marrë asnjëherë mundimin për të biseduar apo kuvenduar mbi punët bashkiake. Disa syresh me sollën ndërmend interesimin që me patën bërë gjatë kohës kur punoja në Bashki, për ndonjë shtese kati pa leje, licencë taksie a leje 24-orëshe klubi nate etj. etj”

Nga Eduard Shalsi

Disa muaj më parë iu përgjigja me kënaqësi ftesës për një intervistë nga një gazetare e huaj në lidhje me problematikën e pushtetit vendor. Më duhet të pranoj që në fillim se ishte shumë interesante dhe e thellë mënyra se si gazetarja kërkonte të kuptonte thelbin e konflikteve të qeverisë me pushtetin. Pyetjet profesionale, këmbëngulja për të hyrë në detaje të problematikës vendore, përpjekja e ndershme për të gjetur kontradikta në shpjegimet e mia, më bënë të mendoja se përballë kisha të bëja me një njeri që kishte punuar në të kaluarën në ndonjë bashki. Ndaj, teksa biseda i afrohej fundit, nuk hezitova ta pyesja se si ishte e mundur që e njihte me kaq detaje pushtetin vendor e, për më tepër, atë në Shqipëri. Dhe ja cila ishte përgjigjja e saj: “Duke qenë se një moment të jetës sime m’u kërkua të komentoja mbi qeverisjen vendore në prag zgjedhjesh, isha e detyruar të studioja thellë dhe të zhvilloja biseda me titullarë institucionesh vendore derisa u bëra gati për të mbuluar me profesionalizëm edhe këtë sektor. Përgjegjësia është e madhe sepse merr përsipër të japësh pikëpamje, të cilat mund të ndikojnë dukshëm në zgjedhjet që njerëzit bëjnë. Sa më të drejta, të ndershme, të paanshme mendimet e shprehura, aq më e madhe mundësia e ndikimit të tyre në opinionin publik apo politikëbërje”.

E solla ndërmend gazetaren e huaj teksa kam disa ditë që lexoj opinione nëpër gazeta të ndryshme në lidhje me zgjedhjet vendore në Shqipëri, e veçanërisht në Tiranë. Gjej mes tyre përpjekje të sinqerta për të analizuar dhe komentuar situatën aktuale. Por gjej, gjithashtu, edhe opinione nga disa të ashtuquajtur analistë që, përveçse provojnë se nuk janë në gjendje të gjykojnë objektivisht dhe drejt mbi temën që kanë marrë përsipër të flasin, i ofrojnë publikut opinione në formë thashethemesh, për të cilin askush nuk ka nevojë. Këta analistë, që i sheh të shfaqen herë si patriotë të mëdhenj dhe të indinjuar me politikanët dhe herë si të revoltuar me padrejtësitë që konstatojnë në Shqipëri, nuk bëjnë gjë tjetër veçse ushqejnë fuqishëm, një pjesë edhe pa e kuptuar ndoshta, lulëzimin e një gazetarie që nuk mund të kontribuojë në përmirësimin e situatës, por vetëm në përkeqësimin e saj. Nuk njoh asnjë nga ky grup analistësh të ketë bërë përpjekjen më minimale për t’u ndriçuar apo për të kuptuar se çfarë ka ndodhur apo po ndodh me qeverisjen vendore në Shqipëri këto vitet e fundit. Me keqardhje e them se nuk do të jetë e largët dita kur Kongresi i Autoriteteve Lokale të KE-së t’i japë Shqipërisë shuplakën e radhës në lidhje procesin e bllokuar të decentralizimit.

Në asnjë rast nuk kam vënë re nga kjo pjesë qaramane e analistëve të bëjë atë që një gazetare e një vendi perëndimor bëri pak kohë më parë në vendin tonë. Po rikthehem edhe njëherë te gazetarja e huaj, së cilës i ishte kërkuar të bënte një shkrim mbi konfliktet e pushtetit vendor në Shqipëri. Për të përballur faktet dhe argumentet e dy palëve, përveç meje kishte intervistuar edhe një nga përfaqësuesit e qeverisë, i cili, ndoshta pa e marrë me mend, kishte hedhur dritë mbi të vërtetën e këtij konflikti rraskapitës për qytetarët e Tiranës. Ishte një gazetare që manifestonte, gjatë pyetjeve, hera-herës mosbesim dhe skepticizëm, fakt të cilin e mirëprita, duke menduar se sa më shumë e tillë, aq më mirë për sa kohë njihte mirë thelbin e çështjeve dhe për më tepër ishte e ndershme dhe e drejtë në pyetjet që adresonte.

Të gjithë ata që merren me politikë dhe janë në shërbim publik sfidohen vazhdimisht të provojnë që politikat që ndjekin janë të drejta, që janë njerëz që mund të besohen dhe që janë të përgjegjshëm për ato që thonë e bëjnë. Ata që qeverisin duhet të fitojnë vazhdimisht besimin e atyre që qeverisen dhe gazetaria e mirëfilltë investiguese dhe analitike ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Këto gjëra mendoja ndërsa lexoja, jo pa bezdi, dje dhe në ditët e kaluara, opinionet e disave që kanë marrë përsipër të bëjnë bilance pune apo parashikime zgjedhjesh pa e marrë asnjëherë mundimin për të biseduar apo kuvenduar mbi punët bashkiake. Disa syresh me sollën ndërmend interesimin që me patën bërë gjatë kohës kur punoja në Bashki, për ndonjë shtese kati pa leje, licencë taksie a leje 24-orëshe klubi nate etj. etj., por që asnjëherë të vetme nuk kishin shfaqur interes për të mësuar me themel apo analizuar me profesionalizëm se çfarë po ndodhte midis Bashkisë së Tiranës dhe Qeverisë. Gjë që e bëri fare mirë një gazetare e huaj, e cila, para se të largohej, i dhuroi edhe një pemë Tiranës në rrugën “Siri Kodra”, me shpresën se me rritjen e saj do të zvogëloheshin konfliktet. Një gazetare e zhveshur nga interesat meskine apo leverdia personale që këtej nga anët tona dikton jo rrallë sjelljen dhe kalemin e një pjese të kësaj kategorie shoqërore që quhen analistë apo opinionistë.

Gazeta “Panorama”

KOMENTE