English

Apel Ramës e Bashës: Çfarë plani keni për jetimët shqiptar

Tiranë, 17 prill 2011, NOA- Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve shqiptarë, nëpërmjet një apeli publik i drejtohen dy kandidatëve të kryeqytetit Lulzim Bashës dhe Edi Ramës.

Krahas tyre apeli i institutit të jetimëve i drejtohet edhe kandidatëve të bashkive e komunave të tjera të tjera në vend, duke u kërkuar atyre mbështetje për politikat sociale të integrimit të jetimëve

Në apelin drejtuar kandidatëve për krerë vendor thuhet:

Përshëndetje Z. Rama dhe Z. Basha!

Gjatë kësaj fushate ju duhet të shpreheni qartë se çfarë politikash do të ndiqen nga ju, për çështjen e strehimit dhe të punësimit të të rinjve jetime që kanë përfunduar shkollat, të cilët prej më shumë se 20 vjetësh, kanë mbipopulluar konviktet e shkollave të mesme të kryeqytetit, duke krijuar Getot e Amerikës Latine të viteve 1800, dhe që japin një panoramë të turpshme të imazhit të shtetit tonë, si një vend që shkel në mënyrë flagrante Liritë dhe të Drejtat themelore të Njeriut, dhe të drejtën për të jetuar me dinjitet.

Prej 5 vitesh rresht, Amnisty International, paraqet Raportin Vjetor për Shqipërinë mbi gjendjen e mjerueshme të këtyre të rinjve jetimë, që po plaken në këto institucione, dhe kanë dhënë dhe po japin modelin më të shëmtuar se si një shoqëri dhe një shtet është treguar dhe po tregohet indiferente ndaj kësaj pjese të pambrojtur të shoqërisë. Për këtë arsye, duhet të shpreheni qartë në këtë fushatë se cilat do të jenë mekanizmat, prioritetet dhe politikat që do të ndiqen nga ju dhe Bashkia e Tiranës në mandatin e ri qeverisës të Bashkisë së Tiranës, për të zhdukur këtë plagë të rëndë sociale e cila ka stigmatizuar dhe ka përjashtuar në mënyrë të padrejtë këtë kategori të shoqërisë shqiptare, duke mos u dhënë shansin që ata të integrohen në mënyrë të dinjitetshme në shoqërinë të cilën ne duam të ndërtojmë dhe integrojmë në Europë.

Të njëjtin Apel përcjell sot për të gjithë kandidatët e Bashkive dhe Komunave në mbarë Shqipërinë, dhe për këtë arsye, unë kërkoj mirekuptimin tuaj.

Sinqerisht,

Ilir Çumani, President i Institutit Kombëtar të Integrimit te Jetimeve Shqiptar

a.y/NOA

KOMENTE